Saranda (Ionian Cruises)

Saranda (Ionian Cruises)

Pas një vizite katër ditore në Shqipëri, që përfshiu Tiranën dhe rivierën shqiptare një nga gazetaret më të njohura të turizmit në Francë, Saliha Hadj-Djilani i ka kushtuar një reportazh turistik Shqipërisë. Tashmë për Shqipërinë dhe bukuritë e saj natyrore janë të shumta komentet e mediave të huaja, por në kushtet e pandemisë, gazetarja franceze e ka krahasuar bregdetin shqiptar me Ibizën. Kjo ka tërhequr dhe vëmendjen e kryeministrit Edi Rama, i cili ka ka publikuar reportazhin e gazetares franceze, që nga kryeqyteti deri në Palasë e Dhërmi, ndërsa ka nënvizuar në një postim në mediet sociale se gazetarja e famshme franceze, Saliha Hadj Djilad, njihet si promovuese e destinacioneve më tërheqëse të botës. Promovimin e Shqipërisë turistike, gazetarja franceze e ka argumentuar dhe me faktet se:

-Në Shqipëri hyhet pa vizë

-Turistëve nuk u kërkohet certifikatë vaksinimi, as test PCR

-Maskat nuk janë të detyrueshme

-Për të frekuentuar bare, restorante, apo mjedise të tjera nuk kërkohet green pass

Gazetarja franceze dhe kryeministri Edi Rama

Gazetarja franceze dhe kryeministri Edi Rama

Sipas gazetares franceze në Shqipëri kriza pandemike është administruar mjaft mire dhe për këtë arsye ky vend duhet të vizitohet nga turistët.

INSTAT dhe bilanci i sezonit veror 2021

Ndonëse jemi në mes të gushtit, muaj kur shqiptarët shijojnë plazhet apo stacionet e tjera turistike, ndërsa të tjerë do të pushojnë gjatë shtatorit, Instituti i Statistikave ka publikuar disa shifra optimiste lidhur me sezonin e sivjetëm veror.

Sipas INSTAT në qershor kanë hyrë në Shqipëri 604 mijë shtetas të huaj, sipas INSTAT. Në krahasim me të njëjtin muaj të 2020-s, kur vendi ishte në pandemi, shifra është 3.4 herë më e lartë.

Në një vëzhgim të kryer nga revista “Monitor” mësojmë të dhënat e fundit nga stacionet më të frekuentuara turistike në Shqipëri.

Plazhi i Durrësit, sezon i mbarë, frekuentimi i lartë

Plazhi i Durrësit, më i madhi në vend edhe këtë sezon mbetet më i frekuentuar në të gjithë vijën bregdetare shqiptare. Kjo ka të bëjë edhe me shtrirjen dhe mundësinë që ka ky qytet për të ofruar turizëm masiv dhe të organizuar. Ky plazh tradicionalisht frekuentohet nga turistë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por këtë sezon janë rikthyer dhe turistët polakë.

Administratorët e hoteleve në plazhin e Durrësit janë shprehur për “Monitor” se për korriku i këtij viti ka qenë shumë më i mirë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Korriku ka shënuar frekuentim më të lartë të turistëve të rajonit si nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia apo Bosnjë-Hercegovina, ku pjesën më të madhe e zënë turistët e Kosovës.

Tursistët vendës nuk e shohin Durrësin si destinacion pushimesh, por vetëm ditor apo në fundjavë dhe kjo e shtrirë gjatë gjithë vitit dhe jo gjatë verës.

Lidhur me çmimet, vëzhgimi i “Monitor” thekson se janë rritur këtë vit, duke reflektuar politikat agresive që morën hotelet me 4-5 yje në zonën e Durrësit, të cilët për shkak të pandemisë, ofruan oferta me ulje drastike. Këtë vit, duke qenë se kërkesa është më mirë se në 2020, çmimet normalisht janë rritur në raport me një vit më parë. Sa i takon ecurisë së përgjithshme të turizmit për Durrësin, viti 2021 cilësohet si një vit mjaft i mirë, me një ulje vetëm 20% në raport me vitin 2019, kur pandemia nuk ishte në horizont.

Bregdeti i Vlorës

Bregdeti i Vlorës

Plazhi i Vlorës me frekuentim më të ulët deri në korrik

Vlora, edhe këtë vit, ka pasur investime dhe hyrje në treg të strukturave të reja akomoduese, por frekuentimi duket se ka qenë i dobët deri në korrik në raport me pritshmëritë. Operatorët turistikë e lidhin këtë me mungesën e italianëve që kanë qenë të rregullt si vizitorë viteve të fundit, shkruan “Monitor”.

Sa u takon grupeve të tjera të të huajve, në Vlorë këtë sezon kanë qenë të pranishëm turistët ukrainas, ata bjellorusë, si dhe shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Pas një sezoni të vështirë në vitin 2020, kur shumica e sektorit tentoi të mbijetonte me çdo kusht duke u qasur më shumë tek ofertat, këtë vit në Vlorë vihet re se ka një rritje të çmimeve, që shkon mesatarisht në 10%.

Plazhi i Himarës

Plazhi i Himarës

Himara çmimet në disa zona 20% më të larta se vjet

Nga qershori dhe deri në fillim të korrikut kishte më shumë rezervime të fundjavës, ndërsa gushti është piku dhe strukturat akomoduese janë thuajse të gjitha të rezervuara. Turistët janë kryesisht vendas dhe nga Kosova. Sa u takon të huajve, kryesisht kanë qenë në numër të paktët, për shkak të kufizimeve, por nuk mungojnë plotësisht. Lidhur me çmimet në përgjithësi nga tur-operatorët vihet re se ka një rritje 10-20%.

Për plazhe si Dhërmiu, rritja është me 20% në struktura akomoduese ku mesatarja luhatet mes 80-100 euro për struktura të vogla familjare, kurse në hotele më të mëdhenj dhe me emër në këtë zonë, dhomat variojnë mes 150-200 euro në gusht.

Zona e Jalit, prej vitesh, operon mes dy ndarjeve ekstreme në çmime. Me një kapacitet të kufizuar akomodues, të ndarë mes një strukture luksoze me vila, disa hoteleve të vogla dhe shtëpi të kthyera me funksion akomodimin, çmimet variojnë mes 60-280 euro nata në gusht. Qeparoi, nga ana tjetër, të ofron mundësinë për të bërë plazh më ekonomik. Mund të gjesh dhoma edhe me 35 euro nata, kurse në Borsh, mesatarisht çmimet luhaten mes 50-80 eurove për struktura të mirëfillta hoteli.

Bregdeti i Sarandes (Booking.com)

Bregdeti i Sarandes (Booking.com)

Saranda rrit çmimet 30-40% nga kërkesa

Saranda, këtë vit, është e dyta pas Durrësit që duket se po përjeton një sezon të mirë turistik, me një rritje të dukshme në raport me vitin paraardhës kur pandemia e penalizoi, me kërkesë më të ulët. Duke nisur nga 15-ditëshi i dytë i korrikut, hotelet janë të gjithë plot dhe pritshëmritë janë që edhe gushti të jetë i tillë.

Saranda e nisi sezonin me çmimet e ulura të një viti më parë, por më pas kërkesa e rritur duket se çoi në një rritje 30-40% më shumë në raport me një vit më parë” , thekson vëzhgimi i “Monitor”. Saranda në këtë sezon ka pritur kryesisht turistë nga Ukraina, Bjellorusia, Rusia, ndërsa turistët serbë janë më dominues. Thuajse të gjithë plazhet janë plot përgjatë Sarandës dhe Ksamilit dhe çmimet në restorante dhe shezlone janë njëlloj si në vitin 2019.

Plazhi i Shengjinit

Plazhi i Shengjinit

Shëngjini një vit i mire turistik

Shëngjini, pavarësisht një viti më të mirë turistik në 2021, sërish nuk është në nivelet e para pandemisë. Strukturat raportojnë se arritja e plotësimit të kapaciteteve 100% nuk ka qenë e mundur në asnjë moment të sezonit dhe nuk pritet të arrijë në këto nivele as në gusht, që gjithsesi duhet thënë parashikohet të kapë nivelet 85-90%.

Nga totali i turistëve, që nuk janë vendas 90% janë nga Kosova, por edhe nga Italia, Gjermania, Rusia, në numër të kufizuar.

Plazhi i Velipojës (Shkodra info)

Plazhi i Velipojës (Shkodra info)

Velipoja, rritje e frekuentimit

Vizitorët kryesorë përveç vendësve mbeten ata nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Zakonisht turistët kanë një qëndrim mesatar 5-ditor në hotel. Velipoja ka pasur përgjithësisht në korrik një nivel rezervimesh tek 80% në një pjesë të hoteleve, ndërkohë që për gushtin zënia e dhomave pritet të arrijë në 90%.

Ky është një bilanc i papërfunduar i sezonit turistik veror, pasi Shqipëria, për shkak të motit me diell, ofron frekuentim të plazheve deri në fund të shtatorit. Gjithësesi deri në mes të gushtit stacionet turistike janë në kapacitetet e tyre dhe atmosfera është thuajse si çdo verë, pavarësisht pandemisë, që nuk është larguar plotësisht.

Eda Merepeza