Flakët në zona të ndryshme (DW)

Flakët në zona të ndryshme (DW)

Temperaturat e larta, gjatë dy javëve të fundit e kanë përballur Shqipërinë me situata problematike zjarri, të cilat kanë rrezikuar jetë njerëzish, banesa, gjënë e gjallë, trashëgimi kulturore, zona pyjore dhe parqe arkeologjike. Sipas të dhënave nga Agjencia e Emergjencave Civile zjarret janë përhapur nga veriu në jug duke përfshirë pyje, kullota dhe prona private në 13 rrethe: Shkodër, Lezhë, Pukë, Elbasan, Fier, Skrapar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, duke ndjekur nga afër operacionet për shuarjen e zjarreve ka paraqitur për mediet një bilanc të deritanishëm të pasojave të zjarrit.

“Ka patur një angazhim të jashtëzakonshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që kanë rrezikuar dhe jetën e tyre gjatë këtyre ditëve. Kemi mundur falë këtij angazhimi të madh të shuajmë 163 zjarre, deri tani. Kjo është një shifër shumë dinamike. Kemi angazhuar 1300 efektivë nga Forcat e Armatosura me 146 mjete, 143 mjete zjarrfikëse, 1052 forca zjarrfikëse dhe 441 forca të tjera nga emergjencat civile dhe janë duke punuar me 3 helikopterë në të gjithë Shqipërinë” theksoi ministri i Mbrojtjes.

Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi në terren (News Abania)

Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi në terren (News Abania)

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej ka paraqitur gjeografinë e vatrave të zjarrit duke filluar që nga Thethi, Valbona, një pjesë në lumin Buna, në Kukës në Parkun Natyror të Korab-Koritnikut, në Gjirokastër tek Bredhi i Hotovës, një vatër në Ersekë dhe një në zonën e Munellës në Lezhë.

Lidhur me shkaqet e zjarreve Dedej e cilësoi zjarrvënien si akt terrorist ndërsa shpjegoi se, “Ne shohim sot se barinjtë i vënë flakën dhe ne përballemi me një situatë që nuk duhej të ishte e tillë. Kemi të bëjmë me zjarre të qëllimshme që shumë herë mund të mos kenë dëm ekonomik.”.

Situata e vështirë, që i duhet të përballojë Shqipërisë, në një përhapje kaq të gjerë të zjarreve nuk është shkaktuar vetëm nga temperaturat e larta mbi 40 gradë Celsius. Zv/kryeministri Erion Braçe, u shpreh se, “zjarret në Shqipëri nuk janë prej ndryshimit të klimës. Temperatura e re pooo”. “Zjarret jo! Zjarret janë të gjitha të qëllimshme tha ai. “Të qëllimshme si krime ordinere nisur nga nevoja banale për kullota, troje ndërtimi apo shkundje deri në fund të inatit me pronën publike dhe pronën e komshiut”, theksoi Braçe. “Të dy qëllimet duhen “përvëluar” ligjërisht me hetim, gjykim, ndëshkim!”, theksoi Braçe.

Policia njoftoi se arrestoi të martën tre persona, në qarkun e Vlorës dhe një në qarkun e Përmetit të dyshuar për zjarrvënie.

Ndihma për zjarret

Autoritetet në Shqipëri kanë biseduar për të marrë mbështetje nga Mekanizmi i BE për Mbrojtjen Civile që të ndihmojnë në luftën kundër zjarreve. BE aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për Shqipërinë dhe vendet e rajonit në përballje me situatën e zjarreve.

Për këtë ministri mbrojtjes Niko Peleshi bën të ditur se:

“Që në krye të herës u kemi dërguar kërkesë për mbështetje Qendrës Evropiane të Emergjencave Civile prej ditësh, por dhe në mënyrë bilaterale shteteve fqinje dhe shteteve të tjera, Italisë, Greqisë, Zvicrës, Turqisë, si dhe me Çekinë kemi patur një marrëdhënie. Ambasadori i Ukrainës më ka telefonuar për të më siguruar mbështetje. Duhet patur parasysh se situata në rajon është shumë më e vështirë se këtu te ne” theksoi ministri Peleshi.

2 helikopterë, 1 nga Holanda dhe 1 nga Çekia erdhën në ndihmë të Shqipërisë për shuarjen e zjarreve. Helikopterët Chinooks, së bashku me 47 ushtarakë holandezë mbërritën të premten dhe filluan operacionet ditën e shtunë.

Shuarja e zjarreve me helikopterë (Dritare.net)

Shuarja e zjarreve me helikopterë (Dritare.net)

Situata e rënduar për shkak të zjarreve është regjistruar ashtu si dhe në Shqipëri dhe në Greqi, Turqi, Itali e vende të tjera. Korriku 2021 është klasifikuar si muaji i tretë më i nxehtë në histori. Nga të dhënat e publikuara nga Shërbimi Evropian për Monitorimin e Ndryshimeve Klimaterike “Kopernikus”, rezulton se temperaturat e korrikut ishin ndër më të nxehtat ndonjëherë. Sipas ekspertëve, vetëm muajt korrik të viteve 2019 dhe 2016 kanë qenë më të nxehtë se ky i sivjetmi. Ata paralajmërojnë se çlirimi i gazeve serrë po ndryshon në mënyrë të pakthyeshme klimën e planetit tonë.

Eda Merepeza