“Në të kaluarën, udhëtimi me makinë nga qyteti Geermu i provincës Qinghai deri në Lhasë të Xizang-ut kërkonte mbi 70 orë. Tani, me këtë ‘rrugë qiellore’, koha e udhëtimit është shkurtuar në vetëm 14 orë. Çdo ditë ka gjashtë çifte trenash që hyjnë dhe dalin nga Lhasa dhe është shumë e lehtë që të bëjmë punë, turizëm dhe biznes në Xizang,” thotë Kang Tao, drejtori i degës së komitetit të PKK-së për stacionin e transportit të udhëtarëve në Geermu. Ai ka punuar për 10 vjet në këtë stacion dhe, kur flet për ndryshimet e sjella nga hekurudha e rrafshnaltës Qinghai-Xizang, nuk mund të fshehë emocionet e veta.

“Rruga qiellore’” që përmend Kang Tao është pikërisht hekurudha Qinghai-Xizang. Në rrafshnaltën Qinghai-Xizang, komunikacioni ishte i bllokuar. Edhe pse në vitet ‘50 u ndërtuan autostradat Sichuan-Xizang dhe Qinghai-Xizang, transporti rrugor ka kapacitet të kufizuar dhe ndikohet shpeshherë nga fatkeqësitë gjeologjike.

Linja Geermu-Lhasa e hekurudhës Qinghai-Xizang, që u vu në përdorim më 1 korrik 2006, ka hapur një kapitull të ri për transportin hekurudhor modern të Xizang-ut, duke nxitur zhvillimin e sektorit turistik dhe shkëmbimet kulturore të rajonit.

Zv.drejtori i departamentit të mirëmbajtjes të linjës së Geermu-së pranë Kompanisë Hekurudhore Qinghai-Xizang, Su Hongzhi, ka punuar për 36 vjet në stacionin e Geermu-së dhe ka dëshmuar përparimet teknologjike të “rrugës qiellore’”.

“Në fillim të viteve ‘80, stacioni hekurudhor i Geermu-së nuk ishte efektiv në transportin e udhëtarëve. Ndërrimi i shinave, ndezja e sinjaleve, shitja ose ndërrimi i biletave menaxhoheshin nga njerëzit. Pas vënies në funksionim të linjës Qinghai-Xizang, është përmirësuar niveli i menaxhimit dhe është ngritur pandërprerë niveli teknik i mirëmbajtjes së linjës. Në vitin 2020, kur terminali i ri i stacionit Geermu u vë në përdorim, u automatizua funksionimi, kontrolli dhe mirëmbajtja. Me këtë sistem automatik, hyrje-dalja dhe operimi i trenave, si edhe organizimi i udhëtarëve mund të bëhen me efektivitet më të lartë dhe udhëtarët mund të marrin shërbime më të mira gjatë udhëtimit,” thotë Su Hongzhi.

Drejtori i pajisjeve teknike i Departamentit të Transportit pranë Grupit Hekurudhor Qinghai-Xizang, Kong Lingxin, tregon që, pas përurimit të linjës Qinghai-Xizang, materialet janë dërguar pandërprerë për në Xizang dhe produktet bujqësore e blegtorale karakteristike të Xizang-ut janë mbartur për në krahinat e tjera të vendit. Deri në fund të qershorit 2021, në linjën Qinghai-Xizang janë transportuar gjithsej 68.34 milionë tonë mallra të ndryshme.

Shefi i stacionit Naqu të Drejtorisë Hekurudhore të Lhasës, Dong Shenggang, shprehet që tani është stina e nxehtë e turizmit. Nga 1 korriku, sektori hekurudhor ka shtuar tre çifte trenash të përkohshëm mes Xining-ut dhe Lhasës. Pasi u vu në përdorim linja Qinghai-Xizang, numri i udhëtarëve në stacionin Naqu është ngritur nga 16 mijë në vitin 2006 në 310 mijë vitin e kaluar.

Në fakt, “rruga qiellore” ka sjellë shumë ndryshime në Xizang. Me linjën hekurudhore Qinghai-Xizang, sektori turistik në Xizang ka pasur zhvillime “shpërthyese”, duke u bërë shtylla e ekonomisë vendore. Numri i turistëve që shkojnë në Xizang është rritur nga 1.8 milion në vitin 2005 në 35.05 milionë vjet, ndërsa të ardhurat turistike janë shtuar në 55.9 miliardë juanë në vitin 2019, nga 1.94 miliardë juanë në 2005-n.

Li Yan është një turiste nga qyteti Xining. Ajo thotë: “Gjatë udhëtimit me makinë për në Xizang mund të përballemi me fluks të madh automjetesh, ndërsa me aeroplan nuk mund të shikojmë pamjet përgjatë rrugës. Prandaj, unë kam zgjedhur hekurudhën, pasi gjatë udhëtimit mund të shikojmë pamjet natyrore, si malet me dëborë, liqenet, shkretëtirat, kullotat, si edhe antilopat e Xizang-ut.”