Çfarë kanë të përbashkët parashikimet ekonomike dhe ato të horoskopit? Mund të thuhet se këto të fundit sigurisht që janë më të lexuara. Thuajse të gjithë kanë zhbiriluar se çfarë parashikojnë yjet për këtë vit. Ekspertët flasin edhe për natyrën shkencore të ekonomisë. Në fakt, debati nëse është apo jo një shkencë është po aq i vjetër sa vetë ekonomia.

Ken Galbraith, i cili ishte një ekonomist i shkëlqyeshëm kundër rrymës, ka thënë se funksioni i vetëm i parashikimeve ekonomike është që astrologjia të duket e respektueshme. Sigurisht një provokim, por që ka baza të rëndësishme. Nëse shihet ajo që ndodhi gjatë një viti të vështirë që kaloi bota, mund të thuhet se ishte e pamundur të parashikohej shfaqja e një virusi që do të bllokonte të gjithë globin, do të kufizonte lirinë e individit dhe do të ndalonte të gjitha aktivitetet ekonomike.

Por edhe pas marsit 2020, parashikimet e ekspertëve u mbrojtën me kujdes pas një fjale të përsëritur: pasigurisë. Në fakt, nëse shikojmë parashikimet për fundin e vitit 2019, mund të kuptohet se sa është larguar realiteti nga horoskopi ekonomik.

Në Zvicër, për shembull, pati një rritje të vlerësuar në dhjetor 2019 prej 1.7% deri në një ulje të vlerësuar në 2020 prej 1.5%, pastaj 6.7%, duke kaluar në 3.8% dhe tani flitet për 3.3%. Dhe ndërsa të dhënat e vitit 2020 ishin duke u konsoliduar dhe për këtë arsye parashikimet u shndërruan në të dhëna aktuale, nuk mund të thuhet se valsi i shifrave për vitin 2021 po venitej.

Marrëdhënia midis shkencës dhe ekonomisë është e lashtë. Fatkeqësisht, ekonomia shpesh harron se qëllimi i një shkence nuk është vetëm ai i parashikimit, por përshkrimi dhe shpjegimi janë po aq të vlefshëm. Privilegjimi i njërit mbi dy të tjerët e bën kërkimin shkencor jo të plotë dhe të destinuar për dështim.

Kështu, ekonomia herë pas here harron që qenia njerëzore është baza e modeleve të saj dhe mbi të gjitha qenia njerëzore nuk është “homo economicus” që është aq i dobishëm në modele. Sigurisht, disa individë janë gjithmonë racionalë, egoistë dhe ndjekin vetëm interesin e tyre personal, por jo të gjithë jemi gatuar kështu.

Sot, ekonomia e sjelljes po përpiqet të korrigjojë lojën, megjithatë teoritë ekonomike kanë qenë gjithmonë plot koncepte dhe mekanizma që i shpëtojnë shkencës. Le të flasim, për shembull, për dorën e famshme të padukshme të Adam Smith. Sipas kësaj teorie, secili individ, duke ndjekur avantazhin e tij, shtyhet, si nga një dorë e padukshme, që të punojë për të mirën e të gjithë komunitetit. Në praktikë, dora e padukshme është konkurrenca që lind nga një shumëllojshmëri e shitësve individualë egoistë.

Kjo ide ka qenë justifikimi për ekuilibrin e tregut për shekuj me radhë. Mekanizmi që Smith propozoi është që dobia të çojë disa persona, por vetëm disa, të krijojnë, përtërijnë, të bëhen sipërmarrës dhe për këtë arsye të prodhojnë më shumë sesa nevojat e tyre. Dhe këtu ndërhyn një dorë e padukshme e cila siguron dobinë për një numër të madh dhe rishpërndarjen e këtij tepricë.

Një tjetër shembull është dhe “Shpirtrat e kafshëve”, një term i përdorur nga John Keynes në librin e tij të vitit 1936 “Teoria e Përgjithshme e Punësimit, Interesit dhe Parasë”, për të përshkruar instinktet, prirjet dhe emocionet që dukshëm ndikojnë dhe drejtojnë sjelljen njerëzore dhe që mund të matet në terma, për shembull, të besimin e konsumatorit. Që atëherë është argumentuar se besimi përfshihet ose prodhohet nga "shpirtrat e kafshëve". Me pak fjalë, racionalja kundrejt iracionales.

Në lidhje me rolin që luajnë pritjet sot, nëse merret si shembull vlera e aksioneve, kur flitet për biznesin e një kompanie që mund të shkojë keq, mendohet se veprimi është shitja e aksioneve, duke shkaktuar në fakt përkeqësimin e situatës së kësaj kompanie. Ose sa të rëndësishme janë pritjet për të arritur objektivat e përcaktuara nga politikat ekonomike.

Kur Banka Kombëtare Zvicerane njoftoi se do të vendoste një prag minimal për kursin e këmbimit me frangën zvicerane, ajo shpresonte që njoftimi të çonte në një ndryshim në sjelljen e agjentëve ekonomikë duke ndaluar spekulimet.

Ose një tjetër shembull sjell veprimin e presidentes së Bankës Qendrore Evropiane Christine Lagarde, e cila u shfaq mjaft skeptike në lidhje me rimëkëmbjen ekonomike afatshkurtër. Reagimi i tregut ishte negativ.

Pra, vetëm supozimi se gjërat mund të shkojnë keq i bëri gjërat të shkojnë keq atë ditë. Sigurisht, ligjërimi rigoroz dhe shkencor nuk duhet të bëhet në këtë mënyrë; ajo që duhet bërë është ndërgjegjësimi për faktin se parashikimet ekonomike shpesh konsiderohen si parashikime astrologjike. Ndaj, u mbetet njerëzve në dorë ta besojnë apo jo.

Sipas parashikimeve të Institutit Federal zviceran të Kërkimeve, për ekonominë botërore, pas rënies së mprehtë prej 5% vitin e kaluar, ai duhet të rimëkëmbet dhe të rritet me 4.7%. Por, rimëkëmbja nuk do të jetë e njëjtë në të gjitha vendet, ndaj shihet një vlerësim për një rritje të PBB-së së Bashkimit Evropian prej vetëm 4% krahasuar me 5.5% në Shtetet e Bashkuara dhe 9.2% në Kinë. Çuditërisht, normat e interesit në zonën e euros pritet të mbeten negative. Sidoqoftë, në këtë analizë, ekziston një fakt që mund të shqetësojë: rritja mjaft e ulët e Gjermanisë, e vlerësuar në vetëm 3.2%.

Për ekonominë evropiane parashikohet një rikuperim më i shpejtë nga sa pritej, duke parë dhe faktin se aktiviteti në tremujorin e parë të vitit tejkaloi pritjet dhe përmirësimi i situatës shëndetësore rezultoi në një lehtësim më të shpejtë të kufizimeve të kontrollit të pandemisë në tremujorin e dytë. Sipas parashikimit të përkohshëm ekonomik për verën 2021, ekonomia e BE-së dhe zonës së euros pritet të rritet me 4.8% këtë vit dhe 4.5% në vitin 2022.

Përgatiti: Irma Paloli