Në fund të korrikut, Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës zhvilloi një mbledhje, ku u bënë analiza dhe studime për gjendjen ekonomike të Kinës, duke planifikuar punët ekonomike të vendit në 6-mujorin e dytë.

Kjo mbledhje u zhvillua në një kohë kur ekonomia ndodhet ende në fazën e ndryshimit dhe përballet me gjendjen e ndërlikuar brenda e jashtë vendit. Në 6-mujorin e parë, ekonomia kineze pati rezultate pozitive, duke injektuar gjallëri mëkëmbëse për sektorët e ndryshëm të Kinës, dhe madje edhe për vendet e rajonit dhe të botës.

Në këtë mbledhje, politikëbërësit kinezë bënë parashikime të përgjithshme, si dhe planifikime. Kryetari i Forumit të Kryeekonomistëve të Kinës, Lian Ping analizon që punët ekonomike, sipas sinjaleve të lëshuara nga kjo mbledhje, do të përqendrohen në gjashtë drejtime kryesore.

Së pari, në këtë mbledhje u theksua që tani epidemia e COVID-19 vazhdon të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme, mjedisi i jashtëm po bëhet më i ndërlikuar dhe mëkëmbja ekonomike brenda vendit ende nuk është mjaft e qëndrueshme dhe e balancuar.

Së dyti, në mbledhje u vu në dukje se duhet të bëhen mirë rregullimet makropolitike, me synim që të ruhen mirë vijueshmëria, qëndrueshmëria dhe vazhdueshmëria e makropolitikave për të siguruar ndërthurjen e mirë të makropolitikave të këtij viti dhe atyre të vitit të ardhshëm dhe për garantuar që qarkullimi ekonomik të jetë në një sferë të arsyeshme.

Analistët janë të mendimit që ekonomia kineze ka pasur të dhëna shumë pozitive në 6-mujorin e parë, për shkak të bazës së ulët të krahasimit me vitin e kaluar, në kushtet e ndikimit të rëndë nga epidemia, dhe ka mundësi që në 6-mujorin e 2-të, të dhënat ekonomike të kenë rënie të dukshme. Për këtë arsye, duhet të bëhen mirë koordinimet mes politikave të sivjetshme dhe vitit të ardhshëm.

Në mbledhje u nënvizua që të ndiqen politika aktive fiskale për të rritur efektivitetin e masave përkatëse dhe të zbatohen politika të qëndrueshme monetare, me synim që të sigurohet likuiditeti i arsyeshëm dhe i plotë. Kështu, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sektorët me gjendje të vështirë do të kenë më shumë mbështetje për rimëkëmbje.

Së treti, do të eksplorohet kërkesa e brendshme dhe do të mbështetet zhvillimi i automjeteve me energji të reja. Mbledhja vuri në dukje që do të përkrahet zhvillimi i shpejtë i automjeteve me energji të reja, do të shpejtohet ndërtimi i sistemit të tregtisë elektronike dhe sistemi i logjistikës në zonat rurale dhe do të drejtohen ndërmarrjet të shtojnë investimet në përmirësimin teknologjik. Në këtë mbledhje u qartësua më tej që të shpejtohet ndërtimi i sistemit logjistik në zonat rurale. Kjo tregon që me integrimin e zonave urbane dhe rurale mund të krijohet tregu i kërkesës së brendshme me përmasa të mëdha dhe të plota.

Së katërti, me shtimin e përshtatshëm të ofertës së tokës, do të nxitet zhvillimi i qëndrueshëm dhe i shëndetshëm i tregut të pasurive të paluajtshme. Në 6-mujorin e dytë, do të vazhdojë të zbatohet parimi i “mosspekulimit me banesat”, do të kufizohen spekulimet në tregtinë e banesave dhe do të zbatohen praktikisht politikat për shtimin e natyrës jofinanciare të banesave.

Së pesti, do të parandalohen rreziqet në fushat kryesore dhe të zbatohet konkretisht mekanizmi i trajtimit të rreziqeve fiskale dhe financiare.

Për rreziqet e mundshme, ekspertët ekonomikë analizojnë që ka shtatë të tilla për 6-mujorin e dytë: pandemia mund të shkaktojë sërish bllokimin e tregtisë ndërkombëtare dhe uljen e kërkesës së përgjithshme globale; po rriten parashikimet për politikat e kufizimit monetar nga Fed-i i ShBA-së, çka ndoshta do të shkaktojë trazira financiare globale; rritja e vazhdueshme e çmimeve të mallrave të paambalazhuara dhe rritja e kostos për ndërmarrjet në pjesën e poshtme të zinxhirit industrial; ngadalësimi i dukshëm i eksportit; rreziqet e mundshme financiare të shkaktuara nga mungesa e fondeve të kompanive të pasurive të paluajtshme; disa ndërmarrje shtetërore përballojnë rreziqe kredie, çka nuk është mirë për stabilitetin financiar; rreziqe të mundshme gjatë rregullimit të kaosit në vlerësimin e bonove të kredive.

Së gjashti, po shtohet presioni në punësim. Në këtë mbledhje u theksua që duhet të shtohen shërbimet për punësimin e të diplomuarve nga shkollat e larta, të lehtësohen kanalet e punësimit të punëtorëve nga fshati në krahinat e tjera dhe të përmirësohet garantimi i të drejtave të punës për njerëzit me punë elastike.

Të dhënat tregojnë që këtë vit, mbi 9 milionë të diplomuar do të futen në tregun e punës dhe pandemia ka nxitur shumë studentë jashtë vendit të kthehen në vend për punësim.

Politikat e punësimit për këtë vit duhet të integrohen me politikat e vitit të kaluar që nxitën punësimin elastik gjatë shpërthimit të pandemisë, me synim që të garantohen më tej të drejtat e punës të njerëzve me punë elastike. Tani, në mbarë vendin, numri i njerëzve në punë elastike është 200 milionë dhe masat konkrete garantuese do të fokusohen te sigurimet shoqërore dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve në punë. (Jiang Lei/Artan)