Rritja ekonomike e vendit në dekadën e fundit është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në zona të ndryshme të vendit. Të dhënat e fundit të publikuara nga Instat, lidhur me ndryshimet në Prodhimin e Brendshëm të Bruto të Rajoneve tregojnë se në tre qarqe ekonomia ishte me rënie në vitin 2019, Dibra me 3%, Kukësi me 2.8% dhe Berati me 2%%. Në të kundërt, qarqet me rritjen ekonomike të lartë ishin Durrësi me 4.3%, Gjirokastra me 4%, Fieri me 3.25 dhe Tirana mbi 2.5%.Por cilat janë disa nga arsyet që ne kemi një shpopullim të tillë?

Agron Haxhimali, kryetar i Shoqatës së Bashkive(ABCNews.al)

Agron Haxhimali, kryetar i Shoqatës së Bashkive(ABCNews.al)

Agron Haxhimali, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive në një intervistë për Radio Ejani shpjegon shkaqet se përse ndodh kjo dhe çfarë duhët të bëjnë instancat përkatëse për të frenuar fenomenin.


Për mendimin tim duhet të pranojmë faktin që migrimi dhe emigrimi po rrjedhin në mënyrë të pandalshme në Shqipëri por jo vetëm, edhe në vendet e tjera ndeshen fenomene të tilla. Ky fenomen ndeshet pasi qytetarët ndodhen midis dilemës së madhe, sfida e jetesës duke qëndruar apo mundësi të reja duke lëvizur. Faktet kanë treguar që tendenca shkon drejt pandalshëmrisë së lëvizjes. Pra, qytetarët janë të lirë të lëvizin për të kërkuar më të mirën për jetesën e tyre. Ajo që vihet re në braktisjen e fshatrave dhe qyteteve të vogla dhe përqëndrimin e popullsisë nëpër qendra të mëdha urbane ka pasoja shumë të mëdha. Ajo që tregojnë të dhënat është që lëvizja jo vetëm që është masive por vihet re edhe fenomeni i demografisë ose i tentuar. Pra, kemi një segment të shoqërisë, i cili lëviz dhe ka ndjeshmëri më të lartë për të lëvizur dhe ky segment është pjesa e të rinjve, të shkolluar, të arsimuar, që pasi mbarojnë studimet qoftë Brenda Shqipërisë, qoftë jashtë Shqipërisë, kurrë nuk kthehen më në zonat e tyre.”- tha Agron Haxhimali, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive.



Por pse shpërngulen njerëzit dhe nuk kthehen? Haxhimali rendit disa arsye.


“ E para lidhet me mungesën e infrastrukturës fizike me distancën shumë të madhe dhe vështirësitë që kanë qytetarët për të marrë shërbimet e tyre qoftë administrative, qoftë edhe publike, për të pasur një jetë sa më cilësore dhe për t’u akomoduar sa më mirë në ato zona ku ata jetojnë. Një fakt tjetër pse lëvizin njerëzit lidhet edhe me mungesën e stabilitetit për jetën e tyre sociale, mungesën e stabilitetit për punësim dhe një perspektivë shumë e varfër për zhvillimin ekonomik të jetesës, qoftë në fshatrat dhe qytetet e vogla, apo në tërësi në disa rajone. Por është krejt evident fakti që jetesa në këto zona është në një presion shumë të madh në aspektin politik, që lidhet kryesisht me rotacionet politike të cilët nuk krijojnë një stabilitet edhe për njerëzit kryesisht për të arsimuarit, për njerëzit që punojnë në administrata publike që gjithmonë rrijnë në presionin e kohës, nën presionin e zgjedhjeve qëndrore dhe politike. Pra, rrinë në frikën që do të largohen sot apo nesër nga puna.”


Gjithashtu pabarazia qytet-fshat, sa i përket shërbimeve. e bën jetën më të vështirë në disa zona rurale.


“Eshtë mjaft e qartë dhe e padiskutueshme që mungesa e serisë së shërbimeve publike, duke filluar nga shkolla, mbrojtja sociale, shërbimet administrative, shërbimet shëndetësore, infrastruktura, rrugët parësore dhe dytësore për në fshatra, mënyra e komunikimit dhe teknologjia e informacionit nëpër këto fshatra e bëjnë jetesën për moshat e vjetra apo për grupmoshat e tjera dhe për moshat e reja, e bëjnë të pamundur jetesën nëpër këto zona. Këto janë një sërë arsyesh që kanë çuar në braktisje masive apo në atë që quhet shpopullim, apo në depopullizimin e këtyre zonave.”- argumenton Haxhimali.


Çfarë duhet bërë në mënyrë emergjente për të zgjidhur këtë fenomen me kaq shumë pasoja?


“ Ky problem duhet të zgjidhet nga bashkia, institucionet dhe agjencitë rajonale apo qeveria qëndrore, të cilat duhet të ndërhyjë në mënyrë më të shpejtë dhe më urgjente për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi kaq të madh, që lidhet me braktisjen e fshatrave dhe të qyteteve. Për mendimin tim, ajo që duhet të bëjë politika është që të ndjekë disa strategji me një vizion të qartë, që kryesisht duhet të lidhen me një qasje tjetër të krijimit të kushteve për jetesën në këto fshatra. Unë e kuptoj fare mirë që është krejtësisht e pamundur t’i pengosh njerëzit të mos kërkojnë të drejtën e tyre, liritë e tyre për t’u zhvendosur aty ku ata jetojnë më mirë, por politikat e qeverisë, politikat e pushtetit vendor duhet të lidhen me faktet që ato duhet ta rigjallërojnë dhe ta rikthejnë jetën ekonomike dhe sociale në këto zona të braktisura”, thekson Haxhimali


Per të frenuar ikjen e popullsisë apo “të trurit”, duhet një plan i detajuar sipas Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës së Bashkive.


“Duhet të kenë politika të subvencionimit, politika për kushte sociale dhe strehim social më të pranueshëm, duhet të investojnë në rrugë, në ujësjellësa, në kanalizime. Pra edhe për ata qytetarë që kanë vendosur të jetojnë në këto zona duhet të krijohen kushte optimale për jetesën. Ky është hapi i parë. Hapi i dytë, duhet të bëhen politika të tilla që të nxisin rikthimin dhe interesin e njerëzve që janë shpërngulur prej disa vitesh, apo atyre që janë shpërngulur brenda Shqipërisë apo jashtë saj, apo që kanë tendencën dhe interesin për t’u rikthyer për të zhvilluar vendin e tyre dhe kryesisht për mua në dy sektorë” shprehet drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive Haxhimali


Migrimi i brendshëm në Shqipëri (Start News)

Migrimi i brendshëm në Shqipëri (Start News)

Sipas tij, në sektorin e zhvillimit të turizmit, qeveria duhet të ketë politika stimuluese për ata që duan të investojnë për turizmin në këto zona të braktisura Po ashtu sipas tij, duhet të ketë politika stimuluese edhe në bujqesi për zonat ku është më i theksuar emigrimi.


“Për cilindo që ka interes të zhvillojë sektorin e bujqësisë në këto zona, kryesisht në bujqësi apo në blegtori apo në të gjitha agregatet që lidhen me zhvillimin ekonomik bujqësore dhe rural, në sektorin e pyjeve në këto zona, cilido institucion duhet të ketë poltika stimuluese, të jenë më atraktive, të tërheqë investitorët dhe të shpërngulurit. Në këtë mënyrë ne mund ta ringjallim jetën ekonomike në këto zona të braktisura, pavarësisht faktit që ne kurrë nuk duhet të mëndojmë t’i mbajmë qytetarët atje, pasi ata janë të lirë të lëvizin ku të duan”, thotë Haxhimali


Me shqetësim shihet edhe lëvizja e njerëzve nga zonat e thella në zonat urbane, për të kërkuar më të mirën e tyre.


“ Kjo lëvizje vë në vështirësi dhe po i gjen në mënyrë të papërgatitur qytetet e mëdha dhe zonat urbane. E them këtë për të bërë një apel edhe për bashkitë e mëdha siç është Tirana, Durrësi, Shkodra apo Vlora që janë qytete me një tendencë popullimi shumë të madhe. Ato duhet të jenë të përgatitur për të pritur flukse të tilla, të jenë të përgatitur për të akomoduar apo për t’ju hapur mundësi të reja për biznese këtyre flukseve, këtyre qytetarëve, që vijnë nga zonat e thella të Shqipërisë. Duhet të ketë një strategji të qartë, apo një plan veprimi shumë të qartë sesi ato do priten apo si duhen ato për t’u edukuar dhe për t’u ndërgjegjësuar, me qëllim që të kenë një jetë të njëjtë me qytetarët autoktonë” – thekson Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive.