Baret dhe Restorantet ishin kategoria që u prek ndjeshëm nga masat anticovid dhe periudha e pandemisë, kjo për shkak të kufizimeve, mungesës së lëvizjeve të qytetarëve dhe frikës. Por ky sezon turistik duket se ka përmirësuar gjendjen e tyre financiare, pasi numri i vizitorëvë ka qenë i kënaqshëm. E ndërsa është ende herët për të bërë një bilanc të qartë, Kreu i Shoqatës së Restoranteve Turistike Kujtim Dervish sjell për Radio Ejani një panoramë të situatës aktuale, sa i përket impaktit pozitiv tek xhirot e restoranteve turistike.

“Turizmi për vitin 2021 ka njohur një rritje mjaft cilësore, kjo falë politikave të qeverisë për vaksinimin e shumicës së popullsisë, si dhe hapjen që u bë për turistët që vizitojnë Shqipërinë këtë sezon turistik pa viza. Përveç sektorit të hotelerisë, që pati një rritje edhe kulinaria gjithashtu pati goxha rritje këtë sezon turistik, i cili është në vazhdim. Mund të themi që ky vit i kaloi pritshmëritë e vitit 2019. Shqipëria u vizitua dhe vazhdon të vizitohet nga turistë të huaj italianë, serbë, maqedonas, rusë, francezë, polakë dhe çekë. Ky vit qe i mbarë edhe për turizmin detar, pasi pati një rritje të mjeteve lundruese, të cilat vitet e kaluara nuk ekzistonin. “- shprehet Dervishi

E ndërsa gjendja e bizneseve në sektorin e restoranteve turistike ka ardhur drejt përmirësimit, nuk kanë munguar edhe problemet. Një fenomen që ndodh rëndom në periudhën e sezonit turistik është edhe rritja e çmimeve kryesisht në jug të vendit. Vec ngritjes së shqetësimit në rrjetet sociale nga vetë qytetarët, tendenca u konfirmua edhe nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që publikohet nga INSTAT. Sipas të dhënave ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit Kafe – restorante (catering) ishte 1.3% në maj dhe qershor të këtij viti , rritja më e lartë që nga janari 2017, kur raportohen të dhënat. Deri në fund të 2020-s, çmimet në bare e restorante ishin më të qëndrueshme, ndërsa ishin në tendencë rënëse në gjysmën e dytë të 2020-s. Duket se situata e vështirë që kaloi sektori ndikoi direkt në rritjen e çmimeve për të kompensuar uljen e qarkullimit.

“Krahasuar me vitet e kaluara, gjatë këtij sezoni pati edhe probleme dhe mangësi kryesisht menaxhimi i mbetjeve, infrastruktura e munguar në disa zona turistike si dhe mungesa e stafeve profesionale e fushës së turizmit, e cila ndikon mjaft në cilësinë e turizmit. Përsa i përket çmimeve, pati një rritje të pakontrolluar por që është e pranueshme, pas një mbylljeje gati dy vjeçare nga pandemia.”- thekson Dervishi

Sipas Kreut të Shoqatës së Restoranteve Turistike Kujtim Dervishi, Shqipëria tashmë është futur në hartën turistike të Europës, por ndikoi dhe marrëveshja për Open Balkan.

“Risi për këtë sezon turistik ishte dhe marrëveshja për Ballkanin e Hapur, e cila i dha shenjat e para të fluksit. Këtë sezon do ishte mirë që për sektorin e turizmit të ulet TVSH-ja, pasi është e vetmja rrugë për të ulur informalitetin. Shpresojmë që viti i ardhshëm, do të na gjejë me mjaft, dmth duke pasur prioritet sektorin e turizmit, vendi ynë ofron mjaft atraksione turistike të të gjithë llojeve dhe mendoj që Shqipëria tashmë është futur në hartën turistike të Europës, të mos themi edhe të botës. Mjaft televizione të huaja kanë folur për Shqipërinë. Televizione franceze, që kanë vizituar Shqipërinë dhe e kanë përshkruar në detaje, duke e cilësuar si një parajsë e fshehur turistike”, thotë Dervishi

Një rol të rëndësishëm edhe këtë vit kanë dhënë pushuesit e Kosovës. Misioni i shoqatave të turizmit në Shqipëri është që po ashtu të kontribojnë në turizmin dimëror në Kosovë.

“Gjithashtu nuk mund të lemë pa përmendur turizmin e ardhur nga Kosova. Kosovarët përbëjnë një pjesë dërrmuese të turizmit që vizitojnë Shqipërinë, të cilët edhe ne si shqiptarë mundohemi që në turizmin dimëror t’ua kthejmë vizitën, t’ua kthejmë me sa mundësi kemi për të vizituar Kosovën dhe vendet turistike të saj, sepse Kosova ofron vërtet një turizëm dimëror malor të mrekullueshëm. Gjithashtu mendoj që edhe turizmi malor këtu te ne do të vijë në rritje, për arsye se të gjitha trevat tona të veriut tashmë janë kthyer në mjaft bujtina turistike, të cilat ofrojnë shërbime, cilësi, gatime tradicionale bio. Mendoj që Shqipëria do të hyjë në hartën e turizmit europian. Kështu që ne shpresojmë në politikat e qeverisë që t’i japë një përkrahje turizmit dhe një bashkëpunim midis Kosovës dhe Shqipërisë. Sigurisht do të jetë në nivele të larta, për arsye se e mbështesim njëri-tjetrin në këto situata që kemi kaluar në post-covid. Shpresoj që në të ardhmen gjithçka do të shkojë në normalitet.”, tha për Radio Ejani Dervishi

Sa i përket të dhënave të publikuara nga INSTAT për indeksin e vlerës së bareve e restoranteve, ato tregojnë se në tremujorin e parë 2021, konsumi në bare e restorante ishte rreth 6% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë (kur sapo kishte filluar pandemia e Covid-19) dhe gjithashtu 10% më pak se në periudhën janar-mars 2019, kur nuk kishte asnjë shenjë të pandemisë dhe biznesi i bareve e restoranteve shënoi vitin më të mirë historik.