30 qershori shënoi hedhjen në qarkullim të kartmonedhës së re në treg me vlerën më të madhe atë 10 mijë lekë. Gjithashtu edhe prerja 1 mijë lekë ka ardhur në një format të ri.

Pra kushdo që përdor kartmonedhat shqiptare tashmë mund të disponojë në portofol seritë e reja. Por cfarë vlere kanë këto kartmonedha me seritë e reja në qarkullim dhe përse erdhën pikërisht në këtë kohë?!

Në prezantimin zyrtar të bërë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko thuhet se hedhja në qarkullim për herë të parë e kartëmonedhës së re, të prerjes më të lartë me vlerë 10000 Lekë përfaqëson në vetvete përshtatjen e strukturës së kartëmonedhave me evoluimin e strukturës së çmimeve dhe pagave, shkallën e zhvillimit të sistemit elektronik të pagesave, si dhe treguesve të tjerë që lidhen me trajtimin e parasë.

“Kjo kartëmonedhë e prerjes më të lartë shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe sipas të gjitha analizave, plotëson kërkesat e tregut për ta pasur në strukturën e serisë sonë të kartëmonedhave me kurs ligjor. Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë një qarkullim më të mirë dhe më efikas të parasë së gatshme, duke ndihmuar strukturën e monedhës në qarkullim, duke ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes, dhe në këtë mënyrë, duke rritur efikasitetin e Bankës së Shqipërisë në administrimin e parasë fizike dhe emisionit. Gjithashtu, prezenca e kësaj prerjeje të re më të lartë në strukturën e kartëmonedhave shqiptare rrit efikasitetin e Bankës së Shqipërisë edhe për të administruar një stok strategjik sa më të përshtatshëm, për të përballuar raste të rritjeve të paparashikuara të kërkesës së tregut për para fizike “, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Zv.drejtori i Departamentit të Emisioneve pranë Bankës së Shqipërisë, Ervin Sahatçiu në një intervistë për mediat ka folur edhe për nevojën e tregut për prerjen 10 mijë lekëshe.

“Emetimi i kësaj prerje të re prej 10 mijë lekësh ishte mëse i nevojshëm. Sot ne kemi një nivel page më të lartë dhe një pjesë e strukturës së çmimeve ka ndryshuar ndjeshëm. Plus kësaj prerja më e madhe që ishte para 30 qershorit, ajo prej 5000 lekë ka qënë ndër më të kërkuarat” u shpreh Zv.drejtori i Departamentit të Emisioneve pranë BSH Ervin Sahatçiu

Për “Monitor” Zv.drejtori i Departamentit të Emisioneve pranë BSH-së Ervin Sahatçiu jep edhe detajet e formatit të ri të katmonedhës 1000 lekëshe.

“ Prerja e re 1000 lekë vjen e rifreskuar, në tematike është e njëjta por ka një rifreskim të ngjyrave dhe dizajnit dhe elementët e sigurisë janë element inovativ”, tha Sahatçiu

Banka e Shqipërisë njofton se dy prerjet e para të serisë, 200 dhe 5000 Lekë, në qarkullim prej muajit shtator 2019, janë mirëpritur nga publiku, kanë përmbushur pritshmërinë e bankës dhe tashmë gradualisht janë pjesë e qëndrueshme e parasë në qarkullim, duke mbështetur rritjen në vijimësi të cilësisë së kartëmonedhave në qarkullim, me qëllim ruajtjen e integritetit të kartëmonedhës në raport me publikun, si dhe ruajtjen e një imazhi dinjitoz të Bankës së Shqipërisë dhe të vetë shtetit shqiptar. Pavarësisht rritjes së pagesave në mënyrë elektronike, përdorimi i Cash-it vijon të jetë i lartë;

“ Cash- i mbetet një instrument kryesor pagese si tek ne ashtu edhe në vende të tjera të zhvilluara. Paraja në qarkullim është një tregues që shoqëron rritjen ekonomike të vendit, ajo rritet përgjithësisht në masën 5 përqind, e cila është edhe më e lartë ne momente te caktuara. PSh gjatë krizës së Covid 19, rritja ka qenë më e lartë se mesatarja që shënon në përgjitësi. Kjo tregon që Cash-i i tillë është edhe në vende të zhvilluara, thotë Ervin Sahatçiu.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja në qarkullim vijon të ketë ndër vite një trend rritës. Pjatë vitit 2020, paraja në qarkullim është rritur me rreth 52 miliardë lekë ose rreth 3 herë më shumë se rritja e shënuar gjatë vitit 2019. Gjithashtu, edhe në 5 muajt e parë të vitit 2021 është shënuar një rritje prej rreth 10 miliardë lekësh.

Kartëmonedhat e reja, përmbajnë elemente sigurie të përparuara, të prodhuara me teknologjitë më të fundit të fushës dhe të personalizuara sipas prerjeve. Tematika e serisë së re të kartëmonedhave shqiptare evokon momentet më të rëndësishme të historisë së kombit.

Kartëmonedha 1000 Lekë ka të integruar shtypin e ngritur te portreti i Pjetër Bogdanit, numrat dhe shkronjat, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, fillin e sigurisë që duket si vijë e errët e pandërprerë kundrejt dritës dhe që ndryshon ngjyrë nga e gjelbër në të purpurt në kënde të ndryshme shikimi, figurën e diellit me ngjyrë të ndryshueshme sipas këndit të lëvizjes dhe shiritin e shndritshëm në pjesën e pasme që shfaq vlerën 1000 Lekë. Kartëmonedha 10000 Lekë ka të integruar shtypin e ngritur te portreti i Asdrenit, numrat, shkronjat dhe pjesë të tjera të kartëmonedhës, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, figurën ujore, hologramën të shoqëruar me efekte të ndryshme optike, fillin e sigurisë që duket si vijë e errët e pandërprerë kundrejt dritës dhe që ndryshon ngjyrë nga e gjelbër në të purpurt në kënde të ndryshme shikimi, figurën e librit me pendë me ngjyrë të ndryshueshme sipas këndit të lëvizjes dhe shiritin e shndritshëm në pjesën e pasme që shfaq vlerën 10000 Lekë.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë po vijon punën për plotësimin e serisë së re edhe me dy kartëmonedhat e tjera, atë 500 Lekë dhe 2000 Lekë, të cilat janë në proces prodhimi.