Intervistë me ekspertin e Zhvillimit të SME-ve, Daniel Guçe

Sipërmarrjet e mesme dhe të vogla në Shqipëri përbëjnë 99.9% të ndërmarrjeve të regjistruara dhe gjithashtu ofrojnë më tepër se 80% të vendeve të punës, duke luajtur në këtë formë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, por gjithashtu dhe në hapjen e vendeve të reja të punës dhe nxitjes së punësimit. Por kjo kategori biznesesh ka edhe mjaft sfida, qoftë në aksesin e ulet në informacione apo edhe vështirësi për të gjetur tregje të reja jashtë Shqipërisë. Pikërisht për t’i dhënë zgjidhje këtyre funksionon prej disa vitesh Instituti Shqiptar i SME-ve, ku synon të krijojë ura të reja lidhëse për bizneset e vogla dhe të mesme në vend.

Eksperti i SME-ve Daniel Guçe

Eksperti i SME-ve Daniel Guçe

Në një intervistë për Radio Ejani, Daniel Guçe Ekspert i Zhvillimit te SME-ve shpjegon edhe bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadën Kineze, e cila ka mbështetur sipërmarrësit e vegjël shqiptarë në trajnime 1 mujore në Kinë, duke marrë shembujt e përkryer në të bërit biznes. Tradita e mbajtjes së Akademisë së SME-ve pritet të vazhdojë edhe më tej.

Ne përfundim të Akademisë ne gjithmonë kemi mbështetur sipërmarrësit për një trajnim njëmujor që është mbështetur nga Ambasada Kineze. Ka qenë një trajnim 1-mujor, i cili le të themi ka qenë një vazhdimësi e Akademisë ose trajnimit që ata kanë marrë për ta konsoliduar atë tek Akademia e Biznesit në Pekin, për të mësuar më shumë në praktika ndërkombëtare, për të parë të ngjashmit e tyre në Kinë sesi kanë arritur nga sipërmarrje mikro që ato të zhvillohen apo për të penetruar në tregje të tjera dhe të bërit biznes në nivel ndërkombëtar. Për 4 vite rresht ne kemi mundësuar trajnimin e më shumë se 15 sipërmarrjeve që kanë dalë fituese nga akademitë ndër vite që të marrin pjesë në trajnimin 1-mujor të organizuar në Akademinë e Biznesit në Pekin dhe kemi njdekur ecurinë e tyre nga këto praktika të marra, sesi ato kanë arritur pastaj në Shqipëri të zhvillohen, të konsolidohen duke patur dhe mbështetjen dhe asistencën e ekspertëve që janë pranë Institutit Shqiptar të SME-ve dhe sa nga këto kompani kanë mundur të eksportojë.” thotë eksperti Guçe.

Trajnim ndërkombëtar

Trajnim ndërkombëtar

Praktikat e ndjekura janë finalizuar me histori sukesi.

“Sigurisht që kemi patur një rezultat shumë të mirë nëpërmjet alumnit që ka krijuar dhe database-t që ka Instituti Shqiptar i SME-ve. Pothuajse kemi një kapital shumë të mirë sipërmarrjesh dhe një numër të konsiderueshëm të krijuar gjatë këtyre viteve si pjesë përbërëse e kësaj organizate, ku herë pas here kemi patur dhe histori suksesi.”

Akademia Verore e Trajnimit SME

Akademia Verore e Trajnimit SME

Edhe këtë vit Akademia e SME-ve pritet të ketë surpriza

“Këtë viti sigurisht që do të jetë edhe viti i pestë që ne do të organizojmë Akademinë e SME-ve. Kemi menduar që ta organizojmë në fund të muajit nëntor, meqenëse muaji nëntor përkon me muajin e SME-ve që Bashkimi Europian e ka quajtur ku secili nga shtetet mund të organizojë evente të organizuar të SME-ve. Pra një javë apo një ditë event, e cila lidhet me këtë sektor. Qëllimi sigurisht do të jetë të synojë zhvillimin e qëndrueshëm të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri, duke ngritur kapacitetet e tyre, duke shkëmbyer ekperienca dhe duke adresuar problematika që ato hasin dhe do të ketë objektivë të ngrejë ‘start-up’-e me të rinj, të cilët dëshirojnë për të realizuar apo për të kthyer pasionet e tyre në një sipërmarrje.”

Eksperte shqiptare gjatë trajnimit në Kinë

Eksperte shqiptare gjatë trajnimit në Kinë

Sipas ekspertit Guçe, synimi i Akademisë për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme është që të ketë lektorë të huaj dhe shqiptarë për të patur një eksperiencë të mirë në të bërit biznes apo të ngriturit një sipërmarrje nga nivel kombëtar në nivel ndërkombëtar.

“ Këtë vit sigurisht që kurrikula do të jetë e përshtatur dhe me nevojat e sipërmarrjes, duke parë që kaluam dhe një vit të vështirë pandemie dhe shumë sipërmarrje kaluan nga aktiviteti i tyre fizik në tregtinë online. Do të jetë e fokusuar tema tek eksporti, për përgatitjen e kompanive që duan të eksportojnë me bazat se çfarë ju duhet fillimisht për të qenë një kompani eksportuese. Disa nga temat do të jenë mjedisi i eksportit të shërbimeve dhe produkteve, gatishmëria e sipërmarrjeve për shërbime eksporti, kërkimi i tregut, përdorimi i burimeve të internetit. Gjithashtu do të ketë institucione shqiptare të cilat lidhen drejtpërdrejt me eksportin siç është Dogana, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Marka, Patentat dhe Pronësia Industriale, plani i marketingut dhe shitjes së eksportit, komunikimi ndërkulturor, certifikimi i kompanive ISO, menaxhimi i projekteve, elemente të tjera të burimeve njerëzore dhe pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare.”,shprehet eksperti

Kurset e trajnimit të shqiptarëve në Kinë

Kurset e trajnimit të shqiptarëve në Kinë

Instituti Shqiptar i SME-ve ofron asistencë për ata që sot kanë një biznes, por edhe për start up-et.

“Sipërmarrjet e mesme dhe të vogla paraqesin një nivel të ulët informacioni për shumë aspekte të operimit të tyre, ndërkombëtarizimit apo të të drejtave dhe mundësive që u ofrohen nga politikat e qeverisë. Gjithashtu ka mungesa komunikimi dhe urash bashkëpunimi midis palëve për të referuar problematikat dhe format e përmirësimit të këtij sektori. Si një entitet që punon ngushtë me sipërmarrjet e mesme dhe të vogla, Instituti Shqiptar i SME-ve prej disa vitesh me anë të bashkëpunimit me organizata apo biznese ka arritur të zhvillojë Akademinë e SME-ve. Për gjatë 4 ditësh sipërmarrje të mesme dhe të vogla, por edhe të rinj që kanë dëshirë të hapin sipërmjarrjet e tyre dhe duan të informohen më tepër, mblidhen se bashku dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, politikbërësve, eskpertëve të fushës dhe përfaqësuesve të bizneseve mblidhen së bashku me qëllim ngritjen e kapaciteteve të tyre, shkëmbimin e eksperiencave të tyre dhe adresimin e problematikave që hasin te politikbërësit”, thotë Guçe.

Shkëmbim përvoje në Akademinë Verore SME

Shkëmbim përvoje në Akademinë Verore SME

Sipas drejtuesve të Institutit Shqiptar të SME-ve programi i siguron sipërmarrjeve njohuri themelore mbi praktikat e biznesit ndërkombëtar në veçanti me ato të Bashkimit Europian, procedurat e eksportit, barrierat tregtare, cilësinë e produkteve CE dhe standardet e markës, marrëveshjet e tregtisë së lirë, marketingun, qasjen e financave në varësi të temës së akademisë sipas viteve që ato zgjidhen etj.