Fermerët e Myzeqesë kanë patur një mundësi më shumë përgjatë këtyre dy viteve, pasi një kompani e re ka hyrë ne treg, e cila i jep zgjidhje kërkesave të tyre për frutin e bostanit.
Bëhet fjalë për kompaninë “Agro Imshta”, e cila ka menduar për çdo hallkë. Drejtuesit e kompanisë sigurojnë farën, japin asistencë me agronomë shqiptarë dhe të huaj dhe sigurojnë shitjen e shalqirit brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sipërmarrësi Ardian Çitozi tregon për Radio Ejani detajet e themelimit të kësaj kompanie.
“ Agro Imshta lindi si një domosdoshmëri në fshatin Imësht, nga dy persona; Ardian Çitozi dhe Regon Beqiri. Krijuam këtë shoqëri pikërisht për shalqirin, pasi zona e njeh shumë mirë shalqirin dhe kjo firmë lindi për t’i dhënë zhvillim kësaj zone. Ne duke ndjekur teknologjitë e fundit si firmë, sollëm dy nga agronomët më të shquar grekë, me të cilët mbajtëm dhe seminare dhe e pamë të domosdoshme që të hapnim edhe një farmaci bujqësore, që të furnizonim produktet që ka nevojë shalqiri. Pra ne u sigurojmë tregun fshatarëve, farërat e mira, teknologjinë , menyrat më të mira të mbjelljes së shalqirit, të cilat ndiqen nga agronomi i zonës dhe dy agronomë grekë.”shprehet Ardian Çitozi
Kompania bashkëpunon me dhjetra fermerë pikërisht në fshatin Imësht të Lushnjes. Tokat e kësaj zone dallojnë për potencialet që kanë sa i përket prodhimit të shalqirit me cilësi të lartë. Madje edhe fermerët tashmë janë kthyer në ekspertë sa i përket kultivimit të bostanit. Themeluesi i kompanisë Çitozi thotë se hapja e “Agro Imshtës” ishte domosdoshmëri për zonën pasi grumbullimi i shalqirit më parë bëhej rrugëve, madje hidhej edhe kanaleve kur nuk gjendeshin tregje. Ndërsa tani bëhët e mundur që të funksionojë i gjithë zinxhiri; nga gjetja e farërave të duhura, kujdesi për rritjen, grumbullimi dhe tregtimi me çmim të kënaqshëm për xhepat e qytetarëve.
Shalqiri i kësaj zone po shkon në Çeki, Estoni, në vëndet e Ballkanit dhe kërkesat janë çdo ditë në rritje.
“Unë dhe kolegu im meremi prej kohësh, prej 12 vitesh me kulturën e shalqirit. Ne vendosëm pikërisht për këtë kulturë sepse vetë zona e njeh shumë mirë shalqirin dhe është një nga zonat më të mira për të prodhuar një shalqi cilësor. Ne kemi bërë kontratë me dhjetëra fermerë, por si zonë mes Imzës dhe Bubullimës, janë 300 hektarë. Kapaciteti prodhues sivjet është 80 kuintal për dylym. Shalqiri i kësaj zone po shkon në Çeki, Estoni dhe në vendet e Ballkanit. Për sa i përket certifikimeve unë jam i certifikuar me firmë tjetër, me firmën Lea për prodhimin e shalqirit me Global Gap, me disa fermerë, por vitin tjetër do certifikojmë edhe këtë zonë.”- tha Ardian Çitozi themelues i “Agro Imshta “
Në pikën e grumbullimit të “Agro Imshtës” në Lushnje pritet të japë kontribut edhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural
“Pika e grumbullimit është ndërtuar totalisht me financimet tona, por një pjesë ja kemi lënë dhe AZHBR-së. Kemi aplikuar tek AZHBR-ja dhe presim nëse do të shpallemi fitues apo jo, por ndërkohë 80% të investimeve e kemi bërë vetë.”, shprehet Çitozi
Nisur nga kërkesat në rritje për frutin e kuq, ekipi i “Agro Imshtës” pret që të zgjerojë më tej plantacionet me shalqi në zonën e Myzeqesë.
“Ne mendojmë ta zgjerojmë më tepër mbjelljen e parcelave të këtyrë zonave me këto fermerë, nga 300 hektarë të arrijmë 1000 hektarë. Është e nevojshme, sepse ne psh momentalisht po japim eksport rreth 500 ton shalqi cdo ditë jo vetëm ne por dhe kolegët tanë që janë mbështetur tek ne.”, thekson Çitozi.
Fermerët janë motivuar edhe më shumë me çmimin e shitjes së produktit të tyre.
“ Ky vit ka pasur kërkesa të jashtëzakonshme. Kjo vërtetohet dhe me çmimet të cilat deri tani janë shumë të mira, dmth janë të rralla vitet që i ngjajnë këtij viti. Fitimet e fermerëve janë shumë të kënaqshme, madje shumica prej tyre duan t’i dyfishojnë tokat. Naftën pothuajse shumica që ka aplikuar e ka marrë nga shteti. Normalisht ne do ta zhvillojmë aktivitetin tone, por kemi zgjedhur këtë produkt, dhe duam ta zgjerojmë sa më shumë”- tha Ardian Çitozi themelues i “Agro Imshta”
Zona dallohet për prodhimin e shalqirit të ëmbël. Kapacitetet, sipas ekspertëve në këtë zonë janë për trefishim të sipërfaqeve me të mbjella. “Agro Imshta” veç zgjidhjes që ka dhënë për fermerët ka krijuar edhe mundësi punësimi sezonal për të rinjtë e zonës të cilët bëjnë vjeljen , apo grumbullimin e shalqirit.
Çdo ditë grumbullohen afro 300 ton shalqi tek pika “Agro Imshta”, të cilat bëhen gati për eksport në tregjet evropiane.