Masat kufizuese anti covid dhe pandemia e koronavirusit preku mjaft sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, duke goditur porositë dhe interesin për këto produkte.

Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Punëdhënësve “Pro eksport Albania”, e cila përfaqëson dhe mbron interesat ekonomike të kompanive që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi, thotë në një intervistë për Radio Ejani se fatmirësisht situata aktuale është më pozitive dhe ka nisur rimëkëmbja.

“Situata aktuale e sektorit tonë prodhues paraqitet goxha në rimëkëmbje duke pasur parasysh që vijmë nga një periudhë pothuajse dy vjeçare shumë të fortë dhe me shumë luhatje përsa i takon porosive dhe prodhimit tonë, duke pasur në rradhë të parë në vitin 2019, që ndikoi shumë ishte tërmeti në zonat rurale dhe me epidqendër në Durrës. Pas kësaj kemi edhe situatën e pandemisë Covid ku me mbylljen e tregjeve të huaja patjetër që kjo u përkthye në rënie të porosive dhe të prodhimit tonë të brendshëm. Ne kemi një rritje në krahasim me vitin 2020 me rreth 15 % dhe kjo rritje ndikon më shumë në sektorin e veshjeve pasi sektori i këpucës ka një rritje më të ulët se prodhimi i veshjeve” tha Edvin Prençe, kryetar i shoqatës “Pro eksport”

Por këto lëvizje që kanë nisur në këtë sektor nuk mjaftojnë pa një mbështetje edhe nga qeveria, ndaj Shoqata “Pro eksport” i bën thirrje qeverisë për politika lehtësuese.

“ Ajo çka ne mendojmë për të rimëkëmbur sektorin është e nevojshme një paketë ndërhyrje dhe ndihmëse nga ana e qeverisë, që mendojmë se së shpejti do të bëhet një gjë e tillë dhe kjo rimëkëmbje do të çonte në një forcim të sektorit tonë, në një rimarrje në punë të punonjësve që për fat të keq kemi qenë të detyruar të largojmë dhe do të shtonte që shumica e fasonerive që prodhonin me material porositës me kalimin e kohës dhe me eksperiencën që ato kanë, të bëjnë prodhim me cikël të mbyllur, pra të dalin vetë në tregun e jashtëm dhe të bëjnë shitjen e plotë të materialeve, duke blerë vetë lëndën e parë, duke bërë vetë modelistikën e prodhimit dhe duke kërkuar të gjenden tregje të reja europiane” shprehet Edvin Prençe:

Shqipëria po shihet si favorite për të bërë biznes në këtë sektor dhe pritet një fluks i kërkesave nga jashtë, ndaj sipas përfaqësuesve të bizneseve duhet të jemi të përgatitur.

“Ajo çka ne vërejmë në këtë periudhë është një interesim nga vendet europiane për prodhimet e manifakturës Made in Albania , pasi shumica e vendeve europiane nuk preferojnë më prodhimet aziatike, kjo për shkak të kostove të larta të transportit dhe kohës së gjatë që u nevojitet në vendet aziatike për evadimin e porosive të tyre. Ne duhet të jemi të gatshëm që kësaj dëshire të klientëve për t’iu afruar vendeve ballkanike si Shqipëria t’u përgjigjemi me porositë dhe me modelet që ato kanë nevojë. “-tha Edvin Prençe.

Sipas të dhënave të shoqatës “Pro eksport”, aktualisht në këtë sektor janë 710 biznese të regjistruara dhe aktive në Shqipëri, ku janë të punësuar mbi 60’000 punonjës .

“Dhe në rast se ne do të ecim me këto ritme dhe do ketë këto kërkesa që ne shikojmë që vijnë nga vendet europiane, kjo do të përkthehet në një shtim dhe të vendeve të tjera të punës, mbi 20’000 vende të reja dhe patjetër që do të ketë një shtim në faturim dhe në përqindjen e eksportit që po të marrim përqindjen që sektori i manifakturës zinte për vitin 2019 që ishte me 40 %, shpresojmë që me këto ritme që ka filluar tashmë sektori ynë të arrijmë të paktën 65 % të Made in Albania për eksport.” u shpreh Edvin Prençe

E domosdoshme sipas përfaqësuesve të prodhuesve, është pjesa e rinovimit të impianteve prodhuese, modernizimi i tyre , automatizimi i impianteve prodhuese, formimi profesional dhe promovimi i bizneseve shqiptare në tregjet europiane .

“Këto do të ndikonin dhe do të rrisnin akoma më shumë interesin e bizneseve europiane për prodhimet Made in Albania. Patjetër që kemi një dialog të mirë me qeverinë dhe jemi në pritje në hapjen e sezonit të ri plenar në shtator të themi pas përfundimit të zgjedhjeve të prillit, të miratohet dhe buxheti përkatës që parashikohet të jetë në rreth 50 milion euro për manifakturën dhe këto gjëra që unë paraqita pak më parë janë të parashtruara në këtë ndihmë, në këtë paketë fiskale që qeveria do të japë për mbështetje për sektorin.”- thote Edvin Prençe.

Sipas ekspertit Prençe shumë vende kanë avancuar në transformimin e sektorit të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve

“ Po të marrim një shembull që shumë vende europiane po kalojnë të njëjtën situatë që kemi ne aktualisht pra, kanë një rritje le të themi një transformim të sektorit nga fasoneri, pra vetëm për hakun e punës, të qepjes së materialeve, të kalohet në një fazë të dytë që ështëshumë e rëndësishme ajo e manifakturës së vërtetë, pra që këto biznese të dalin në treg me prodhimet e tyre, me materialet e tyre dhe patjetër që formimi profesional do të zërë një vend shumë të rëndësishëm duke para parasysh që shoqata jonë Pro eksport Albania tashmë ka krijuar marrëveshje dhe po bashkëpunon me shkolla profesionale , me Politeknikun që të ketë një formim profesional sipas kërkesave të tregut “ bëri të ditur ai

Sa i përket të dhënave të eksporteve për muajin qershor, INSTAT bën të ditur se ato arritën vlerën 35 mld lekë, duke u rritur me 50,8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Tekstile dhe këpucë” ndikuan pozitivisht me plus 6,3 pikë përqindje në totalin e eksporteve për këtë periudhë.