Më 4 qershor në Oksford, ministrat e Shëndetësisë të vendeve të G7-s nënshkruan një deklaratë që përcakton udhëzimet që do të miratohen në përgjigje të emergjencave të ardhshme shëndetësore me rëndësi globale. Deklarata adreson çështje të tilla si boshllëqet e konsiderueshme në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe shumë nga kërcënimet e mundshme për shëndetin e njeriut.

Samiti G7, në Britani

Samiti G7, në Britani

Në kontrast të plotë me paralajmërimet e shumta nga komuniteti shkencor dhe OBSH-ja, rezistenca antimikrobike rrallëherë ka qenë deri tani subjekt i shqetësimit të vërtetë. Megjithatë, pa antibiotikë për të parandaluar infeksionet bakteriale, mjekësia moderne siç e dimë rrezikon të bëhet joefektive.

Deklarata e Oksfordit paraqet një hap përpara, sigurisht të domosdoshëm, por jo të mjaftueshëm, duke pasur parasysh madhësinë e problemit. Një vështrim mbi dy krizat e mëdha aktuale, pandemia Covid-19 dhe ndryshimi i klimës, mund të ndihmojë për të kuptuar pengesat që kufizojnë bashkëpunimin midis shteteve në adresimin e çështjes së rezistencës antimikrobike.

Në vitin 2019, OBSH-ja e renditi rezistencën antimikrobike, aftësia e baktereve, viruseve dhe kërpudhave për të ndryshuar me kalimin e kohës dhe për të dhënë infeksione që nuk i përgjigjen antibiotikëve/ antiviraleve/antifungaleve ekzistuese, ndër dhjetë kërcënimet më të rrezikshme për shëndetin publik botëror, së bashku me ndryshimet klimaterike dhe pandemitë e gripit.

Që bakteret, viruset dhe kërpudhat mund të shndërrohen për t'i rezistuar më mirë antimikrobikëve dhe të bëhen supermikrobe është një fenomen natyror që ndjek një logjikë të lashtë të evolucionit të specieve. Në një farë mënyre, rezistenca antimikrobike (AMR) është e pashmangshme.

Megjithatë, komuniteti shkencor dallon rezistencën që rrjedh nga ekspozimi i qëllimshëm dhe i justifikuar ndaj antimikrobikëve në rastet kur ato në të vërtetë përfaqësojnë terapinë e zgjedhur, nga ajo që rrjedh nga një përdorim i pasaktë dhe i papërgjegjshëm i të njëjtit lloj. Lloji i dytë i rezistencës është veçanërisht shqetësues kur bëhet fjalë për antibiotikët.

Rezistenca antimikrobike, kërkimi dhe zhvillimi i përbërsve të rinj aktivë

Rezistenca antimikrobike, kërkimi dhe zhvillimi i përbërsve të rinj aktivë

Antibiotiku i parë në histori, penicilina, u zbulua në vitin 1928 nga mjeku skocez Alexander Fleming. Vetë Flemingu, duke tërhequr çmimin “Nobel” në Mjekësi, në 1945, paralajmëroi komunitetin shkencor për mundësinë që abuzimi i kësaj kategorie të barnave në fakt mund të kompromentonte në mënyrë të pandryshueshme kontributin e tyre në mjekësinë moderne.

Pa antibiotikë efektivë, çdo infeksion do të bëhej më i vështirë për t’u shëruar. Përqindja e rrezikut që shoqërohet me ndonjë operacion do të bëhej shumë e lartë. Trajtimet me kimioterapi, thelbësore për pacientët me kancer, por shumë imunodepresive, mund të bëhen jopraktike.

AMR nuk përfaqëson një kërcënim në të ardhmen, por një emergjencë konkrete të së tashmes. Rishikimi mbi rezistencën antimikrobike të kryer në vitin 2016 nga ekonomisti Jim O'Neill për qeverinë britanike vlerëson se, nëse kjo prirje vazhdon e pandryshuar, deri në vitin 2050 AMR mund të kushtojë 10 milionë jetë në vit, kundër 8.2 milionë vdekjeve nga kanceri dhe 1.2 milionë vdekjeve nga aksidentet rrugore.

Kostot shumë të larta njerëzore të AMR shoqërohen më pas me ato ekonomike. Pa antibiotikë dhe antimikrobikë të tjerë efektivë, kostoja dhe kohëzgjatja mesatare e kujdesit mjekësor do të rritet në mënyrë të pashmangshme, duke rritur në mënyrë eksponenciale shpenzimet kombëtare për shëndetin publik.

Autorët e studimit vlerësojnë gjithashtu se globalisht humbjet ekonomike direkte dhe indirekte që i atribuohen rezistencës antimikrobike në periudhën midis viteve 2015 dhe 2050 mund të arrijnë në rreth 100 trilionë dollarë.

Komuniteti shkencor ka ftuar udhëheqësit botërorë të investojnë në kërkimin dhe zhvillimin e antibiotikëve të rinj dhe për të promovuar një përdorim më të përgjegjshëm të antimikrobikëve ekzistues në mënyrë që të ngadalësohet progresi i AMR-së. Që nga viti 1984 është zbuluar vetëm një klasë e re e antibiotikëve.

“UK Review” vlerëson se gjatë dhjetë viteve të ardhshme do të kërkohet një investim prej rreth 42 miliardë dollarësh për të shmangur skenarin katastrofik të 10 milionë vdekjeve në vit deri në vitin 2050. Nëse kriza e rezistencës antimikrobiale përbën një kërcënim të tillë për njerëzimin dhe nëse është e qartë se cilat masa duhet të merren për të parandaluar një katastrofë të vërtetë, ekspertët ngrenë pyetjen se çfarë e pengon bashkësinë ndërkombëtare të bashkëpunojë për t'iu kundërvënë AMR-së.

Rezistenca antimikrobike, kërcënim për shëndetin botëror

Rezistenca antimikrobike, kërcënim për shëndetin botëror

Për të luftuar në mënyrë efektive rezistencën antimikrobike, komuniteti ndërkombëtar duhet të krijojë një mekanizëm global për të investuar në kërkimin dhe zhvillimin e përbërësve të rinj aktivë dhe në të njëjtën kohë të nënshkruajë një marrëveshje që kufizon dhe rregullon përdorimin e antibiotikëve ekzistues në shkallë globale. Progresi i bërë deri tani në të dy drejtimet nuk ka arritur nivelet e nevojshme për të parandaluar skenarin e 10 milionë vdekjeve në vit.

Ashtu si me rregullimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit në luftën kundër ndryshimeve klimaterike, bashkërendimi i veprimit global për të zvogëluar përdorimin e antibiotikëve ekzistues është shumë kompleks. Së pari, ekziston një hendek i madh në qasjen në antibiotikë dhe antimikrobikë të tjerë midis vendeve më të pasura, me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Ndërsa vdekjet e lidhura me rezistencën ndaj antibiotikëve mbizotërojnë në vendet e pasura, në ato me të ardhura më të ulëta numri i njerëzve që vdesin nga një infeksion bakterial është shumë më i lartë, pasi u mungon qasja në antibiotikët e nevojshëm për ta trajtuar atë.

Paralelet midis emergjencës së klimës dhe asaj që lidhet me AMR janë të dukshme. Të dyja krizat nxjerrin në pah hendekun midis vendeve të pasura dhe më të varfra dhe faktin që kostot e ardhshme të politikave dritëshkurtër nënvlerësohen sistematikisht në krahasim me përfitimet e menjëhershme. Për më tepër, të dyja krizat do të kërkonin një ndryshim të papritur të drejtimit në vendimet e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, i cili sidoqoftë mund të anulohej në rast abstenimi ose kundërshtimi nga një prej shteteve pjesëmarrëse.

Sidoqoftë, ndryshe nga çfarë ndodh për krizën e klimës, për AMR-në sistemet e mbledhjes dhe monitorimit të të dhënave janë ende të pazhvilluara dhe për këtë arsye për komunitetin shkencor është e vështirë të përshkruash një pamje të plotë të situatës, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta.

Atëherë është e natyrshme të krahasosh krizën AMR me pandeminë që po përjetojmë muajt e fundit. Covid-19 ka treguar se si emergjencat shëndetësore në të gjithë botën mund të testojnë edhe shtetet me sistemet më të mira të shëndetit publik. Kjo duhet të shërbejë si paralajmërim për bashkësinë ndërkombëtare për të investuar më shumë dhe më mirë në sistemet e monitorimit dhe parandalimit.

Përgatiti: Irma Paloli