një piktor në lagjen Bakuo të Lhasës

një piktor në lagjen Bakuo të Lhasës

Në lagjen Bakuo të qytetit Lhasë, ndodhet një oborr tradicional tibetian me një histori prej mbi 200 vjetësh. Brenda këtij oborri, dhjetëra zejtarë janë mbledhur për të krijuar thangka, një lloj pikture tibetiane.

25-vjeçari Suolangluola nga qyteza Dingqing e Changdu të Xizang-ut po krijon një thangka që ndryshon nga veprat e zakonshme. Kjo në fakt është një vepër me qëndisje e bërë nga pothuajse 10 veta, ndër të cilët përfshihet edhe Suolangluola.

Në një kanavacë të bardhë dy metra të gjatë dhe 55 metra të gjerë, afro një mijë piktura fatsjellëse me përmasa dhe ngjyra të ndryshme janë përmbledhur në një vepër thangka me ngjyra të bukura, që duket si një pikturë tredimensionale.

krijimi i thangkasë

krijimi i thangkasë

Kjo mënyrë e pikturimit të thangka-së quhet duixiu (qëndisje dhe ngjitje e sendeve në kanavacë). Ky në fakt është një art tradicional tibetian që integron zejtarinë dhe teknikat vendore të pikturës tibetiane. Historia e këtij lloji thangka-je është qindravjeçare dhe përmbajtjet kryesore janë mbi fenë, kulturën dhe historinë. Në vitin 2021, thangka-ja duixiu u përfshi në listën e 5-të të trashëgimeve kulturore jomateriale simbol të Kinës.

“Për të bërë një thangka të tillë duhen afro dy vjet. Për arsye të bukurisë së veçantë dhe vlerës së lartë artistike, oferta nuk e përmbush kërkesën e tregut,” thotë Suolangluola.

Pas mbarimit të shkollës fillore, ai shkoi për punuar si blegtor në vendlindje dhe me mbështetjen nga qeveria vendore, erdhi në Lhasë për të mësuar mjeshtëri tradicionale. Tani, të ardhurat e tij mund të arrijnë në 5000 juanë në muaj. Thangka-ja e ka ndryshuar jetën e tij.

thangka tërheq shumë vizitorë

thangka tërheq shumë vizitorë

Shkolla e pikturës thangka, ku po punon Suolangluola, është krijuar në vitin 2013. Kjo shkollë është baza e trashëgimive jomateriale të Rajonit Autonom të Xizang-ut dhe deri tani ka përgatitur mbi 100 fëmijë prej familjeve të varfra të këtij rajoni.

Tani në Xizang numri i personave që merren me pikturën thangka arrin mbi 3000 veta, ndërsa numri i atyre që punojnë në sektorë të lidhur me këtë biznes i ka kaluar 10 mijët. Biznesi i thangka-së ka mbuluar zona të shumta, si Lhasë, Rikaze, Changdu, Shannan etj., dhe vlera e përgjithshme e tij arrin mbi 200 milionë juanë.

Në fakt, sektori i thangka-së është vetëm një pjesë e zhvillimit të Xizang-ut. Gjatë 10 vjetëve të kaluar, falë mbështetjes së fortë dhe drejtimit aktiv, trashëgimitë jomateriale në Xizang kanë pasur zhvillim të madh, duke nxitur edhe zhvillimin rural e pasurimin e fshatarëve.

Të dhënat nga Drejtoria Kulturore e Xizang-ut tregojnë që, qysh nga viti 2006, qeveria qendrore kineze ka investuar mbi 200 milionë juanë dhe qeveria e Rajonit Autonom të Xizang-ut afro 96 milionë juanë për mbrojtjen e trashëgimive jomateriale simbol në rang kombëtar dhe në rang rajonal, regjistrimin urgjent të trashëgimtarëve përfaqësues në rang kombëtar, trajnimet e trashëgimtarëve dhe mbështetjen për veprimtaritë promovuese.

një piktor në lagjen Bakuo të Lhasës

një piktor në lagjen Bakuo të Lhasës

Deri tani, epika e mbretit Gesar, opera tibetiane dhe mjekësia tibetiane janë përfshirë në listën e trashëgimive kulturore jomateriale të OKB-së. Krahas tyre, 106 projekte, si thangka-ja duixiu, janë përfshirë në listën kombëtare të trashëgimive jomateriale dhe 96 persona janë caktuar si trashëgimtarë përfaqësues të trashëgimive jomateriale në rang kombëtar.

Deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2021, prania e 120 punishteve të trashëgimisë jomateriale në mbarë rajonin e Xizang-ut ka nxitur punësimin e drejtpërdrejtë të 3053 pjesëtarëve prej 2271 familjeve, e të ardhurat për frymë kanë arritur mbi 3200 juanë në muaj.

opera tibetiane

opera tibetiane

Në Xizang zhvillohen shumë aktivitete për promovimin e trashëgimive jomateriale. Sezoni i 4-t i shfaqjeve të operës tibetiane ka përfunduar ditët e fundit dhe është vlerësuar gjerësisht nga qarqet e ndryshme. Gjatë tre muajve, parku Longwangtan që ndodhet prapa Pallatit Potala, është bërë “dritare” për promovimin e trashëgimive kulturore jomateriale dhe për mbështetjen e lulëzimit rural të Xizangut. Ky park është edhe “arena e artit”, ku japin shfaqje artistike 153 grupet e operës tibetiane të organizuara nga vendësit.

Çdo herë kur shfaqen opera tibetiane, dashamirët e operës, qytetarët e Lhasës dhe turistët nga krahinat e tjera mund të kalojnë kufirin e kohës dhe gjuhës, duke shijuar këtë art të veçantë me muzikë dhe koreografi të lashtë.

“Çdo shfaqje zgjat afro tetë orë. Jam shumë i kënaqur që shikuesit e pëlqejnë shumë,” thotë drejtori i trupës së operës tibetiane të fshatit Cuomai të distriktit Duilongdeqing, Labaciren. Ai bën të ditur që “tani, përveç festave tradicionale, marrim gjithnjë e më shumë ftesa për shfaqje në ditët e zakonshme”.

opera tibetiane

opera tibetiane

Pas skenës së operës tibetiane, bëhen edhe ekspozimi dhe shitja e mallrave të trashëgimive kulturore jomateriale, si temjani tibetian dhe barnat tibetiane.

Gjatë aktivitetit “Dita e trashëgimive kulturore e natyrore 2021”, 80 kompani dhe punishte të mallrave të trashëgimive kulturore kanë marrë pjesë në “tregun e trashëgimive kulturore”, duke shitur mallra me vlerë prej 5.74 milionë juanësh. (Jiang Lei)