25 Korriku shënon 30 vjetorin e themelimit të kompanisë “Filipi Co” e cila sot është lider në prodhimin e bimëve mjekësore dhe aromatike dhe po ashtu lider ne eksportin e këtyre bimëve në shumë vende të botës.

Kompania e themeluar nga Filip Gjoka është e specializuar në mbledhjen dhe përpunimin e bimëve medicinale dhe aromatike, të cilat grumbullohen nëpër lartësitë e Alpeve.

Ajo është e pozicionuar në qytetin e Laçit dhe ka të punësuar afro 180 punonjës sezonal dhe me kohë të plotë. Aktiviteti i këtij biznesi e ka të lidhur punën me afro 1700 grumbullues, individë dhe fermerë.

Për Radio Ejani, Presidenti i kompanizë, Z. Filip Gjoka tregon se si nisi idea për hedhjen e themeleve të këtij biznesi, që sot është një nga eksportuesit më të mëdhenj të bimëve mjekësore dhe aromatike.

“Filipi Company është themeluar me 25 korrik 1991, fill pas ndryshimeve kur ne ngelëm pa punë dhe u detyruam që të fillojmë një biznes, por pa e kuptuar se deri ku do arrijmë. Kompania jonë ka ardhur nga viti në vit duke u rritur, duke u konsoliduar dhe duke ecur hap pas hapi me ide dhe me strategji te qarta, për të arritur dhe për t’u bërë sot pas 30 viteve, një lider i padiskutueshëm i bimëve dhe i erëzave, jo vetëm në Shqipëri por dhe në Ballkan.” – shprehet presidenti i Kompanisë Filip Gjoka

Ecuria e aktivitetit ka qënë e mbarë dhe drejtuesit e kompanisë janë të kënaqur. Vit pas viti në kompani është përmirësuar tekneologjia, duke avancuar me mjetet më të fundit të tekneologjisë prodhuese dhe përpunuese. Fryma e kompanisë ka qene e qartë që në fillim, te ecet me hapa të ngadaltë, por të sigurtë për të depërtuar në tregje të mëdha. Për të garantuar 100% cilësinë e produktit, “Filipi Company” ka makineri dhe pajisje moderne për të skanuar çdo hallkë të kalimit të lëndës së parë.

“Kapacitetet e Filipi Company janë rritur nga viti në vit. Gjithmonë kemi ecur me hapa ndonëse të ngadaltë, por të sigurtë, e gjithmone jo për të krijuar një vit shitje të mëdha për të prishur cilësinë dhe për të prishur marrëdhëniet me blerësit tonë potencial, por duke ecur gjithmonë të sigurtë.”- shpjegon më tej themeluesi i kompanisë.

Mbasë në atë kohë dukej e pamundur por “Filipi Company” në 1993 nisi edhe shkëmbimet e para tregtare me Shtete e Bashkuara të Amerikës. Më pas harta e vendeve ku sot eksportohen produktet bio, është zgjeruar në Kinë, Australi , Francë Itali e shumë vende të tjera.

“Në vitin 1993 ne jemi të parët shqiptarë që vendosëm marrëdhënie tregtare me SHBA-në, pas 70 viteve ndërprerje. Ne shikuam larg sepse prodhimet dhe tregjet kryesore janë në SHBA dhe prandaj vendosëm sot e kësaj ditë rreth 70% e eksporteve tona janë drejt SHBA-së. Eksportet dhe produktet e “Filipi Company” eksportohen në disa vende të botës, rreth 14 shtete të SHBA-së, në Itali, në Spanjë, në Francë,në Gjermani, Kinë, Australi dhe në Kanada” – thotë sipërmarrësi Gjoka

Bimët medicinale dhe aromatike që përpunohen tek “Filipi Company” janë të larmishme, si fruta, gjethe, lule, rrënjë bimësh, lëvore, vajra esencialë, të cilat kanë veti të jashtzakonshme për shëndetin e njeriut.

Synimet e drejtuesit të kompanisë janë të qarta; produktet bio të kthehen në përdorim edhe më të gjerë.

“Ne tashmë kemi rreth 163 produkte, ku rreth 75% e tyre janë puro natyrale, të rritura në malet dhe në freskinë e bjeshkëve të vëndit tonë, në Alpe ku nga viti në vit tashmë po kërkojnë këtë bimë gjithmonë duke ruajtur dhe konsoliduar cilësinë. Synimi i Filipi Company tashmë është i qarte. Ne me 25 korrik të këtij muaji festojmë 30 vjetorin e themelimit të kësaj kompanie dhe synimi është, që brenda 5 viteve të arrijme që ky aktivitet të jetë rritur së paku mbi 60%, duke e krahasuar me sot, dhe duke e rritur dhe duke filluar me projekte që produktet e lëndëve të para t’i kthejmë në përpunim, kremëra, shampo, ekstrakte të ndryshme, për t’i dhënë vlerë vërtet këtyre produkteve.”- shprehet Filip Gjoka

Pandemia, tregoi më shumë se kurrë nevojën e bimëve mjekësore nëpër botë, e për këtë arsye, kjo ka qenë një nga industritë që ka shënuar rritje të kënaqshme për të gjithë sipërmarrësit që janë marrë me këtë aktivitet.

“Pandemia ndonëse na gjeti të papërgatitur në kapacitetet që kanë thënë dhe mediat ne u ambientuam shumë shpejt dhe biznesi dhe industria e bimëve mjeksore, ja doli mbanë jo të bjerë apo të ketë ndërprerje të punës, por ka mbyllur vitin 2020 si industri me 16.4% rritje dhe si Filipi Company me 42%. Dhe viti 2021 do theksoj për industrinë tonë të bimëve, por dhe Filipi Company ka shënuar një rritje, që nësë vazhdohet me këto ritme, industria e bimëve mjekësore të Shqipërisë vazhdon të jetë në rritje. Synimi dhe objektivat tona është që ne të hapim sa më shumë vende pune në zonat malore, rurale, ku është e pamundur që megjithë investimet, ndyshimet, progresin e madh që ka patur Shqipëria, që në këto zona të hapen vende pune, por vetëm me bimët mjeksore.”

Duke marrë në konsideratë edhe aspektin social në zonat e thella, atje ku në fakt mblidhen dhe rriten këto bimë mjekësore, “Filipi Company” gjithmonë synon të rrisë kapacitet e fuqisë punëtore dhe të krijojë mundësi punësimi në zonat rurale.

“Objektivi është të rrisim sa më shumë produktet tona puro organike të certifikuara brenda standardeve që kërkon BE.”, tha Gjoka

Duket se qershia mbi tortë e kompanisë është edhe lokali që është hapur prej një viti në kryeqytet, ku mund të shijohen edhe çajra bio të “Filipi Company”.

“Filipi Company duke qenë se është me një gamë të madhe të produkteve bimore dhe sidomos ato organike, ka hapur tashmë lokalin Botanical Filipi Co, i cili gjendet në qendër të Tiranës. Ne ofrojmë dhe shijojnë shumë njerëz nga të gjitha anët e vendit, çajra bio të cilat janë të certifikuara nga kompani franceze dhe gjermane dhe aty është e mundur të konsumohen këto bimë edhe kundër pandemisë, por dhe për rritjen e imunitetit, si dhe për relax dhe për shëndetin e njeriut. Do të theksoja se Filipi Company ka rreth 180 punonjës sezonalë dhe stabël të cilët punojnë në përgatitjen dhe përpunimin e këtyre bimëve për eksport, si dhe kanë të lidhur punën rreth 1700 individe, grumbullues dhe fermerë me eksportet që realizon Filipi Company”- shpjegon Gjoka

Kryefjala e produkteve të “Filipi Company” është cilësia. Për këtë kompania gëzon certifikime ndërkombëtare. Ato mbajnë edhe vulën e ECOCERT, një nga organizatat më të mëdha të certifikimit organik në botë, që verifikon se produktet e “Filipi Company” përputhen me disa parametra strikte dhe objective, sipas standardeve Europiane.

Certifikimi EcoCert garanton cilësinë në të gjithë zinxhirin e produktit, inputet, prodhimi, përpunimi, paketimit, ruajtjes, shpërndarja etj.