Ekspertët e ekonomisë ndahen sa i përket parashikimeve për projeksionet ekonomike në vend. Në një prononcim për Radio Ejani, Vjoldi Danaj ekspert për politikat ekonomike, thotë se duke marrë në konsideratë edhe impaktin që mund të japë turizmi gjatë muajve të verës, rritja ekonomike në Shqipëri për këtë vit mund të shkojë maksimumi në 3.5 deri në 4 përqind, duke hedhur dyshime për pritshmëritë dhe projeksionet që ka publikuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar së fundmi për Shqipërinë, pas vizitës së misionit të FMN-së.

Pandemia nuk ka përfunduar akoma dhe ne jemi në 6 mujorin e parë të 2021 dhe nuk e reflektojmë ende atë rritje për të arritur më pas në 5.5 përqind të ekonomisë. Mendoj se 2021 do të njohë një rritje , sidomos në gjysmën e dytë të vitit për shkak të turizmit, por gjithësesi rritja nuk do të shkojë më shumë se 3.5 deri në 4 përqind maksimale”, u shpreh eksperti i ekonomisë Vjoli Danaj.

Ndërkohë bazuar në gjetjet paraprake në Shqipëri, stafi i FMN-së parashikon që rritja ekonomime gjatë këtij viti në vend të shkojë në 5.3 përqind.

Aktiviteti ekonomik i Shqipërisë në vitin 2020 u tkurr shumë më pak sesa pritej fillimisht, duke reflektuar turizmin e rritur vendas dhe rajonal, mbështetjen e politikave dhe rindërtimin nga tërmeti, si dhe mungesën e një mbyllje të dytë. Në vitin 2021 rritja parashikohet të rikthehet në 5.3 përqind, si rezultat i rimëkëmbjes së sektorëve të prekur nga pandemia si dhe vijimi të aktivitetit të rindërtimit pas tërmetit. Sidoqoftë, pasiguria mbi perspektivën e rritjes mbetet e konsiderueshme. Inflacioni është rritur nga çmimet më të larta ndërkombëtare të mallrave të bursës, por është ende shumë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë (BSH) dhe presionet inflacioniste kanë mbetur të ulëta” – thuhet në deklaratën e FMN-së

Sipas ekspertit Danaj realiteti ekonomik në vend është ndryshe nga këto projeksione.

“Progres-raporti i prezantuar nga FMN jep një situatë të ekonomisë duke u bazuar në disa parashikime që janë të bëra kryesisht nga qeveria, por nësë ne do të shikojmë ekonominë reale nuk kemi një përputhje të këtyre konstatimeve që edhe FMN i ka konstatuar; qoftë për rënien ekonomike të 2020-tës apo edhe për rimëkëmbjen e 2021-shit. Janë mbi bazën e parashikimeve që bëhen gjithnjë në ekonomi fiskale dhe financiare dhe asnjëhërë në ekonominë reale. Ekonomia reale e vendit tonë është shumë ndryshe dhe nuk e reflekton këtë lloj rritje. Ose rimëkëmbja ekonomike që mund të shikohet nga institucioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i monitorimit”, thotë eksperti Danaj.

Sipas publikimit të Fondit Monetatar Ndërkombëtar, politika fiskale në vitin 2021 siguron mbështetjen e duhur për ekonominë. Nismat e reja të shpenzimeve nga autoritetet duhet të mbështeten nga masa për rritjen e të ardhurave që janë në përputhje me një konsolidim fiskal të besueshëm afatmesëm, në mënyrë që të rindërtojë hapësirën e duhur për politikën fiskale.

Në periudhën afatshkurtër, politika fiskale duhet të vazhdojë të mbështesë rimëkëmbjen përmes masave të përkohshme dhe të mirë-shënjestruara, që duhet t’i nënshtrohen transparencës dhe përgjegjshmërisë. Do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor (sidomos vaksinimin), dhe rindërtimin nga tërmeti si dhe për të rritur kontigjencën. Në këtë kontekst, objektivi i vitit 2021 për një deficit primar prej 65 miliardë lekësh (rreth 3.8 përqind e PBB-së) është i mjaftueshëm për të siguruar mbështetje për ekonominë. Një stimul shtesë duhet të merret parasysh vetëm në rast se rimëkëmbja e pritshme nuk materializohet. Nëse do të ketë të ardhura shtesë, ato duhet të kursehen. Për të ndihmuar rindërtimin e hapësirës së nevojshme të politikës fiskale sapo rimëkëmbja të jetë në një rrugë të mbarë, iniciativat e planifikuara nga autoritetet shqiptare duhet të jenë në përputhje me objektivin e arritjes së një ekuilibri primar fiskal pozitiv deri në vitin 2023 dhe të mbështeten nga një kuadër i besueshëm buxhetor afatmesëm.”- thuhet në përfundimet paraprake të FMN-së.

Për ekspertët mbeshtetja për bizneset në vështirësi nuk ka qene e mjaftueshme për rimëkëmbje.

Përsa i përket ligjeve fiskale dhe politikave të ndërmarra në ndihmë të sipërmarrjeve, une mendoj se ato nuk do të japin efektin që pritet, pavarësisht se duket sikur japin një lloj stabiliteti dhe sigurie. Por gjithmonë duhet lidhur pjesa e legjslacionit me ekonominë reale. Sot që flasim kemi shumë biznese në vështirësim janë biznese që nuk janë nxitur dhe nuk kanë marrë ndihma nga qeveria sa i përket qoftë rimëkëmbjes pas tërmetit dhe pandemisë”, thotë eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj.

Sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar rimëkëmbja ekonomike ka nisur, megjithëse ka ende pasiguri të konsiderueshme për shkak të ecurisë së pandemisë. Politika monetare duhet të mbetet mbështetëse, duke pasur parasysh që presionet inflacioniste mbeten të ulëta dhe pritjet për inflacionin duhet të jenë të mirëankoruara. Rezervat e kapitalit të bankave duhet të ruhen derisa të dihet ndikimi i plotë i pandemisë në cilësinë e aktiveve bankare.

“Ne mbështesim qëndrimin e politikës monetare lehtësuese të BSH, pasi presionet inflacioniste mbeten të dobëta dhe pritjet për inflacionin të mirëankoruara. Sistemi bankar mbetet likuid dhe i qëndrueshëm. Vigjilenca e vazhdueshme, me një vëmendje të veçantë për kreditë e ristrukturuara, do të jetë kyçi për zbulimin e hershëm të ndonjë pike të dobët. Vendimi i BSH për t'i dhënë fund relaksimit të përkohshëm të klasifikimit të kredive dhe rregullave të provigjionimit është i mirëpritur. Për të ruajtur mirëkapitalizimin e bankave derisa të dihet ndikimi i plotë i pandemisë në cilësinë e aktiveve të tyre, BSH duhet të vazhdojë të kufizojë shpërndarjen e dividendëve.- thuhet në qëndrimin e stafit të misionit të FMN-së.

Ekspertët vendas e vënë theksin edhe tek nxitja e punësimit.

Shqipëria ka probleme të shumta sa i përket ekonomisë, ka probleme të shumta sa i përket konsumit dhe problem sidomos sa i përket punësimit. Dhe nëse faktorët, punësim, konsum dhe zhvillimi i sipërmarrjeve nuk koordinohen me njëra- tjetrën, ne nuk mund të presim asnjëher një rritje ekonomike reale. Kështu që jam skeptik dhe me siguri është një raport që do të rishikohet, siç ka ndodhur në të gjitha raportet e FMN-së. Është një raport që bazohet në disa parashikime që nuk përkojnë me realitetin.”, thotë Danaj

Ekipi i FMN-së ngre nevojën e një strategjie të shëndoshë afatmesme për të ardhurat, e cila duhet të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ecja përpara me këtë reformë të kahershme duhet të ndihmojë gjithashtu në krijimin e burimeve të nevojshme për të arritur objektivat e zhvillimit të Shqipërisë. .

Gjithashtu tërhiqet vemendja për monitorimin e lartë që duhet t’i bëhet projekteve me partneritet publik -privat dhe investimeve të tjera të nisura.

Reforma të tjera prioritare që duhet të ndiqen me më shumë këmbëngulje përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike dhe rritjen e monitorimit dhe menaxhimit të rreziqeve fiskale në rritje, veçanërisht nga partneriteti privat publik, ndërmarrjet shtetërore dhe garancitë qeveritare. Së fundmi, ndonëse e justifikueshme menjëherë pas tërmetit, përdorimi i procedurave të kufizuara në tenderat për rindërtim duhet të ndërpriten dhe fondet e rindërtimit duhet t'i nënshtrohen kontrolleve adekuate të menaxhimit të financave publike.”- thuhet në deklaratën e FMN-së.