Fabrika Caterina Firenze

Fabrika Caterina Firenze

Kompania “Caterina Firenze” i ka rrënjët përpara 15 vitesh në qytetin e Beratiti dhe tashmë është kthyer lider në prodhimin e këpucëve të punuara me dorë. Kompania me themelues sipërmarrësin Kriton Prendi prodhon këpucë për markat më të njohura ndërkombëtare dhe gjithashtu ka dalë në tregun botëror me markën e saj “Caterina Firenze”. Punimi me dorë i çdo produkti dhe jo me makineri, bën që këpuca të ruajë performancën që ka patur që në fillim, kur del nga fabrika. Sipërmarrësi Prendi tregon për fillesat e këtij biznesi:

“Ideja e “Caterina Firenze” ka nisur në vitet 90-të, atëherë kur unë shkova për të punuar në Itali dhe eksperienca ime e parë ka qenë në një fabrikë këpucësh. Aty kam mësuar për herë të parë se si prodhohej këpuca, teknika e këpucëve dhe mënyra e shitjes nëpërmjet panaireve. Pas 5 vitesh eksperiencë në fabrikën në Itali, më lindi ideja që kjo gjë mund të krijohen më së miri në Shqipëri, duke qenë se ambjentet ishin favorizuese dhe kostot e punës “

Janë disa dizenjatorë italianë, të cilët punojnë në avancë në kërkim të modeleve më të fundit për të qenë gati me koleksionet e reja. Modelet e “Caterina Firenze” shpalosen edhe në panaire ndërkombëtare.

Showroom i Kompanisë Caterina Firenze

Showroom i Kompanisë Caterina Firenze

“Sot “Caterina Firenze” merr pjesë në disa panaire ndërkombëtare , në shtete të ndryshme si Itali, Rusi dhe New York”, shprehet themeluesi i saj

Kapacitetet prodhuese të kompanisë “Caterina Firenze” janë të mëdha.

“Kapaciteti i “Caterina Firenze” sot është 2000 palë këpucë në ditë, por që nuk jemi në gjendje t’i prodhojmë për shkak të pandemisë”, thotë Prendi

Me një stil unik, komode dhe 100 përqind lëkurë, këpucët “Caterina Firenze” kanë gjetur treg në shume vende.

Publicitet i kompanisë Caterina Firenze në Berat

Publicitet i kompanisë Caterina Firenze në Berat

“Pjesmarrja nëpër panaire ndërkombëtare ka bërë që të kemi klientë të ndryshëm në të gjithë botën, siç është Amerika, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Rusia dhe të gjitha Shtetet e Evropës dhe Komunitetit Evropian”, thekson ai.

Kompania “Caterina Firenze” ka gjetur terren të gjerë edhe në Shqipëri dhe Kosovë nëpërmjet shitjeve online.

“Tregu Shqiptar sot për “Caterina Firenze” përbën 10 % të prodhimit të saj. Kjo për faktin se Shqipëria është një shtet me një popullsi të vogël prej 3 milionë banorësh dhe forca blerëse e saj përpjestohet në bazë të popullisë dhe mundësive ekonomike”, shprehet Prendi.

Madje për t’ju përgjigjur kërkesës së klientëve janë hapur edhe dy showroom, përkatësisht në Tiranë dhe në Berat, ne vendin ku lindi kompania “Caterina Firenze”. Sfidat që solli koronavirusi janë parë si mundësi dhe jo si një problem nga themeluesi i kësaj kompanie.

Prodhime të Caterina Firenze

Prodhime të Caterina Firenze

“Ideja e showroom-it është një koncept i ri, që i bashkangjitet shitjeve online. Të qenurit në Tiranë dhe së fundmi edhe në qytetin e Beratit dhe shumë shpejt do të happen disa showroome në Shqipëri dhe jashtë saj si në Prishtinë, Athinë e gjetkë. Ideja është që i jep mundësi njerëzve që përpara se të blejnë produktin online, të kenë mundësi që ta provojnë”tregon sipërmarrësi Prendi.

Një nga sektorët që preku më shumë pandemia ishin pikërisht fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe tekstileve, sektori fason. Padyshim kësaj situate të vështirë nuk i shpëtoi as “Caterina Firenze”, e cila ndjeu goditjen e efekteve negative të pandemisë.

Në kompaninë e prodhimit të kepucëve me cikël të mbyllur, 100 përqind “Made in Albania” janë të punësuar mbi 400 punëtorë, të cilët kanë një mundësi të mirë pune dhe janë kthyer në specialistë të kësaj fushe në prodhimin e këpucëve. Ditë pas dite “Caterina Firenze” njeh vetëm rritje dhe objektivat për të ardhmen janë për zgjerim të mëtejshëm edhe në vende të tjera.

Më tej sipërmarrësi Kriton Prendi flet për projektet e tij

Caterina Firenze

Caterina Firenze

“Të flasësh sot për objektivat e të ardhmes dhe projektet e “Caterina Firenze” nuk është një gjë e thjeshtë, sepse pandemia na privoi nga shumë gjera, nga produkti, kostot dhe fuqia punëtore. Kjo bëri që të gjitha planet e marketingut të rishikohen dhe çdo hap të bëhet mjaft i kujdesshëm dhe i matur”

Veç këpucëve, “Caterina Firenze” ka shtuar edhe produktin e çantave dhe në të ardhmen aspiron të shtoje edhe veshjet. Synimi i “Caterina Firenze” është që të kthehet një brand i kompletuar, jo vetëm në Shqipëri por edhe në tregjet ndërkombëtare, duke ofruar një stil të personalizuar, me ngjyra dhe dizajn unik që bën të dallohet në treg.

Rehatia dhe origjinaliteti i produkteve 100 përqind lëkurë janë pikat e forta të kompanisë, që ruan traditën dhe kualitetin e lartë prej 15 vitesh.

O.Maloku