Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, i cili synon të kapë gjetjen e aktivitetit ekonomik në vend, u rrit për të shtatin muaj radhazi në muajin qershor. Ky tregues publikohet nga Banka e Shqipërisë e cila jep edhe detaje për Treguesin e Besimit në ekonomi për çdo sektor.

Në total ndjesia ekonomike shënoi një rritje prej 1.6 pikë krahasuar me nivelin e muajit maj. Niveli aktual i treguesit arriti në 105.7, duke qëndruar 5.7 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Dinamika pozitive në muajin qershor u përcaktua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë. Gjithashtu, besimi konsumator u përmirësua por në një masë më të vogël. Nga ana tjetër, besimi në sektorin e industrisë shënoi rënie, ndërsa besimi në sektorin e ndërtimit mbeti në nivel të përafërt me vlerat e muajit të kaluar.

Nese marrim detajet e çdo sektori rezulton se Treguesi i besimit të industrisë ra me 2.1 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar , por jo nën mesataren afatgjatë. Ky zhvillim u ndikua nga rëniet në komponentët e kontratave nga eksportet dhe prodhimi aktual Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri në vend shënoi vlerën 75.9% për tremujorin e dytë të vitit 20212 , rreth 1.4 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më pare. Përmirësim të konsiderueshëm krahasuar me tremujorët pararendës shënoi edhe treguesi i gjendjes financiare të bizneseve në sektorin e industrisë.

Sa i përket sektorit të ndërtimit teguesi i besimit rezultoi shumë pranë nivelit të muajt të kaluar. Dy komponentët përbërës të tij kanë lëvizur në kahe të kundërta. Vlerësimi i bizneseve në lidhje me aktivitetin ndërtues është më i ulët se një muaj më parë, ndërsa komponenti i porosive aktuale është përmirësuar cka tregon edhe lëvizjen e aktivitetit në këtë sektor edhe për shkak të rindërtimit. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim shënoi vlerën 66.7% për tremujorin e dytë të vitit, rreth 3.0 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më parë.

Për shërbimet, reguesi i besimit shënoi rritje me 4.1 pikë përqindje në muajin qershor krahasuar me muajin paraardhës. Kjo rritje u ndikua si nga komponenti i lidhur me ecurinë e biznesit ashtu edhe nga komponenti i lidhur me kërkesën. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në shërbime shënoi vlerën 75.4% për tremujorin e dytë të vitit, rreth 2.4 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më parë. Në përmirësim edhe treguesi i gjendjes financiare të bizneseve në këtë sektor.

Besimi ne tregti u rrit me 2.2 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar dhe Rritja ka ardhur nga ecuria aktuale e biznesit dhe pritjet për nivelin e punësimit. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi vlerën 74.6% për tremujorin e dytë të vitit, rreth 0.9 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më parë .

Treguesi i besimit konsumator po ashtu ka shënuar rritje në muajin qershor me 0.4 pikë përqindje duke vijuar trendin e muajve të fundit, ndonëse në një masë më të përmbajtur. Kryesisht ka ndikuar pritja positive që kanë qytetarët për situatën e përgjithshme ekonomike në të ardhmen, shoqëruar nga përmirësime të lehta edhe të pritjeve për situatën e tyre financiare në të ardhmen si dhe pritjet për blerjet në shuma të mëdha.

Arbi Agalliu, pedagog dhe ekspert për ekonominë thotë për radio Ejani se në këto tregues ka ndikuar ulja e shifrave të të infektuarve, fuqia e pandemisë dhe procesi i vaksinimit

Treguesi i ndjesisë ekonomike shërben për të evidentuar besimin e aktorëve të ekonomisë, sikursë janë individët ,konsumatorët, familjet, biznesi tek ekonomia në tërësi . Fatkeqësisht në gjithë situatën e kovidit besimi i të gjithë aktorëve të ekonomisë është ulur, pasi tregjet janë ulur, komunikimi është ulur, kufizime të jashtëzakonshme, gjë që ka bërë fuqinë blerëse të tkurret dhe ekonomia të mos jetë në normalitetin e vet. Por me përmirësimin e situatës se covid, uljen e rasteve, vaksinimi , ardhja e verës e cila ka reduktuar ndjeshëm rastet e covid-it, i kthehemi normalitetit, gjë që na kthen në normalitet. Kjo bën që ato të rrisin aktivitetinn e tyre ekonomik, të shpenzojnë më tepër, të jenë më optimist për të ardhmen, dhe ky efekt prek gjithë strukturën e tregut, dhe bën të qarkullojë edhe më shumë kapital në treg”, thotë Agalliu.

Sipas Agalliut e gjithë situata dhe perceptimi pozitiv vjen krahasuar me nje vit të vështirë që lam pas por jo me nxitje të zhvillimit ekonomik nga qeveria

Prandaj për këtë arsye, kemi një rritje te ndjehsisë ekonomike edhe për muajin qershor, por fatkeqëshisht do ndalesha pak tek pjesa e kësaj rritje, unë e gjykoj si fakt që ka lidhje vetëm më situatën e covid-it. Nga ana tjetër Qeveria nuk ka ndërmarrë ndonjë akt që të bëjë rritjen e këtij treguesi apo të ndihmojë individët që qarkullojnë më tepër para. Pra nuk kemi investime të mëdha domethënëse publike, apo injektim të kapitalit në ekonomi nga ana e qeverisë. Kështuqë ky perceptim mund te vijë si përmirësim i situatës se covi-it, jo me aktet e qeverisë.”- tha Agalliu

Edhe në daljen më të fundit për mediat Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se informacioni i ri i analizuar sugjeron se ekonomia shqiptare ka shfaqur tendenca të qarta rikuperimi në gjysmën e parë të vitit. Po ashtu, inflacioni ka ardhur në rritje gjatë muajve prill e maj, duke korrektuar rënien e tremujorit të parë.

Përditësimi i parashikimeve konfirmon skenarët që kemi prezantuar në vazhdimësi gjatë vitit 2021. Ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme gjatë vitit aktual dhe dy viteve të ardhshme. Kjo rritje do të shoqërohet me zgjerim të punësimit dhe rritje të pagave, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2022.Këshilli Mbikëqyrës gjykon se faktorët të cilët mbështesin rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare kanë ardhur duke u zgjeruar dhe forcuar. Po ashtu, rreziqet e kahut të poshtëm, ndonëse ende të pranishëm, kanë ardhur drejt zbehjes. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, se punësimi vijon të mbetet poshtë nivelit potencial, dhe se qëndrueshmëria e rritjes ekonomike vijon të kërkojë ruajtjen e kushteve monetare stimuluese.” u shpreh guvernatori Sejko.

Sipas analizës së Bankës Qëndrore në Shqipëri rikuperimi i aktivitetit ekonomik shfaqet me bazë të gjerë

Në terma të kërkesës agregate, ai pasqyron zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, rritjen e shpenzimeve buxhetore, si dhe zgjerimin e eksportit të mallrave e shërbimeve. Në terma sektorialë, ky rikuperim pasqyroi zgjerimin e njëkohshëm të sektorëve prodhues dhe të shërbimeve.Përmirësimi i aktivitetit ekonomik nuk është pasqyruar ende plotësisht në tregun e punës. Sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi shënoi një rënie vjetore prej 2.6% në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që norma e papunësisë shënoi vlerën 11.9%. Këto tregues sugjerojnë se ekonomia shqiptare është ende larg normalizimit të plotë të aktivitetit të saj dhe se ky proces duhet të vijojë të mbështet nga politika stimuluese.” tha Gent Sejko.

Gjithësesi, sipas Bankës së Shqipërisë Faktorët mbështetës të rritjes ekonomike kanë ardhur drejt konsolidimit.

Reduktimi i kufizimeve si pasojë e procesit të vaksinimit, përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, zgjerimi i kërkesës së huaj, si dhe stimuli fiskal dhe monetar, kanë gjeneruar premisat e nevojshme për një normalizim gradual të aktivitetit ekonomik.”- deklaroi Guvernatori.

Sipas Guvernatorit, rritja ekonomike do të mbështetet nga përmirësimi i ambientit të huaj, nga reduktimi i pasigurisë, nga një miks stimulues politikash monetare dhe fiskale, si dhe nga përmirësimi i bilanceve të sektorit privat. Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, si dhe të rritin gradualisht të ardhurat në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ne deklaraten e Sejkos theksohet se Zgjerimi i kërkesës do të ndihmojë rritjen e punësimit, duke u përkthyer më tej në rritje të pagave dhe në një kthim gradual të inflacionit drejt objektivit, brenda vitit 2022.