Deri në vitin 2100, nivelet në rritje të oqeaneve dhe ngjarjet ekstreme, të tilla si baticat dhe stuhitë, do të kërcënojnë zonat bregdetare në të gjithë botën, me dëmtime të mundshme ekonomike të barabarta me 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto global. Ndër zonat më të prekura do të jetë Evropa Veriperëndimore, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë veriore, ndërsa brigjet mesdhetare llogariten relativisht të kursyera.

Në dekadat e ardhshme, zbutja e ngrohjes globale do të jetë gjithashtu një nevojë parësore në aspektin ekonomik, sipas një numri gjithnjë e më të madh studimesh. Më i fundit në rend kronologjik, botuar në “Scientific Reports”, nga Ebru Kirezci i Universitetit të Melburnit dhe kolegë të tij nga një bashkëpunim ndërkombëtar, parashikon që deri në vitin 2100 rritja e nivelit të oqeaneve për shkak të shkrirjes së akullnajave, të shoqëruara me ngjarje ekstreme, do të kërcënojë aktivitetet bregdetare për të një masë të tillë që do të vërë në rrezik deri në 20 për qind të produktit të brendshëm bruto global.

Rezultati del nga një llogaritje komplekse, e cila merr parasysh si rritjen e nivelit global të oqeaneve në skenarët e ndryshëm të përshkruar nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) i Kombeve të Bashkuara, dhe ngjarjet ekstreme, të tilla si stuhitë dhe baticat, dhe përmbytjet bregdetare që ato prodhojnë.

Ekspertët mblodhën të dhënat e disponueshme për stuhitë më të dhunshme dhe i kombinuan ato me parashikimet e rritjes së nivelit të detit në skenarë të ndryshëm të IPCC-së deri në fund të shekullit.

Me një model të zhvilluar prej tyre, ata më pas ndërthurën të dhënat me topografinë e zonave të ndryshme të planetit, duke identifikuar zonat bregdetare në rrezik përmbytjesh. Në fund, duke përdorur të dhëna për shpërndarjen globale të popullsisë dhe PBB-në në zonat e prekura, ata vlerësuan popullsinë dhe objektet në rrezik përmbytjesh.

Në skenarin më pesimist, pa masa zbutëse të gazeve serrë dhe pa projekte të mbrojtjes nga përmbytjet, autorët vlerësojnë se, deri në vitin 2100, pjesa e tokës së prekur nga përmbytjet bregdetare do të rritet me 48 për qind, rreth dy të tretat, për shkak të baticave dhe stuhive, dhe rreth një e treta prej rritjes së nivelit rajonal të detit.

Zonat e prira për t’u prekur nga përmbytjet përfshijnë territoret veriore të Australisë, Bangladeshit, Bengalit Perëndimor dhe Gujurat në Indi; në Shtetet e Bashkuara, Karolina e Veriut, Virxhinia dhe Mariland; në Evropën Veriperëndimore, Mbretëria e Bashkuar, Franca veriore dhe Gjermania veriore, ndërsa brigjet mesdhetare do të ishin relativisht të kursyera.

Për pasojë, popullsia botërore e përfshirë mund të rritet me 52 për qind. Kjo do të arrinte në 287 milionë njerëz, që është 4.1 për qind e banorëve të planetit. Në terma ekonomikë, ndikimi do të ishte po aq i rëndësishëm. Aktivitetet e prekura mund të rriten me 46 për qind, duke vënë në rrezik ekuivalentin e 14.2 trilionë dollarëve, ose 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto global.

Sipas studimit, arrihet në përfundimin se nëse pa investuar në mbrojtjen nga përmbytjet dhe pa zvogëluar emetimet e gazeve serrë, pasojat për popullsinë dhe ekonominë globale mund të jenë shkatërruese deri në fund të shekullit.

Prej vitit 1980, përmbytjet kanë shkaktuar humbje në total mbi 1 trilion dollarë, por situata duket se do të përkeqësohet në vitet e ardhshme. Një analizë nga “Aqueduct Floods” nga Instituti i Burimeve Botërore (WRI) zbulon se numri i njerëzve të prekur nga përmbytjet do të dyfishohet gjatë 10 viteve të ardhshme.

Instituti zhvilloi mjetin e parë të modelimit kushtuar përmbytjeve në vitin 2014. Drejtori i kërkimit për burimet ujore, Charlie Iceland, shpjegoi se ne jemi dëshmitarë të një rritje eksponenciale të vlerës së dëmit të shkaktuar nga përmbytjet në kohë reale.

Sipas ekspertëve, shkaqet e këtij përkeqësimi vijnë nga kriza e klimës, popullimi i zonave me rrezik të lartë dhe përdorimi i tepruar i ujërave nëntokësore, të cilat krijojnë probleme për mirëmbajtjen e tokës.

Tre lloje kërcënimesh të gjitha paraqiten në zonat më të rrezikuara si India, Bangladeshi dhe Indonezia, banorët e të cilave do të përfaqësojnë 44% të popullsisë botërore që i nënshtrohet përmbytjes së lumenjve dhe 58% e njerëzve që pritet të përballen me përmbytjet bregdetare.

Vetëm përmbytjet e lumenjve do të prekin 132 milionë individë nga tani deri në vitin 2030, rreth 65 milionë njerëz në 10 vitet e fundit, duke trefishuar vlerën ekonomike të dëmit të pësuar nga zonat e prekura urbane, nga 157 miliardë në 535 miliardë dollarë.

Sa i përket përmbytjeve bregdetare, nëse ato prekin 7 milionë njerëz sot, në vitin 2030 ato do të prekin mbi 15 milionë njerëz.

Për më tepër, stuhitë do të bëhen aq të shpeshta dhe agresive saqë, së bashku me ngritjen e niveleve të detit, ato do të shkaktojnë dëme ekonomike prej 177 miliardë dollarësh, nga 17 aktuale.

Sipas studiuesve, deri në vitin 2050 situata do të jetë dramatike, me 221 milionë njerëz në rrezik nga përmbytjet e lumenjve dhe bregdetit dhe shpenzimet publike vetëm për zonat urbane që do të kalojnë 1.5 miliardë dollarë në vit.

Për studiuesit, investimi në masa mbrojtëse, të tilla si infrastruktura, nuk është i rëndësishëm vetëm për mbrojtjen e miliona njerëzve, shtëpive dhe bizneseve të tyre, por është gjithashtu thelbësor për mbështetjen e rritjes ekonomike.

Përgatiti: Irma Paloli