Të dhënat e Ministrisë së Tregtisë të Kinës tregojnë që vjet niveli i tregtisë mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore shënoi vlerën 103.45 miliardë dollarë amerikanë, duke i kaluar për herë të parë 100 miliardë dollarët, me një rritje 8.4 % në krahasim me vitin 2019. Numri i udhëtimeve të trenave të rregullt Kinë-Europë ishte 12 400, 50 % më shumë se në 2019-n. Deri në fund të vitit 2020, Kina bëri 3.14 miliardë dollarë amerikanë investime të drejtpërdrejta në vendet e EQL-së, ndërsa këto vende bënë investime me vlerë prej 1.72 miliardë dollarësh amerikanë në Kinë.

Qysh nga viti 2012, kur filloi mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-EQL, niveli i tregtisë mes dy palëve ka shënuar rritje me afro 85 %, mesatarisht 8 % në vit. Bashkëpunimi tregtar mes Kinës dhe vendeve të EQL-së ka treguar gjallëri dhe elasticitet të fuqishëm, si edhe mundësi të gjera për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në Cangzhou të provincës Hebei është ndërtuar zona e bashkëpunimit mes ndërmarrjeve Kinë-EQL dhe po ndërtohet qendra e biznesit e vendeve të EQL-së. Pas ndërtimit, ky do të jetë vendi i përhershëm për zhvillimin e forumit të bashkëpunimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme të Kinës dhe EQL-së.

Zona e bashkëpunimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme Kinë-EQL do të përpiqet për bashkëpunimin Kinë-Europë në sektorët e aviacionit, bujqësisë dhe prodhimit me nivel të lartë. Deri në nëntor të vitit 2020, në këtë zonë u nënshkruan 118 projekte me vlerë mbi 100 milionë juanë. Në nëntorin e vjetshëm u zhvillua Panairi i Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme Kinë-EQL, ku u tërhoqën mbi 300 ndërmarrje dhe u nënshkruan 30 kontrata bashkëpunimi dhe 17 memorandume bashkëpunimi.

Krahas kësaj, edhe në qytetin Ningbo të provincës Zhejiang janë zhvilluar Ekspozita e 2-të Kinë-Vendet e EQL-së dhe Ekspozita e Mallrave të Vendeve të EQL-së. Në provincën Liaoning po ndërtohet aktivisht zona e demonstrimit të bashkëpunimit ekonomik Kinë-EQL në brezin ekonomik bregdetar. Bashkëpunimi mes Kinës dhe EQL-së në nivel vendor po thellohet dita-ditës.

“Kina ka shtuar pandërprerë importin e mallrave prej vendeve të EQL-së. Ky është një favor jashtëzakonisht i madh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të vendeve të Europës Qendrore e Lindore,” thotë drejtori i Dhomës së Tregtisë të Varshavës, Traçek. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë një pjesë të rëndësishme në ekonominë e vendeve të EQL-së. Me mekanizimin e bashkëpunimit ekonomik Kinë-EQL, gjithnjë e më shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme të Europës Qendrore e Lindore po futen në tregun kinez, ku kanë gjetur raste të reja biznesi. Posaçërisht në periudhën e epidemisë, bashkëpunimi me Kinën u ka sjellë besim të madh ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të vendeve të këtij rajoni.

“Epidemia ka goditur rëndë ekonominë globale, por lidhjet ekonomike mes vendeve të EQL-së dhe Kinës kanë pasur rritje, çka tregon rolin e rëndësishëm të Kinës në nxitjen e globalizimit ekonomik dhe bashkëpunimit ekonomik ndërrajonal. Besojmë që me nxitjen e samitit të liderëve Kinë-EQL, bashkëpunimi dypalësh në tregti dhe ekonomi do të ngjitet në një nivel të ri,” thotë drejtori i Qendrës për Studime Globale pranë Akademisë së Shkencave të Çekisë, Marek Hrubec.

Qysh nga krijimi i mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-EQL, kompanitë kineze kanë marrë pjesë në një kontingjent projektesh që janë lidhur ngushtë me jetën e banorëve vendorë, duke krijuar jo vetëm përfitime të dukshme ekonomike, por edhe efekte shoqërore e ekologjike.

Me investimet nga grupi kinez "Wanhua", parku industrial "Borsod" në Hungari është shndërruar nga një ndërmarrje në prag të falimentimit në një nga pesë kompanitë kryesore të vendit. Termocentrali në Rovinari të Rumanisë, i ndërtuar nga grupi kinez CHD, jo vetëm ka ruajtur 3 000 vendet e mëparshme të punës, por edhe ka krijuar 1 800 vende të reja pune. Termocentrali i Stanarit në Bosnjë-Hercegovinë është ndër të parat projekte të mëdha infrastrukturore në EQL që ka përdorur një kredi të posaçme me vlerë 10 miliardë dollarë amerikanë në kuadër të mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-EQL. Edhe ky qytet i vogël në Ballkan është rigjallëruar me investimet kineze...

Ish-zv.kryeministri dhe ministri polak i Financave Grzegorz Kolodko thotë: “Me nxitjen e ndërtimit të përbashkët të nismës ‘Një brez, një rrugë’ dhe me mekanizmin e bashkëpunimit Kinë-EQL, investimet dhe projektet nga Kina në vendet e EQL-së janë në rritje të pandërprerë dhe shumë prej tyre kanë lidhje me jetesën e popullit. Një bashkëpunim i tillë ka rëndësi të madhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së popujve të vendeve të EQL-së dhe është në të mirë të pakësimit të distancave të zhvillimit brenda BE-së”.

Kina planifikon që në pesë vjetët e ardhshëm të importojë mallra me vlerë 170 miliardë dollarë nga vendet e EQL-së dhe të zgjerojë bashkëpunimin në ekonominë digjitale, tregtinë elektronike dhe sektorin e shëndetësisë. Ministri i Financave i Hungarisë Mihaly Varga u shpreh: “Bashkëpunimi Kinë-EQL ka nxitur zhvillimin e platformave dhe modeleve të reja të biznesit. Një sërë masash favorizuese do të shtojnë lidhjet tregtare dypalëshe, do të rritin besimin e vendeve të EQL-së në bashkëpunimin me Kinën dhe do të favorizojnë mëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik në Europën Qendrore e Lindore.”