Një nga sektorët më të prekur direkt nga shkaqet që solli pandemia në të gjithë botën, ishte turizmi dhe i gjithë rrjeti që lidhet me këtë sektor. Karantina totale në periudhën mars-maj të vitit të kaluar dhe kufizimet e orareve, bënë që sektori i akomodimit, restorantet dhe qendrat argëtuese të pësonin edhe goditjen më të madhe. Konkretisht sipas INSTAT-it, bizneset e akomodimit dhe shërbimit ushqimor pësuan një tkurrje prej rreth 4% gjatë vitit të kaluar. Por pas një viti të vështirë, pritshmëritë për sezonin veror të këtij viti janë pozitive dhe kjo mund të çojë në një rikuperim të shpejtë të sektorit.

Edhe pse duket ende larg krahasimi me shkëlqimin që njohu turizmi para krizës së pandemisë, sërish parashikimet optimiste lënë shpresë që turizmi të rigjallërohet shpejt.

Situata e paqartë po mban ende larg dhe të pavendosur turistët nga vendet e Europës Perëndimore, Qendrore e Veriore, por shpresat janë për kompensimin e tyre nga turistët nga rajoni dhe padyshim nga Kosova.

Në një prononcim për Radio Ejani, Lediona Bejte nga Unionit Turistik Shqiptar flet për situatën aktuale dhe prenotimet e të huajve

Sezoni turistik këtë vit ka një përmirësim kundrejt vitit 2020, megjithatë mbetet ende larg volumit të 2019-tës. Interesi vjen kryesisht nga vendet e rajonit si Serbia, Maqedonia, Bullgaria dhe si çdo vit pushuesit nga Kosova janë prezent në zonat bregdetare. Pjesën më të madhe të rezervimeve edhe këtë vit e zënë pushuesit e plazhit, kryesisht ata polakë , çekë dhe ukrainas, të cilët vijnë të organizuar me fluturime charter. Ky sektor ka ndihmuar sigurisht vazhdimësinë e punës tek resortet e zonës së Durrësit, megjithatë së fundmi stimuluar edhe nga nisja e fluturimeve direkte ka një interes të shtuar nga tregje të reja si Egjipti, Emiratet dhe Arabia Saudite. Këto janë kryesisht rezervime për klientë individualë ose për grupe të vogla familjare. Ndërsa sa i përket grupeve të mëdha të organizuara turistike nga vendet e Europës perëndimore, lëvizja nuk ka filluar ende për shkak të politikave kufizuese të Bashkimit Europian”, thotë Lediona Bejte nga Unionit Turistik Shqiptar

Për turistët që ende nuk kanë vendosur të kalojnë pushimet në Shqipëri, përfaqësues të sektorit të turizmit, shpresojnë rikthimin në normalitet pas sezonit veror.

Ne shpresojmë që rifillimi për këtë sektor të jetë gjatë muajve të vjeshtës pra nga shtatori e në vazhdim. Duhet përmendur se hyrja e lirë në shqipëri pa nevojën e testit PCR, ka lehtësuar ndjeshëm mbërritjen e turistëve gjatë kësaj periudhe si edhe përmirësimi i situatës Covid në vend apo vaksinimi i operatorëve turistikë na ka ndihmuar në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik nëpër botë”, shprehet Lediona

Problem është kufizimi i orarit për subjektet turistike. Edhe pse ora policore u shty në 23.00, njësitë akomoduese thonë se kjo është e pamjaftueshme në një kohë kur turistët kanë nisur të vijnë dhe sezon është i hapur.

Një ndër problematikat që mbetet është ora policore për një pjesë të restoranteve dhe të hoteleve, por edhe rikthimin në punë i stafeve të kualifikuara nga postet gjatë pandemisë, mbetet një tjetër vështirësi si për operatorët ashtu edhe për hotelet”, shton ajo

Kufizimet e vendosura mes vendeve të ndryshme kanë sjellë menjëherë reflektim të numrit të ulët të turistëve tradicionalë”, thotë Lediona Bejte nga shoqata e turizmit.

Ajo shtoi se “Gjithashtu edhe pengimi i lëvizjes së lirë të turistëve që hyjnë në Shqipëri nga Greqia ka sjellë këtë vit një rënie të numri të rezervimeve në jug te vendit, kryesisht në Sarandë dhe në zonat përreth”.

Sa i përket Shqipërisë, Organizata Botërore e Turizmit vlerëson se ka varësi të lartë nga turizmi, i cili kontribuon me mbi 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe punëson direkt ose indirekt më shumë se 200 mijë persona. Qeveria shqiptare beson se sezoni veror këtë vit do të jetë më i lehtësuar ngaqë ata janë në përfundim edhe të vaksinimit të stafit të operatorëve turistikë dhe në këtë periudhë të pandemisë ata besojnë se do të ketë më shumë pushues nga shtetet e tjera, të cilët do e zgjedhin Shqipërinë për t’i kaluar pushimet.

Në një intervistë për Report Tv ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka deklarur se në vitin 2022 ne mund t’i afrohemi vitit 2019-s, pasi akoma jemi një vend në zhvillim të resorteve turistike, në zhvillim të ofertës turistike.

"Unë kam bindjen e thellë që shumë shpejt ne do të kapim 10 milionë turistë të huaj në vendin tonë, por sot në këto momente që flasim jemi ende në 1/3 e ofertës turistike që të ofron Shqipëria sot", është shprehur ministri Klosi

Shifrat kanë treguar se sezoni turistik i vitit 2020 është shpëtuar nga kosovarët të cilët në numër të madh kishin zgjedhur Shqipërinë për pushime, ndërkaq numri i vizitorëve nga shtetet e tjera ra dukshëm si pasojë e pandemisë. Ndërsa në vitin 2019 sipas të dhënave të INSTAT-it, pati një rekord prej 6.4 milionë të huajsh që zgjodhën Shqipërinë për pushime.