Të merresh me përpunimin e drurit nuk është domosdoshmëri të jesh mashkull. Duam të dalim tek historia unike e vajzës së vetme shqiptare, tërësisht ndryshe nga të tjerat, që ndërton me pasion varka prej druri.

Bëhët fjalë për Genta Ahmetin, e cila ka një punishte ku ndërton në mënyrë artizanale varka me vela, anije peshkimi dhe turistike.

Ajo është shkolluar në Itali për inxhinieri dhe është kthyer në Shqipëri. Nësë një pjesë e mirë e vajzave shumicën e kohës e kalojnë duke u marrë me kujdesin për veten, Gentën e shohim cdo ditë me çekic në duar, metër apo edhe sharrë me të cilën bën prerjet e formave të drurit. Ajo është eksperte në fushën e përpunimit të drurit.

Genta Ahmeti tregon për radio Ejani se si nisi idea e këtij biznesi në fakt i padëgjuar që të ushtrohet nga një femër.

“Në fakt biznesi nisi si një ëndërr fëmijërie. Normalisht dëshira për të bërë diçka që më lidhte me detin, me ëndrrat e mia, erdhi gradualisht duke pasur në të njëjtën kohë edhe ndihmën e babait edhe të disa miqve të tij, ish punonjës të kantierit detar. Mbas mbarimit të fakultetit normalisht u deshën shumë kerkime, studime deri sa erdhi në fund të 2016-s dhe fillim të 2017-s, ngritja publike e gjithë asaj që ishte aktiviteti kërkimor dhe ngritja e biznesit aktualisht.”, shprehet Genta Ahmeti.

Frymëzimi nga i ati duket se ka qënë një nga shtysat kryesore.

“ Ishte një dëshirë femijërie. Babai im është inxhinier në profesion dhe karrieren e tij e ka filluar në kantierin e Durrësit, duke ndikuar tek unë me historitë e veta mbi punën, ndërtimin e anijeve, zgjoi te unë ato ëndrra që një ditë t’i realizoja dhe vetë Kështu që gradualisht në moshën 6-vjeçare, fillova të isha ndihmësja e tij, duke i mbajtur çekiçin, duke i dhënë një gozhdë, pra duke e ndihmuar me diçka të vogël gjithmon në krah të tij. Ai solli tek unë deshirën që të punoja drurin që më jep një kënaqësi pafund dhe dashuria për detin, të cilat të dyja bashkë i ktheva në një profesion.”- thotë Genta.

Padyshim edhe ky biznes që ushtron Genta u prek nga pandemia, pasi është i lidhur edhe me turizmin.

“Nje pjesë e mirë e klientëve tonë i përkasin sektorit të turizmit, gjë që u prek mjaft nga pandemia dhe pati një rënie të numrit të kërkesave. Por në të njëjtën kohë pjesa pas pandemisë solli një risi të kërkesave dhe një rivlerësim të tregut. Kjo na bëri ne të shohim në një këndvështrim tjeter punën tonë për të mbajtur tregun që kemi.”- shprehet ajo.

Aktiviteti “Jeta në varkë” u bë më shumë se 4 vite që është në treg.

“Aktualisht është një biznes që ka vështirësitë e veta edhe si sektor në përgjithësi , por pritet mirë nga ato që e njohin detin dhe ka një rritje të kërkesës së tregut apo dhe dëshirës për të njohur më shumë këtë pjesë të biznesit tonë”, theksoi Genta.

Por sa kohë i duhet Gentës me ekipin e saj që të ndertojë një varkë?

“Koha për të ndërtuar një varkë varet nga modeli, madhësia e mjetit, materialet që do të përdoren. Normalisht varkat e drurit kanë një format shumë të veçantë ndërtimi, pasi të gjitha ndërtohen me dorë në mënyrë artizanale, ka një ndërthurje materialesh” –sqaron Genta

Varkat e punuara në mënyrë artizanale nga punishtja e Gentës, përvec faktit të qëndrueshmërisë që ato kanë, rezistencës, pjesa e bukurisë duke e lënë në natyralen e drurit, jep edhe një kënaqësi tjetër.

“Ajo që e bën edhe më të vecantë në sektorin që ne jemi prezentë në detari, është pikërisht mënyra se si lundrojnë këto mjete. Pra ka një diferencë nga mjetet që prodhohen sot, ato japin një kënaqësi më të madhe për përdoruesin jo vetëm në aspektin dekorativ, estetik, por në ndjesinë ë lundrimit në veçanti. Punishtja që unë drejtoj ka pësuar disa ndryshime, zgjerime për efekt të nevojave të punës duke qenë se produkti që ne shërbejmë kërkon të ketë cilësi të lartë dhe kërkon një staf të kualifikuar. Për këtë arsye lind nevoja për të pasur ndyshime, përmirësime në ekip dhe në pjesën e makinerive apo shërbimeve, që ofrohen brenda kompanisë”, tha Genta.

Cilësia është kryefjala e varkave prej druri që prodhohen nga punishtja “Jeta në varkë”.

“Kapaciteti i prodhimit gjithmonë vjen duke u rritur, por në të njëjtën kohë preferojmë të mbajmë disa limite, për të mbajtur cilësinë që duam t’i shërbejmë klientit. Mjetet lundruese prej druri, skafet, jahtet në përgjithësi i përkasin një tregu shumë specifik dhe klienti që e kërkon është i veçantë, i cili e njeh shumë mirë detin, lundrimin, kulturën detare. “- u shpreh Genta.

Sipas Gentës, në Shqipëri është më e vështirë të merresh me këtë aktivitet, pasi njohja jonë me kulturën detare është më e vogël se sa në Europë, apo në mbarë botën.

“ Kemi një përqasje të mirë në tregun europian ku kultura detare është më e madhe dhe klientët që na kërkojnë e njohin mirë lundrimin”,na tregon Genta.

Biznesi i punishtes së ndërtimit të varkave ofron edhe trajnim për të rinjtë dhe personat që duan të angazhohen në këtë fushë

“ Të gjesh profesionistë në sektorin e detarisë është shumë e vështirë. Kjo për arsye sepse është një sektor shumë i veçantë, por një nga avantazhet që ne kemi ështe se kushdo vjen dhe bëhet pjesë e stafit tonë, ka mundësi të trajnohet brënda kompanisë. Gjë që e bën në një farë mënyre më të lehtë punën për ne, sepse edhe pse këta persona nuk e njohin si profesion, kanë mundësi të njohin atë që është një traditë e humbur e ndërtimit të mjeteve lundruese. Të gjesh punëtor të kualifikuar nuk është vështirë vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë. Gjithsesi ne kemi arritur të gjejmë një zgjidhje në një farë mënyre, duke i trajnuar punonjësit tanë brenda kompanisë.”- thotë Genta Ahmeti.

Genta thotë se biznesi është ngritur falë kontributit të familjes

“Biznesi është ngritur plotësisht kundrejt forcave tona, kundrejt një kredie bankare apo thjesht nëpërmjet kapaciteteve tona të fitimit, që gjeneron vetë kompania. Është pak e panjohur për shtetin shqiptar që të ketë një mbështetje të asaj që ne jemi duke bërë si biznes në sektorin detar” tha Ahmeti.

Ndërtimi i varkave nga duart e Gentës dhe stafit të saj ka tërhequr vemendjen e të huajve

“Aktualisht ka pasur një interes të klientëve të shteteve të ndryshme europiane, të cilët na kanë bërë pjesë të aktiviteteve rajonale apo ndërkombëtare në sektorin e detarisë, apo dhe shkëmbime bashkëpunimi me kompani të tjera, të cilat meren me prodhimin e mjeteve lundruese prej druri. Gjë që ka sjelljë ndërlidhjen me pjesën europiane të detarisë dhe një prezantim më ndryshe me klientët që e zgjedhin ketë produkt” shprehet Genta.

Për Radio Ejani, Genta thotë se që nga emri që i është vendosur kompanisë, “Life on a Boat”, nuk është thjesht një kompani për prodhimin e mjeteve detare prej druri, por është një stil jetese që ne po mundohemi të sjellim nga e shkuara traditën, duke e vendosur në kohën moderne dhe duke e përshtatur me teknologjinë e larte. Kjo ka sjellë një ndryshim në produktet që“Life on a Boat”, i ofron tregut dhe klientit, gjë që bëhet gjithmonë e më interesante, duke sjellë histori, kulturë dhe një mënyrë jetese brënda sektorit të lundrimit.

“Kështu që, le të themi po sjellim një inovacion brënda asaj që është tradita.”- u shpreh vajza e varkave.