Bizneset që kryejnë transaksione me para në dorë për konsumatorin duhet që nga 1 Shtatori të zbatojë fiskalizimin. Në këtë fazë të fundit kryesisht kanë mbetur bizneset e vogla, pasi ato të mëdha dhe të mesme janë përfshirë në 2 fazat e para. Sipas të dhënave të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve (DPT) numri total i bizneseve aktive që do të përfshihen në tre fazat e fiskalizimit është rreth 120,000 ndërsa numri total i tatimpaguesve që pritet të kryejnë procesin e fiskalizimit nga 1 shtatori është rreth 90,000 subjekte të biznesit të vogël.

Deri më 18 gusht u njoftua se janë fiskalizuar 20,927 biznese dhe janë lëshuar mbi 16 milionë fatura të fiskalizuara. 46% e subjekteve të fiskalizuara janë të vogla. Nga totali i bizneseve që pritet të fiskalizohen 18% e tyre ka nisur faturimin e ri. Sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj reth 46,000 tatimpagues janë pajisur me certifikate elektronike, si një ndër kushtet e domosdoshme për fiskalizimin.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha për Top Channel se është përgatitur një plan masash që do të zbatohet nga 1 shtatori e në vijim për një periudhë 3 mujore nga punonjës të trajnuar të Administratës Tatimore, të cilët do të ofrojnë ndihmën e tyre për tatimpaguesit për të plotësuar disa hapa të nevojshëm dhe të domosdoshëm për procesin e Fiskalizimit.

Nëpërmjet të cilit ne do të shkojmë në data të caktuara në qytete të caktuara dhe do të suportojmë tatimpaguesit për të gjithë procesin e lëshimit të fturës elektronike. Ky provces me vullnetin e mirë të të gjithëve nuk do të ketë nevojë për shtyrje”- tha Delina Ibrahimaj Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve.

Por cfarë parashikojnë ekspertët bazuar edhe në ecurinë e deritanishme? Sotiraq Dhamo tha për “Monitor” se nga 1 shtatori procesi është i parealizueshëm.

Duke u nisur nga të dhënat e tatimeve për fiskalizimin e plotë të 20,927 bizneseve është e pamundur që rreth 100,000 biznese e mbetura, të fiskalizohen. Numri i bizneseve që kanë marrë certifikatën e sigurisë është treguesi kryesor se sa prej tyre kanë hyrë në rrugën e fiskalizmit. Këto të dhëna tregojnë se ende ka edhe biznese të mëdha të pafiskalizuara. Sakaq edhe biznesi i vogël duhet të kishte nisur fiskalizimin, pasi transaksionet e blerjes (furnizimin) e kryen me bizneset e mëdha, ndërsa në shitje detyrimi për faturat e fiskalizuara nis nga 1 shtatori. Bazuar të shifrat zyrtare mendoj se procesi është i parealizueshëm deri më 1 shtator”, u shpreh eksperti Dhamo.

Edhe eksperti tjetër kontabël Avni Tobli tha për Televizionin Top Channel se fiskalizimit është vështirë të mbyllet brenda vitit.

Problemi i mos update-imit të të dhënave të subjekteve është problem i shumë hapave. Pasi subjektet kanë marrë certifikatën elektronike është edhe problem i operatorëve ekonomikë, të cilët janë licencuar në tre. Puna është se i gjithë procesi që ishte parashikuar të kryhej nga 28 operatorë ekonomikë, praktikisht po kryhet nga 3 ose 4 operatorë.”- tha eksperti kontabël Tobli

Ndërkohë burime nga tatimet theksojnë se :

Të gjithë subjektet tatimpagues, që mbartin detyrimin të lëshojnë fatura, me hyrjen e plotë në fuqi të ligjit do të duhet të lëshojnë vetëm fatura të fiskalizuara. Për efekte fiskale pas datës 1 Shtator nuk do të jenë të vlefshme faturat e tjera (jo të fiskalizuara), përveç rasteve të parashikuara shprehimisht në ligj. Duke qenë se ky proces është një proces i ri. Administrata tatimore ka garantuar suportin dhe mbështetjen për çdo subjekt tatimpagues si para fillimeve të efekteve të ligjit edhe në vijim, duke garantuar edhe mosndëshkueshmërinë e rasteve të kundërvajtjeve të konstatuara, të cilat rezultojnë të paqëllimshme apo që kanë ardhur jo për faj të tatimpaguesit. Gjithsesi, është detyrim ligjor për çdo tatimpagues që të angazhohet dhe të marrë masat e nevojshme për përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Ekspertët thonë se mosnjohja e faturave të pafiskalizuara pas 1 shtatorit do të rrisë informalitetin dhe deri mbylljen e bizneseve të vogla, që nuk do të jenë në gjendje të përshtaten. Për këto arsye kontabilisti Dhamo propozon në intervistën për “Monitor”, shtyrje të afatit për njohjen e faturave që nuk fiskalizohen.

Në këtë situatë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të shtyjë sërish afatin e njohjes së faturave të pafiskalizuara, sepse subjektet e vogla do të kenë shumë probleme, pasi janë më pak të përgatitur. Përveç heqjes së gjobave deri më 31 dhjetor 2021 është e paqartë se si do të veprohet për njohjen e shpenzimeve, nëse faturat nuk do të jenë të fiskalizuara. Subjektet do të ndodhen para faktit që ose do të marrin mall pa faturë dhe do të shesin pa faturë, pasi nuk i njihet fatura e pafiskalizuar. Nëse një market i vogël nuk ka arritur të marrë certifikatën deri më 1 shtator 2021, nuk arrin të lëshojë fatura të fiskalizuara dhe ky subjekt furnizohet nga një tjetër biznes i vogël, që është i pafiskalizuar dhe për këtë arsye nuk di si do të veprojë. Në këtë situatë ose do të ulë qepenat ose do të shesë mallin e pafiskalizuar, pra do të veprojë në informalitet.- thekson eksperti.

Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i bëhet thirrje që të njihen faturat e pafiskalizuara deri në një afat të caktuar, për t’i dhënë më shumë kohë bizneseve. Gjithashtu ekspertët kërkojnë që në udhëzim duhet të saktësohet se cilat janë rastet që përbëjnë fiskalizim të arsyeshëm dhe të paarsyeshëm, përveç rasteve kur mungon interneti siç e parashikon ligji.