Intervistë me kryetaren e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa

“Nisma për ndërtimin e një tregu të përbashkët rajonal është një nga detyrat më të rëndësishme të ekonomive të Ballkanit dhe është dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, në menyrë që vetë kompanitë e tij të fillojnë dhe të gëzojnë të gjitha ato benefite” Kështu shprehet kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa për Radio Ejani, teksa komenton forumin “Open Balkan” të mbajtur në Shkup.

Ideja e një intregimi rajonal përfshirës i bazuar në marrëveshjen e Shengenit ka të bëjë me intensifikimin e bashkëpunimit mes 6 vendeve të Ballkanit, duke respektuar katër liritë të cilat janë parashikuar nga Bashkimi Europian siç janë: liria e lëvizjes së mallrave, lëvizjes së kapitalit, lëvizjes së shërbimit dhe lëvizjes së lirë të punës. Kjo është dhe mënyra më e mirë për të përgatitur Ballkanin Perëndimor për aksesimin në BE. Një lidhje sa më e mirë e 6 vendeve të Ballkanit do të shpejtonte dhe do të sillte më tepër sukses drejt integrimit në Bashkimin Europian, thekson Muçostepa.

“Pikërisht për këtë arsye liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë kanë ndërmarrë muaj përpara, madje përpara periudhës së pandemisë, një iniciativë për të përshpejtuar implementimin e zonës ekonomike rajonale, duke vendosur një sërë prioritetesh dhe masash në mënyrë që të arrihen rezultate të qarta dhe praktike përsa i përket qytetarëve dhe bizneseve të Ballkanit Perëndimor. Këto iniciativa janë deklaruar në takimet e mbajtura si ai në tetor të 2019, në Ohër në tetor të 2019 dhe në Tiranë të dhjetor të 2019. Pas këtyre takimeve ishtë vendosur të mbahej një tjetër, që është ai i Shkupit që u mbajt tashmë, i cili ishte i spostuar për shkak të Covid.”- thotë Muçostepa.

Barrierat në të bërit biznes mes vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë, thekson kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

“Avantazhet e një bashkëpunimi rajonal, të cilin bizneset kanë kohë që e kërkojnë, reflektohen në eleminimin e të gjitha barrierave. Sot për shembull 25 mijë kompani të Ballkanit Perëndimir çdo ditë kanë probleme përsa i përket barrierave në të bërit biznes në rajon. Do të doja të kujtoja dhe rolin e rëndësishëm që kanë pasur 6 Dhomat Kombëtare që operojnë në Ballkanin Perëndimor, të cilat vazhdimisht dhe me të përcaktuar kanë kërkuar njohjen reciproke të dokumentave të tregtisë, dokumentacionet që kalojnë në kufijtë që kanë lidhje me certifikimin dhe cilësinë e mallrave, lëvizjen e lirë të punës apo shtyrjen përpara të projekteve infrastrukturore të rajonit dhe eleminimin e çdo barriere të mundshme jo-tarifore. Kjo ka qenë puna jonë konstante ditore prej vitit 2017, që nga momenti që ne krijuam Western Balkans Six, që është dhe shoqata e përbashkët e 6 dhomave kombëtare rajonale.” thekson Muçostepa

Si kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Muçostepa thotë se së bashku me përfaqësues të tjerë të bizneseve do të monitorojë të gjitha hapat e ndërmarra nga politika për këtë nismë.

“ Pikërisht për realizimin e këtij vizioni ne do të ndjekim këtë dinamikë, duke vazhduar të jemi partnerë aktivë në të njëjtën kohë, por nga ana tjetër do të duhet të forcojmë dhe kapacitetet tona të përfaqësimit lidhur me nivelin kombëtar, në lidhje me plotësimin e kërkesave të drejtuara nga biznesi. Pra anëtarët tanë dhe përgatitjen e propozimeve konkrete ne përputhje me nevojat e tyre. Komuniteti i biznesit në këtë proces është vendimtar në zhvillimin e rajonit dhe do të jetë detyra jonë që të ofrojmë të gjitha ato rezultate që ata kërkojnë. Roli jonë do të jetë që të kërkojme zbatimin efikas dhe të shpejtë të këtyre marrëveshjeve, të cilat u nënshkruan në mënyrë që vullneti politik të jetë efektiv dhe do të besojmë që kjo është një epokë e re e bashkëpunimit midis biznesit dhe politikës dhe këtu politika patjetër që duhet të jetë një dëshmuese e mirë e të gjitha kërkesave të biznesit.”

Aktualisht të bërit biznes mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në kushte të favorshme.

“Natyrisht që nuk mund të themi që kemi një klip të mirë të të bërit biznes për sa kohë që bizneset nga vendet tona kur kalojnë kufijtë harxhojnë orë e orë në mos dhe ditë për të kaluar në vendin tjetër. Pra mendojmë që marrëveshja e nënshkruar për të eleminuar dhe për të arritur në 0 minuta pritje në doganë është një marrëveshje shumë e mirë dhe u shoqërua atë ditë me goxha entuziazëm nga bizneset. Natyrisht këtu qëndron edhe forca e të bërit presion nga ana e bizneseve në mënyrë që të mos cënohen edhe kompanitë, aktiviteti i kompanive tona vendase dhe prodhuese. Pra ne duhet të monitorojmë këtë proces që të jetë pro biznesit sa kohë që edhe deficiti tregtar me vendet e rajonit ngelet për t’u diskutuar dhe është i ulët në krahasim me ato që ne marrim nga rajoni.”, thekson Muçostepa

I gjithë ky proces synon një qasje të re të të bërit biznes të vendeve të Ballkanit Perëndimor , si model kryesor të procesit të integrimit të BE-së.

“Pa krijimin e një infrastrukture të mire, si për çështjen e shkëmbimit të informacioneve po ashtu edhe për inftrastrukturën për sa i përket rrugëve, hekurudhave të çdo lidhje mes bizneseve të rajonit ka një rëndësi prioritare. Pra ky nuk është një proces, vërtet u firsmos në Forumin e Shkupit, por do të ketë periudhën e vet për t’u implementuar. Pra, nëqoftëse kryeministrat dhe liderët thanë që rreth datës 1 janar 2023 do të kemi rezultate konkrete në fazën e implementimit, unë mendoj që mund të kërkojë dhe më tepër kohë. Por rëndësi ka që gjithsesi gjërat të bëhen në mënyrë që biznesi të ndihet i lirë në të bërit biznes në rajonin tone” nënvizoi Ines Muçostepa

Në Forumin e Shkupit ku u bashkuan më shumë se 350 përfaqësues të bizneseve nga i gjithë Ballkani Perëndimor, u nënshkrun tre marrëveshje: Përgjigje e përbashkët ndaj fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera; Lejimi i qytetarëve për të punuar në shtetet e njëri -tjetrit; dhe Ndihmë për lëvizjen e mallrave pa vonesa.

“I rëndësishëm është dhe unifikimi i lejeve të punës. Kjo do të sjellë avantazhe në qarkullimin e lirë të forcëës punëtore apo intelektuale në gjithë rajonin atje ku kërkohet, pa probleme të shtuara burokratike, siç edhe lejet e qëndrimit do të lehtësojnë si të qënit të punësuar në një dimension ku secili nga qytetarët tanë do të ketë interes të punojë, por nga ana tjetër unë mëndoj që edhe Shqipëria favorizon shumë përsa i përket faktit që sidomos vitet e fundit por edhe në të ardhmen do të shtohet shumë tendenca e gjithë njerëzve që do të vijnë nga Ballkani, për të bërë jo vetëm pushime në Shqipëri, por për të blerë edhe apartamente për t’i pasur për të ardhur edhe në vitet e mëtejshme”, tha Muçostepa

Tre pikat e miratuara në këtë Forum, ishin pikërisht dhe propozimet e Dhomave të Tregtisë.

“ Doli në pah edhe roli i rëndësishëm i gjithë propozimeve që Dhomat e Tregtisë kishin bërë deri më sot, lidhur me eleminimin e të bërit biznes në rajon, por edhe me kërkesën e hapur që ata na bënë për të vazhduar këtë bashkëpunim, duke njohur në rol të rëndësishëm të sipërmarrjes rajonale në këtë proces”, theksoi për Radio Ejani, kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa