E pozicionuar mes gjelbërimit, Kantina Enol gjendet në fshatin Prezë, vetëm 30-minuta larg me makinë nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Nëse vizitoni këtë vend, keni mundësi të shijoni degustimin e verës, ushqimet tradicionale të zonës, të bëni shëtitje përreth vreshtave dhe fermës dhe të shijoni të gjithë natyrën dhe peisazhin fantastik.

Fillimisht aktiviteti në kantinën Enol ishte i përqëndruar vetëm në prodhimin e verës dhe më pas mori formën e plotë të Agroturizmit ku ofrohet edhe akomodim për pushuesit, që duan të qëndrojnë.

Qemal Alushi, Administrator i Kantinës Enol tregon për radio Ejani fillesat e këtij biznesi, që është kthyer në një atraksion turistik edhe për turistët.

“Kantina Enol ka filluar aktivitetin e saj nga viti 2002 me

prodhimin e verës dhe pastaj me kalimin e kohës duke u shtuar

vreshtat dhe prodhimi i verës u bë i mundur të hapet edhe restoranti

në vitin 2015.”, thotë Qemal Alushi, Administrator i Kantinës Enol

Potencialet që gëzon zona, bënë që themeluesi i Kantinës Enol të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm për ndërtimin e biznesit.

“Idea lindi duke parë mundësite që krijon zona për prodhimin e rrushit. Lindi nevoja për të shfrytëzuar tokën që kishim në përdorim. E veçanta e Kantinës Enol është se vetë pozicioni gjeografik në këtë luginë të mrekullueshme është një mundësi e mirë për të parë diversitetin që ofron klima jonë.”- thotë administratori Alushi

Nga viti 2002 deri në vitin 2004 Alushi mbolli vreshtat që vizitorët i shohin sot. Kushtet e përsosura për rritjen e rrushit bëjnë që vera që prodhohet nga kjo kantinë të jetë fantastike. Shishet e verës ruhen me kujdes në rafte prej druri që arrijnë deri në tavan madje në bodrumet e verës në restorant ruhen ende disa shishe nga vitet e para. Shishet mbajnë verëra të ndryshme, ndërsa rezervuarët e mëdhenj prej çeliku inoks në murin përballë përmbajnë verë, që ende nuk është futur në shishe. Nuk mungon edhe pija tipike shqiptare Rakia. Rakia e bërë vetë, me aromë, e quajtur “Rukomel”. Të gjitha këto kanë bërë që qytetarët vendas dhe të huaj, ta vizitojnë shpesh këtë vend.

“Interesi është shumë i madh, pëlqehet çdo prodhim, frutat, perimet, vera, prodhimet blegtorale, gatimet që i ofrojmë vizitorëve. Klientela ka ardhë në rritje nga momenti që u hap e deri më sot kemi patur një kurbë në rritje.”- thotë Alushi

Kantina Enol, është shembulli tipik i një biznesi familjar. Pasi e gjithë familja është e angazhuar për të dhënë shërbimin profesional tek klientët. Djali i Qemalit, ndan pasionin e të atit për prodhimin e verës dhe vizitorëve u shpjegon më së miri edhe karakteristikat e verës dhe varietetet që prodhohen. Kontribut të rëndësishëm jep edhe vajza, e cila ndihmon të atin në administrimin e restorantit. Në krye të kuzhinës qëndron bashkëshortja e Qemalit, e cila kujdeset në detaje për gatimet e freskëta.

“Ky është biznes i mirëfilltë familjar. Është preokupuar gjithë familja jonë”- thotë Qemal Alushi

Për të plotësuar dëshirat e klientëve dhe për t’i ofruar larmishmëri, drejtuesit e Kantinës Enol mundohen që çdo vit të sjellin diçka ndryshe. Tek Kantina Enol do të keni mundësi të shikoni nga afër vreshtat me rrush, fermat e mëdha, ullishtet, pemët frutorë të ndryshëm si mollë, shegë, fiq, qershi, arra e gështenja. Nuk mungon edhe ferma me pula për të servirur mish dhe vezë të freskëta. Ndërsa pjesa tjetër e mishit dhe produktet e tjera të qumështit vijnë nga fermerët e zonës.

“Objektivat e Kantinës Enol janë shumë të qarta dhe modeste. Ne duam që çdo vit të bëjmë nga një investim në të gjitha fushat që kërkon agroturizmi”,thekson Administrator I Kantinës Enol

Si çdo biznes, periudha e pandemisë i ka vënë në vështirësi themeluesit e Kantinës Enol, por tani situata është e stabilizuar. Për këtë sipërmarrje nuk ka muguar edhe mbështetja nga shteti.

“Përveç periudhës që u mbyllëm , koha tjetër ka qenë produktive. Ne kemi marrë një subvencion nga AZHBR, e cila u bë shkak për një rikonstruksion të kantinës”, tregon administrator i saj.

Në vitin 2018 familja e zgjeroi biznesin duke shtuar disa dhoma për vizitorë, sipër restorantit të cilat shërbejnë për t’ju përgjigjur kërkesave të klientëvë, që duan të shijojnë për disa ditë kantinën Enol dhe zonën e Prezës. Dhomat kanë edhe ballkone të mëdha nga ku mund të shihen vreshtat, gjelbërimi e deri tek Kështjella e Prezës, e cila lartësohet në majë të kodrës.