Nëse keni një plan biznesi dhe dëshironi të hidhni sytë nga Shqipëria, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) jep edhe arsyet se përse duhet të zgjidhni vendin tonë për të bërë biznes. Sipas përshkrimit të detajuar, Shqipëria ofron një kuadër ligjor mjaft miqësor, sa i takon investimeve të huaja. Ligji “Për investimet e huaja” mbështetet në parimet e barazisë, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së investitorëve. Konkretisht, nëse investoni në Shqipëri sipas Aida-s, nuk ka nevojë për autorizim paraprak për të huajt që të hapin një biznes këtu. Është e mundur pronësia 100% e huaj në një ndërmarrje. Investitorët e huaj kanë të drejtë për të riatdhesuar të gjitha fondet dhe kontributet, në natyrë të investimeve të tyre. Sipërmarrësit e huaj trajtohen në kushte jo më pak të favorshme se ato të parashikuara për investime vendase në rrethana të ngjashme, përveç pronësisë së tokës, e cila rregullohet me ligj të veçantë.

Në specifikimet e posaçme thuhet se në çdo rast investimet e huaja kanë trajtim jo më pak të favorshëm se ai i parashikuar nga normat e pranuara, përgjithësisht të së drejtës ndërkombëtare. Sa i përket rregullave për të punësuarit, një kompani, me pjesëmarrje të investimeve të huaja, ka të drejtë të punësojë edhe shtetas të huaj. Prona private dhe investimet mbrohen me ligj nga shpronësimi, apo nga masa me efekt të ngjashëm, me përjashtim të rasteve, kur shpronësimi kryhet për një qëllim publik. Në sqarimet në faqen zyrtare të Agjencisë Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve theksohet se në të gjitha rastet dhe në çdo kohë, investimet kanë trajtim të barabartë e të paanshëm, gëzojnë mbrojtje e siguri të plotë.

Por cilët janë sektorët potencialë?

Ekspertët, pas analizës së bërë për pozicionin gjeografik të vendit dhe mundësitë që ofron; sugjerojnë turizmin si një mundësi e mirë për të investuar në Shqipëri. Udhëtimi dhe turizmi është një ndër sektorët më të rëndësishëm dhe ka një peshë të madhe për ekonominë shqiptare, punësimin, si dhe për parashikimet e tij pozitive të rritjes.

“Sektori i turizmit në vitin 2019 regjistroi një kontribut të drejtpërdrejtë prej 358.3 miliardë lekësh, me një kontribut të përgjithshëm prej 21.2% të PBB-së, duke e pozicionuar këtë sektor si një nga kontribuesit kryesorë të zhvillimit ekonomik..Kjo, kryesisht, reflekton aktivitetin ekonomik të gjeneruar nga industri të tilla, si: hotelet, agjentët e udhëtimit, linjat ajrore dhe mënyrat e tjera të transportimit të pasagjerëve.Në vitin 2019, sektori i turizmit regjistroi një kontribut prej 22.2% në punësimin e përgjithshëm në Shqipëri, duke krijuar rreth 254 300 vende pune.” – thuhet në publikimin e AIDA-s.

Shqipëria ka një potencial të konsiderueshëm të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë ndaj mund të konsiderohet si një mundësi e hapur për të bërë biznes. Shqipëria është zotuar për një objektiv të detyrueshëm 42% të energjisë nga burimet e rinovueshme në konsumin përfundimtar bruto të energjisë në 2030, duke filluar me 31.2% në 2009.

“Në 2015, sipas bilancit të energjisë të botuar nga EUROSTAT, Shqipëria arriti një përdorim 34.9% të energjisë nga burimet e rinovueshme, duke tejkaluar mbi trajektoren e indikatorit të tretë prej 34.3%.”- thekson Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve

Falë pozicionit të favorshëm gjeografik në Pellgun e Detit Mesdhe, Shqipëria ka një potencial të konsiderueshëm të burimeve të rinovueshme të energjisë si uji, era, dielli, biomasa dhe gjeoterma.

Bujqësia mbetet një nga sektorët me potencialin më të madh për zhvillim në Shqipëri. Bujqësia është burimi kryesor i punësimit dhe të ardhurave sidomos në zonat rurale të vendit. Ky sektor siguron rreth 20% të PBB-së dhe 37.4% të punësimit total. AIDA e rendit bujqësinë si një potencial për investimet e huaja dhe ka shumë mundësi për të zhvilluar këtë sektor më tej për kultura të ndryshme bujqësore.

Nuk mungojnë edhe incentivat për TEDA-t Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik. zhvilluesve të ardhshëm do t'u ofrohet zhvillimi ekskluziv dhe të drejtat e operatorit mbi këto prona, përmes një qiraje afatgjatë. Shqipëria është kthyer si një nga destinacionet më të preferuara edhe për bizneset në fushën e Teknologjisë së Informacionit ku ofrohen mjaft mundësi. Sa i përket legjilacionit, në Shqipër ka një Ligj mbi Investimet Strategjike që synon të japë garancinë maksimale ligjore dhe ofron lehtësi për investitorët vendas dhe të huaj. Ligji i ri mbi Turizmin synon përmirësimin në mënyrë thelbësore të kushteve për investime serioze në turizëm dhe zhvillim të garantuar të sektorit. Ligji mbi TEDA-t është një nga ndryshimet synon vënien në dispozicion të zonave teknologjike dhe ekonomike, bizneseve që kërkojnë të investojnë.

Sa i përket të dhënave për investimet e huaja direkte në Shqipëri, burimi kryesor i fluksit të investimeve për T1 2021 ishte Industria nxjerrëse që përfaqësonte 17.5% të fluksit total. Sektorë të tjerë ekonomikë me një kontribut të lartë në IHD janë sektori i Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me 16 % si edhe i Aktiviteteve të pasurive të paluajtshme. Për tre muajt e parë të vitit fluksi i investimevetë huaja në vend është dominuar nga Hollanda, e cila ka kontribuar me rreth 17.5 % në fluksin total, e ndjekur Franca, Italia,Turqia dhe Austria.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, fluksi i investimeve sa i përket prurjeve të reja ka shënuar një ulje të lehtë ndërsa stoku që do te thote ri-investimet nga investitoret e huaj qe jane aktualisht ketu, ka pësuar rritje. Për T1 2021, burimi kryesor i hyrjeve të stokut të IHD-ve, pra ri-investimet nga investitoret e huaj; ishte Energjia elektrike, gazi, dhe furnizimi me ujë që përfaqësonte 29.5 % të fluksit total. Sektorë të tjerë ekonomik me një kontribut të lartë në IHD janë sektori i Industrisë nxjerrëse me 14.3 %, Aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 12.8% dhe i Informacionit dhe Komunikacionit me12.5% ndaj totalit.