Kompania e vetme shtetërore në tregun e sigurimeve “INSIG” u privatizua në vitin 2016 nga sipërmarrësi Kadri Morinaj, me një vlerë prej 16.1 milionë euro. Po kjo nuk ishte kompania e vetme që Morinaj kishte në zotërim. Ai gjithashtu është themelues dhe pronar i kompanisë “Eurosig”. Është domethënës fakti që “INSIG”, që themeloi tregun shqiptar të sigurimeve u ble prej një prej bijave të saj “Eurosig”. Dalja në shitje në atë kohë e “INSIG” u bë disa here, por qeveria nuk ra dakort me ofertat e paraqitura. Ishte maji i vitit 2016 që shënoi dhe finalizimin e këtij procesi, ku u nënshkrua kalimi 100% i aksioneve të shoqërisë shtetërore të sigurimeve “INSIG” tek kompania “Eurosig”, e cila paraqiti ofertën më të mirë.

Biznesmeni Kadri Morinaj drejtues i INSIG

Biznesmeni Kadri Morinaj drejtues i INSIG

A bëri mirë sipërmarrësi Morinaj që bleu këtë kompani dhe si është ecuria sot kur “INSIG” ka shënuar 30 vite në treg? Në rrëfimin e tij për Radio Ejani Morinaj thotë se gjendja në të cilën u mor në dorëzim “INSIG” në atë kohë ishtë e mjerueshme, madje më keq se sa ishte paraqitur nga autoritetet dhe është dashur një punë kolosale për të arritur në shkelqimin që gëzon sot.

“Në një moment të caktuar kur u mor vendimi, pasi “INSIG” kishte dalë dy herë në privatizim dhe nuk ishte shitur, për shumë arsye, edhe ky moment pati kostot e veta për arsye se në kohën e privatizimit qeveria shqiptare kishte lënë vetëm një muaj kohë për diligjencë dhe të them të drejtën e mbajta shumë sekret dhe hyra duke mos e kontrolluar mirë. Por “INSIG” kishte një emër dhe është një markë, e cila besoj që do të trashëgohet në breza. Hyra në tender, aty ishte një konkurrencë shumë e fuqishme. Pothuajse ishin biznesmenët dhe kompanitë më të mëdha që morën pjesë në tender dhe fati i mirë i qeverisë shqiptare ishte që unë dhashë një shumë mbi çmimin e kryesuar, që ishte nga 11 në 15 milion euro, kurse unë dhashë 16 milion e 100 mijë euro. Pra dhashë ofertën më të mirë dhe e shquaj si privatizimi më i suksesshëm në 30 vitet e qeverisë shqiptare.

Sfidat ishin të mëdha, nuk gjeta atë “INSIG” që unë mendoja, në një gjendje shumë të rënduar ekonomike, pasi “INSIG” Kosova ishte në një situatë tej mase të tmerrshme, ku pasi ne bëmë diligjencën tonë doli që kompania kishte minus 20 milion euro dëm të paraportuar. Situata ishte shumë e rëndë, unë e kisha blerë, s’kisha cfarë t’u thoja klientëve dhe askujt. Atëherë morëm një iniciativë, shikuam kompaninë në Maqedoni, në Kosovë dhe në Shqipëri. “INSIG” në Shqipëri ishte mirë, dmth nuk kishte probleme, po ashtu kishte dhe kompaninë e jetës. Atëherë u mblodhëm me menaxhmentin, bëmë një analizë të mirëfilltë dhe vendosëm që “INSIG” Maqedoninë ta vazhdojmë pavarësisht se kishte probleme, por më të vogla, ndërsa me “INSIG”Kosovën në bashkëpunim me Bankën e Kosovës arritëm që të çojmë në falimentim “-thotë Morinaj

Duket se periudha e errët tashmë ka kaluar dhe aktualisht shifrat janë pozitive, duke shënuar një rritje vjetore prej 25 %.

“Tashmë nga viti 2017 e këtej “INSIG” ka ecur me hapa gjigante në krahasim me çfarë ka qenë. Rritja ka qenë rreth 20 deri në 25% në vit në krahasim me çka ka qenë përpara dhe sot është një kompani dinjitoze, që pret sfidat e të ardhmes së bashku me motrën e saj “Jeta” dhe kuptohet me udhëheqjen e kompanisë “Eurosig” që është “mama” që i ka lind të gjitha këto kompani, duke filluar me “Eurosig” Kosovën, me “INSIG”,”INSIG Jeta” dhe Insig jo-jetën. Deri tani ka qenë performancë e shkëlqyer. Banka Botërore edhe FMN-ja dy vitet e fundit janë shprehur se nuk e besonin që “INSIG” do të ecë në këto parametra. Kjo ka qenë në sajë të punës kolosale, menaxhimit të drejtuesve deri dhe tek agjenti, të cilët kanë punuar me përkushtim, me korrektësi dhe me dinjitet që ne të jemi në çdo kohë ashtu siç na e ka dhënë ligji në shërbim të interesit publik dhe të policmbajtësve. “- theksoi biznesmeni Morinaj.

Së bashku grupi i sigurimeve “INSIG” dhe “Eurosig” gëzojnë një numër të lartë klientësh, duke numëruar sot plot 1 milion klientë (kontrata) në vit. Ashtu siç dhe ka sloganin, “I madh dhe i sigurt”, “INSIG” ka si mision të tij sigurinë për konsumatorin, për klientët e tij me një gamë shërbimesh si sigurimi i jetës, sigurimi i shëndetit, sigurimet motorrike, sigurimi gjatë aksidenteve, sigurimi i pronës, sigurimi nëpër udhëtime, sigurimi i përgjithësisë dhe së fundmi edhe sigurimi risi i përgjegjësisë për profesione të caktuara.

Shqetësues mbetet pjesa e mungesës së ndërgjegjësimit vullnetar të qytetarëve.

“Rënia e tregut të sigurimeve është fatkeqësi për Shqipërinë, pasi janë 70% sigurimi motorrik, i cili është i detyrueshëm, ndërgjegjësimi është shumë i vogël edhe pse ndodhën shumë ngjarje, siç ishin dy tërmetet pastaj pandemia globale. Pak shqiptarë janë të interesuar dhe Shqipëria është vendi i fundit në rajon pas Kosovës për sigurimet. Në qoftë se Mali i Zi ka 600 mijë banorë ka një xhiro totale rreth 200 milion euro në vit, kurse Shqipëria me 2 milion e 800 mijë banorë shkon deri në 130 milion euro”, nënvizon Morinaj.

Nuk mbyllet me kaq. Blerja e rradhës e sipërmarrësit shqiptar Kadri Morinaj është Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA BANK).

“Edhe UBA Bank si “INSIG” në 92-shin është liçenca e parë e bankës private në Shqipëri, që është dhënë në 94’-ën dhe më koincidoi që të marr unë bankën e parë private në Shqipëri, duke plotësuar kështu një ëndërr timen, pasi unë e kompletova grupin me kompanitë e sigurimit të cilat janë bashkëmotra me bankat, kanë të njëjtin unison. Gjeta një marrëveshje të mirë me ADB, Banka e Zhvillimit Islamik ku janë aksionerë 28 shtete dhe para një muaji morëm paketën kontrolluese”, bën të ditur në intervistën për CMG, biznesmeni i njohur shqiptar Kadri Morinaj.