Viti 2020 dha një goditje të madhe për shumë sektorë të ekonomisë për shkak të pasojave negative që solli pandemia e covid-19. Instituti i Statistikave ka publikuar regjistrin e ndërmarrjeve në Shqipëri për vitin që kaloi, gjë që ka sjellë edhe mbylljen e disa prej tyre. Konkretisht vitin që shkoi në Shqipëri kishte 536 ndërmarrje më pak se në 2019-n.

166.386 është numri i ndërmarrjeve aktive në fund të vitit 2020, nga 162.342 në fund të vitit 2019”, thuhet në publikimin e Instat por këtu është përfshirë edhe numri i fermerëve të formalizuar.

Nga kjo shifër janë 49.053 fermerë të pajisur me Nipt ndërsa 117.333 ndërmarrje aktive. Ndërsa në 2019 -ën ishin 162 342 ndërmarrje aktive, nga këto 44 473 ishin fermerë dhe pjesa tjetër prej 117.869 ishin biznese. Përveç efekteve të pandemisë dhe pasojave që la tërmeti i fundit të nëntorit 2019, ekspertët e ekonomisë e lidhin mbylljen e bizneseve me ecurinë ekonomike.

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa shprehet lidhur me këtë se:

Rënia e ekonomisë që është diktuar për shkak të goditjes që ajo ka marrë duke filluar që nga viti 2009 dhe që është shoqëruar me një rënie të theksuar të prodhimit të brendshëm bruto, sigurisht që ka si efektin e vet të drejtpërdrejt edhe procesin e falimentimit. Në Shqipëri falimentimi është një fenomen i konsiderueshëm edhe për shkak të strukturës së sipërmarrjes private. Fakti që një pjesë e mirë e segmenteve të biznesit karakterizohen nga sipërmarrje mjaft të vogla, mundësitë financiare të të cilave janë modeste dhe të kufizuara, bën që ritmi i falimentimit të jetë i lartë. Kjo nuk ka dallim midis firmave nga pikpamja e origjinës së kapitalit, firmave të brendshme apo të huaja, por më së shumti lidhet me faktin se sa mburojë financiare kanë firmat apo sa kapital financiar të mjaftueshëm

Vërehet se sektori që është dëmtuar më shumë nga pandemia është ai i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me tkurrje prej 3.9%. Tregtia ka pësuar gjithashtu goditje dhe numri i ndërmarrjeve aktive në këtë sektor ra me 1.5%. E kundërta ka ndodhur me ndërtimin dhe teknologjinë e informacionit, të cilat kanë shënuar ecuri pozitive. Rritja e kërkesës për përdorimin e pajisjeve dhe teknologjisë gjatë pandemisë bëri që numri i ndërmarrjeve me aktivitet teknologjik të rritet me 8.4%, ndërsa ndërtimi për vitin 2020 ka shënuar dhe numrin

më të lartë të bizneseve të hapura nga të gjitha aktivitetet e tjera ekonomike, përjashtuar bujqësinë.

Nga të dhënat e detajuara vihet re se në vend, numrin më të lartë të bizneseve e zënë njësitë akomoduese ku numërohen 17,713 biznese, më pas vjen tregtia me 43 668 ndërmarrje, industria 9 571 ndërmarrje aktive dhe ndërtimi e transporti. Sipas Instat-it në Bashkinë Tiranë janë përqendruar pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, ndërsa në Bashkinë Pustec shënohet numri më i ulët i tyre.

“Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë vetëm 1,2 % ndaj totalit të ndërmarrjeve. Kontributi i tyre në punësim llogaritet në 48,5% në vitin 2020, nga 47,8% në vitin 2019”-thuhet në publikimin e Instat-it.

Shumica e bizneseve aktive janë të përqendruar në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, ndërsa ekonomia vijon të dominohet nga ndërmarrjet e vogla.

Viti pandemik preku edhe bizneset e huaja.Të dhënat e publikuara nga Instat tregojnë se gjatë vitit të kaluar e mbyllën aktivitetin 408 ndërmarrje të huaja dhe me pronësi të përzier vendase dhe të huaj, duke shënuar një rënie me 6.3 përqind të numrit të sipërmarrjeve të huaja në raport me vitin 2019. Sipas analizës bie në sy se rënia më e fortë e bizneseve është shënuar nga partnerët tregtarë (Italia, Greqia, Kosova, Turqia, Gjermania, Maqedonia, Izraeli, SHBA) me rreth 16% .

Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 3,6 % të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 4,0 % të ndërmarrjeve aktive në vitin 2019, dhe punësojnë 12,4 % të të punësuarve gjithsej. Ndërmarrjet nga vendet e Bashkimit Evropian përfaqësojnë 62,2 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. – thuhet në të dhënat e publikuara nga Instat për vitin që kaloi.

Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 77,8 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqëndruar kryesisht në bashkitë Tiranë dhe Durrës, përkatësisht 64,9 % dhe 12,1 %.

Pandemia nuk pati vetëm anën negative, disa biznese gjetën terren dhe lulëzuan. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2020 kishte gjithsej 3647 biznese në fushën e shëndetësisë me një rritje 4%, në raport me vitin 2019, ose 139 subjekte më shumë. Shumë sipërmarrës situatën e pandemisë e përkthyen në mundësi të reja, duke u fokusuar në fushën e shërbimeve shëndetësore, pasi edhe nevoja për këto shërbime nga qytetarët u rrit. Në pandemi konsumatori u orientua më shumë drejt shpenzimeve për ushqime, medikamente dhe pajisje teknologjike dhe po ashtu ishte më i prirur drejt kursimit.

Ermand Mertenika, inxhinier i pajisjeve mjekesore tregon për Radio Ejani që tendenca e zgjerimit të shërbimeve në fushën e mjekësisë dhe shëndetësisë në rang global vijon edhe përgjatë këtij viti edhe pse në nivele më të ulta.

Duke patur parasysh se kemi një rënie të aktivitetit covid mendoj se kërkesat do të jenë normale. Kërkesa do të ketë në mënyrë të vazhdueshme, por piku mendoj se ishte në 2020. Flasim për tregun global. Për pajisjet oksigjenuese, të cialt ishin të vetmet për të diagnostikuar covid 19 –tën, kërkesat ishin shumë të larta dhe ofertat ishin të ulta për shkak se piku i prodhimit ishte shumë i ulët. Dhe duke krahasuar tregun e Shqipërisë me tregun global, kuptohet që në Shqipëri është një treg i vogël, ku kemi të bëjmë me një kërkesë shumë të vogël për pajisje mjekësore

Gjatë pandemisë specialistët ngrenë shqetësimin edhe për rritjen e çmimeve ndaj konsumatorëve për dhënien e shërbimeve mjekësore dhe shëndetësore.