Ermir Lushnjari është i riu nga Shqipëria, i cili ka emigraur që në moshën 15 vjeçare në Itali. Juristi Ermir Lushnjari punon si këshilltar ligjor për imigracionin në Verbania, Itali. Ai tregon se si i lindi ideja e aplikacionit “Çaj Mali”, i cili udhëzon emigrantët si të pajisen me nënshtetësinë italiane. Projekti i të riut shqiptar ka rezultuar mjaft i suksesshëm, pasi është shkarkuar nga mbi 10 mijë përdorues në 188 shtete të ndryshme. “Doja të krijoja një mjet të thjeshtë për t’u përdorur nga të gjithë, i dobishëm për ata që duan të integrohen ”, – shprehet Ermiri.

CMG: Ermir ju keni emigruar që në moshën 15 vjeçare. Pse kjo zgjedhje?

Ermir Lushnjari: Kjo sepse në fund të viteve 90-të Shqiperia ishte në krizë financiare dhe prindërit vendosën të largohen nga këtu.

Ndoshta mendoj që kishte të bënte edhe me sigurinë e rendit.

Erdhi e natyrshme që të largohesha dhe erdha këtu në ato kushte, duke gjetur pak më tepër qetësi.

CMG: A keni pasur peripeci?

Ermir Lushnjari: Ka qënë e vështirë sepse ka pasur shumë paragjykime për shqiptarët. Tani mund të them që ka kalaur pak kjo dhe nuk mund të them që paragjykohemi. Mbi të gjitha që unë të punoja duhet të dorëzoja një garanci çka më krijonte mua një vështirësi. Mendoj që këto vështirësi kanë qenë për të gjithë shqiptarët.Tani ndihemi mirë.

CMG: Ju vetë me çfarë po merreni tani?

Ermir Lushnjari: Unë jam një djalë që më pëlqen shumë puna ime.

Une merrem me konsulencë në emigracion dhe kjo është pak e nderlikuar sepse personat të cilët më vijnë mua janë persona që kanë shumë vështirësi në jetë. Unë mundohem t’u jap zgjidhje dhe në këtë formë ata më besojnë mua dhe unë duhet të jem i kujdesshëm. Për emigrantët unë jam një derë ku ata trokasin dhe mundohem ta hap atë me kujdes.

CMG:Ermir cila ka qenë historia që ka lënë gjurmë për ju në profesion?

Ermir Lushnjari: Janë raste të ndryshme nga vende të ndryshme dhe secili komunitet ka probleme specifike. Do të flas për shqiptarët. Ne kemi problem me vjedhjen e identitetit dhe kjo histori ka qënë shumë e përsëritur sa herë një person lëvizte nga njëri vend në tjetrin.

Për ta zgjidhur këtë më është dashur të ndërhyj shumë edhe deri në Interpol. Deri në këtë pike, por unë ja arrita që ta zgjidh këtë rast dhe jam tepër i lumtur .

CMG: Cilat janë pikat tuaja të dobëta në profesion dhe ato të forta?

Ermir Lushnjari: Jam këmbëngulës. Kjo është pika ime më e fortë.

Ndërsa mendoj që kjo më merr energji unë vijoj ta dua si pikë timen.

Pika e dobët është se duke u marrë me këtë sektor me dashje apo pa dashje një pjesë të historive klienti m’i përcjell edhe mua.

Ndihem herë pas here jo mire, por mundohem ta kaloj.

CMG: Ermir ju keni hartuar aplikacionin “Çaj mali”. Çfarë është ky aplikacion?

Ermir Lushnjari: Aplikacioni ka tetë funksione, dhe të tetë këto funksione kanë si qëllim të shpjegojnë mënyrën e aplikimit për nënshtetësi italiane. Në app ka sqarime të detajuara për të gjithë rrugët që duhet të ndiqen për përgatitjen e dokumentave, pagesat, zyrat ku duhet të drejtohen etj. Gjithashtu në aplikacion gjendet edhe mundësia për të bërë pyetje në lidhje me paqartësi që lidhen me problematikat e shtetasve të huaj. Unë nuk doja një aplikacion monoton, por një app shumë të thjeshtë dhe të kuptueshëm nga të gjithë. Aplikacioni është i krijuar në katër gjuhë të huaja.

Gjatë këtyre viteve fitova eksperiencë lidhur me emigracionin dhe në veçanti, me procedurat administrative për të aplikuar për nënshtetësi italiane. Për këtë arsye vendosa të krijojë “Çaj Mali”, një aplikacion që ka si qëllim me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për të gjithë, t’ju ndihmojë në marrëdhëniet tuaja me Administratën Publike, duke ofruar informacion të dobishëm dhe të plotë ose thjesht duke ju dhënë mundësinë të kontrolloni në çfarë pike është praktika.