Në rritjen ekonomike prej 5,53 % në tremujorin e parë të këtij viti, ndërtimi dha një kontribut pozitiv. Ky sektor shënoi një rritje me 16,87 % krahasuar me të njejtin tremujor të vitit 2020. Siç duket një zhvillim më të madh ky sektor e ka marrë edhe për shkak të procesit të rindërtimit, pas tërmetit të nëntorit 2019, ku qeveria është fokusuar në disa zona për rikualifikim të plotë.

Një ecuri pozitive e ndërtimit konfirmohet edhe nga vetë prodhuesit e të mirave materiale. Zef Shtjefni një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të prodhimit të tullave në vend thotë se ecuria ka qenë pozitive dhe aktiviteti i tyre ka vijuar mirë

“Gjatë kësaj periudhe 4 mujore sektori i ndërtimit, kryesisht i prodhimit të materialeve të ndërtimit ka qenë më mirë se asnjëherë tjetër. Kjo si pasojë e investimeve të mëdha që po bën qeveria në riparimin e dëmeve të tërmetit, ku janë në ndërtim e sipër lagje të tëra qytetesh si në Laç, Thumanë, Fushë-Krujë, Shijak, e po kështu ndërhyrje të brëndshme të qyteteve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës, Tiranë, Lezhë, Krujë, Kavajë etj. Duke përfituar dhe nga ndihmat e mëdha që erdhën nga vendet tjera, qeveria investoi në fazën elektorale por dhe investimet që po vazhdojnë në ritme të larta. Kështu që ne, industria e qeramikës dhe materialeve të ndërtimit kemi patur një rritje të ndjeshme në krahasim me vitet e tjera paraardhës” thotë Zef Shtjefni, prodhues i industrisë qeramike

E ndërsa në disa zona, puna po vijon, turizmi duket se frenon punimet në zonat turistike

“Megjithëse, këto dy muaj, Korrik-Gusht ka ndalim të ndërtimeve në bregdet, ndërtimi është sektori që po zhvillohet aktualisht dhe për t’i ardhur në ndihmë turizmit qeveria ndalon ndërtimet në bregdet. Pra siç e theksova, rindërtimi i dëmeve pas tërmetit është shkaku kryesor i rritjes së këtij sektori gjatë muajve të fundit. Nëse rindërtimi do vazhdojë, përmirësimi i qyteteve, sidomos banesave, aq sa do vazhdojë ndërtimi, aq do vazhdojnë dhe ritmet e larta të punës sonë” , u shpreh Shtjefni.

Si bashkëpronar i dy fabrikave të tullave MILIS BRICK në Fushë Krujë dhe Lezhë, Shtjefni thotë se puna pa ndërprerje po plotëson kërkesat e vendit dhe ato në rajon.

“Fabrikat punojnë me kapacitet të plotë, 24 orë dhe i përgjigjemi pothuajse tërësisht nevojave të tregut, por pa ndërprerë dhe ekportin drejt Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Pati një farë rënie eksporti në muajt e parë, prill dhe maj, por ne e rimorëm serish ritmin e eksportit që të mos e lëmë tregun bosh dhe të mos lejojmë Serbinë të futet, e cila mezi pret të marrë tregun shqiptar. Ne po rrimë syhapur që te mos e ndërpresim eksportin ndaj Kosovës.”tha sipërmarësi

Fabrikat po kompensojnë edhe dëmin që solli pandemia, duke shfrytëzuar çdo mundësi tani me fluksin e punës

“Fabrikat tona janë duke punuar pa u ndalur, me kapacitet të plotë. Mund të ndalemi për një defekt apo servis të domosdoshëm punë 6 orësh, por jemi absolutisht non stop 24 orë në prodhim, 400-450 ton fabrika e Fushë Krujës, 250-300 ton fabrika Milis e Lezhës, kështu që sheshet janë pothuajse të zbrazura. Tani me ndalimin e ndërtimeve në bregdet ka njëfarë ulje të ritmit por gjithsesi them se në shtator do të rimarë persëri ritmet e larta ndërtimi, sepse bregdeti do të rimarri 30-35% të prodhimit të materialeve të ndërtimit, eksporti me siguri ne do bëjmë cmundemi, dhe në fund të vitit të mbërrijmë një rezultat më pozitiv sesa 4-5 vitet e fundit që ka qenë një kërkesë jashtëzakonisht shumë e ulët. Shpresojmë që ky ritëm i ndërtimeve për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti të vazhdojë dhe muajt e fundit.” theksoi Shtjefni

E ndërsa puna duket se vijon me ritme të kënaqshme, kërkesë e hershme e këtij sektori është ulja e barrës së taksave dhe eleminimimi i procedurave doganore.

“Pengesat kryesisht janë taksat, transportuesit ankohen shumë që taksat janë të larta, pasi vlera e ngarkesave në to nuk është e madhe. Paguhen taksat doganore, TVSH në kufi, TVSH e transportit, skaneri, parkingjet doganore ku për të bërë letrat ndalohen dy- tre orë tralet dhe ne vazhdojmë bërtasim me të madhe për këto pengesa shumë serioze dhe në qoftë se do shtohen edhe nga ana e Kosovës, ateherë do kemi kolaps. Pra janë të mëdha, 46 euro për kamion. Sa nuk i ka vënë Kosova mendoj se dy qeveritë duhet të pleqërojnë sebashku të bëhet 45 euro për një javë prsh, por jo për 24 orë”, sugjeron Shtjefni

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave për 6 mujorin e parë 2021, eksportet arritën në 176.6 miliardë lekë, me një rritje prej 41% në raport me janar-qershor 2020. Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, rritja është gati 16%. Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i tretë më i madh eksportues në vend (me 20% të totalit) vijuan ecurinë pozitive edhe në qershor. konkretisht Për 6 mujorin, eksportet e këtij grupi u rritën me 100.5%, ndërsa janë 43.7% më të larta edhe se janar-qershor 2019.