Kushdo që jeton në Shqipëri në muajin korrik mund të ketë vënë re një rritje të shërbimeve të disa mallrave dhe produkteve në vend, ku ka rënë në sy shtrenjtimi i ushqimeve dhe karburanteve.

Sipas të dhënave të Instat, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Korrik 2021 është 2,2 %, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 1,4 %. Shifrat tregojnë se ky është niveli më i lartë i inflacionit që nga gushti i vitit 2018, sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa krahasuar me mujin qershor të këtij viti, ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit është 0,1 %. Thuajse të gjitha grupet kanë pësuar një rritje të çmimeve por më i ndjeshëm ka qënë ndryshimi në rritje i çmimit të ushqimeve dhe transportit ku bën pjesë karburanti. Sipas të dhënave të marra në terren në pikat e tregtimit tek konsumatorët final, çmimi i karburanteve muajt e fundit është rritur katër herë, duke u shtrenjtuar me 20 lekë, për të arritur në rreth 170 lekë për litër.

Konkretisht rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,46 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,24 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë pësuar një rritje me +0,13 pikë përqindje. Shërbimet e “Komunikimit” janë shtrenjtuar me 0,09 pikë përqindje. Më pas vijnë grupet Mobilje, pajisje shtëpie ,“Pije alkoolike dhe duhan”. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Më tej në detajimet e Instat thuhet se Çmimet e grupeve “Shëndeti”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili.

Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje.Nëse bëjmë një krahasim me muajin korrik të vitit të kaluar qytetarët kanë shpenzuar më shumë për grupin “Transporti” me 4,4 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,1 %, “Komunikimi” me 2,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,8 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,4 . Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 16,6 %, pasuar nga nëngrupet “vajra”, “fruta”,“qumësht, djathë dhe vezë” “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira”.

Ndërkohë në publikimin më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi vrojtimin për treguesin e ndjesisë ekonomike jepen sinjale për rigjallërim të aktivitetit ekonomik këtë verë pas muajve të zymtë të pandemisë. Kështu treguesi i ndjesisë ekonomie u rrit përsëri në muajin korrik, me 4.1 pikë krahasuar me muajin qershor dhe niveli aktual i tij është 110.4 pikë, cka përbën vlerën më të lartë të katër viteve të fundit. Rritja e Treguesit të ndjesisë ekonomike u përcaktua nga përmirësimi i besimit në të gjithë sektorët e biznesit.

Ndërkohë, besimi konsumator mbeti i pandryshuar nga niveli i muajit qershor. Niveli i tij qëndron ende nën mesataren e vet afatgjatë. Komponentët përbërës të TBK-së shënuan ndryshime me kahe të kundërta. Nga njëra anë, vlerësimi i konsumatorëve për blerjeve aktuale në shuma të mëdha dhe pritjet për to u përmirësuan në korrik; nga ana tjetër, pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike dhe situatën e tyre financiare ranë lehtë. Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 4.3 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet pozitive të bizneseve për prodhmin aktual. Vlerësimi i tyre për kontratat porositëse në total ishte pak më i ulët se ai i muajit qershor, ndërsa ishin më optimistë për rritjen e kontrataveporositëse nga eksportet. Gjithashtu, bizneset e industrisë presin rritje të prodhimit dhe të punësimit në muajt në vijim. Në ndërtim besimi që kanë sipërmarrësit në këtë sector vijoi prirjen rritëse në muajin korrik, duke qëndruar në nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit e ndikuar nga të dy komponentët përbërës: porositë aktuale dhe aktiviteti ndërtues.Edhe besimi në sektorin e shërbimeve regjistroi rritje për të katërtin muaj rresht, duke arritur nivelin më të lartë që nga muaji maj 2018. Tregtia vijoi prirjen rritëse të nisur që nga muaji gusht i vitit të kaluar. Aktualisht ky tregues besimi në tregti shënon nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit.