Ekspozita e dytë Kinë-Vende të EQL-së dhe Panairi Ndërkombëtar i Mallrave të Konsumit nisi të martën e kaluar në qytetin Ningbo të provincës Zhejiang në Kinën lindore.

Me synimin e saj për zgjerimin e tregtisë midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), ngjarja katërditore tërhoqi mbi 7000 blerës dhe 2000 ekspozues. Në këtë ekspozitë pati produkte dhe makineri të ndryshme që lidhen me sektorët elektronikë dhe shëndetësorë, sigurisht që nuk munguan dhe produktet e teknologjisë së lartë si lazer dhe avionë.

Ningbo po planifikon të importojë mallra me vlerë 10 miliardë dollarë nga vendet e EQL-së, tha zv.kryetari i Bashkisë së Ningbo-s, Li Guanding.

Qyteti ngriti platforma për të promovuar tregtinë mes ndërmarrjeve kineze dhe atyre nga vendet e EQL-së, si virtualisht ashtu edhe fizikisht. Gjatë nëntë viteve të fundit, tregtia midis Kinës dhe vendeve të EQL-së është rritur me një normë mesatare vjetore prej 8%, më shumë se dyfishi i tregtisë midis Kinës dhe BE-së. Investimet dypalëshe midis Kinës dhe vendeve të EQL-së janë në shifrën e afro 20 miliardë dollarëve. Dogana e Ningbo-s ka lëshuar 32 masa mbështetëse për importin e mallrave nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Të dhënat nga Dogana e Ningbo-s tregojnë se në vitin 2020, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë midis Ningbo-s dhe vendeve në Evropën Qendrore dhe Lindore është afro 30 miliardë juanë (4.68 miliardë dollarë). Importet e mallrave nga Evropa Qendrore dhe Lindore arritën 3.76 miliardë juanë, një rritje prej 6.3 për qind në krahasim me vitin 2019. Kjo shifër përbën 2 për qind të totalit të vendit dhe më shumë se gjysmën e totalit të provincës Zhejiang.

Nga janari në prill të këtij viti, importet dhe eksportet e Ningbo-s në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ishin 11.96 miliardë juanë, një rritje prej 48.8 për qind me bazë vjetore.

Midis vendeve në Evropën Qendrore dhe Lindore, Ningbo ka regjistruar rritje në vëllimin e importit dhe eksportit me 13 vende. Pesë partnerët kryesorë tregtarë të qytetit janë Polonia, Sllovakia, Republika Çeke, Sllovenia dhe Rumania.

Vlera e përgjithshme e importeve dhe eksporteve nga Ningbo në Poloni në katër muajt e parë ishte 3.94 miliardë juanë, një rritje vjetore prej 32 për qind, duke zënë 32.9 për qind të totalit të qytetit për të njëjtën periudhë.

Ningbo është bërë qendra më e madhe e shpërndarjes së mallrave në Evropën Qendrore dhe Lindore.

"Në vitin 2015 kur morëm pjesë në ekspozitë, zbuluam potencialin e madh të produkteve të Evropës Qendrore dhe Lindore," tha Chen Yi, menaxher i përgjithshëm i “Ningbo Dijia Vida Trading”.

"Kompania nisi të merrej me importin dhe shitjen e ushqimit dhe verës së Evropës Qendrore dhe Lindore.

"Nga importi fillestar i një kontejneri në importin e tanishëm vjetor të më shumë se 100 kontejnerëve, ne ndoqëm gjurmët e ekspozitës për t'u bërë më të mëdhenj dhe më të fortë," shtoi Chen.

"Njohja e konsumatorëve vendas me produktet e Evropës Qendrore dhe Lindore është gjithashtu në rritje."

Bashkëpunimi me Evropën Qendrore dhe Lindore është bërë një kartë biznesi për hapjen e Ningbo-s me botën e jashtme.

Ningbo ka ndërtuar Pavijonin Shumëvjeçar të Mallrave të Evropës Qendrore dhe Lindore me një mbulim gjithëpërfshirës, kategoritë më të pasura dhe modelin më të fundit në Kinë.

Deri tani, në të gjithë vendin janë krijuar 36 qendra të shitjeve direkte të produkteve të posaçme të Evropës Qendrore dhe Lindore. Në të njëjtën kohë, në zonën e tregtisë së lirë Ningbo është krijuar një park tregtar dhe logjistik për mallrat e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Ningbo e ka kuptuar prej kohësh që për të arritur një bashkëpunim më të thellë ekonomik dhe tregtar me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duhet të zgjedhë shpërndarjen e burimeve dhe të përmirësojë efikasitetin e të gjitha palëve përmes platformës.

Në shkurtin e kaluar, Ningbo lëshoi Planin e Përgjithshëm për Ndërtimin e Zonës së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar Ningbo Kinë-EQL, propozoi ndërtimin e zonës pilot në një kanal të ri për nismën “Një brez, një rrugë” dhe nxitur eksplorimin lokal të sistemit të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Fillimisht është krijuar mekanizmi i bashkëpunimit “Pesë dete dhe gjashtë porte” midis Portit Ningbo Zhoushan dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe vëllimi i transportit të kontejnerëve arriti në 600 mijë në vitin 2020.

Ekspozita u mbyll më 11 qershor. Në të morën pjesë përfaqësues nga dhjetëra vende dhe u organizuan edhe 20 forume, bisedime ekonomiko-tregtare, aktivitete shkëmbimesh të qytetërimeve njerëzore etj. Ekspozita kishte një sipërfaqe të përgjithshme prej 200 mijë metrash katrore, afro 90 mijë metra katrorë më shumë në krahasim edicionin e parë, dhe mbi 3000 vende ekspozimi. Gjatë ekspozitës janë arritur marrëveshje paraprake blerjesh me vlerë të përgjithshme prej 10.78 miliardë juanësh dhe janë nënshkruar 97 projekte investimesh dypalëshe me vlerë të përgjithshme 18.21 miliardë dollarë amerikanë. Gjithashtu u formuan Aleanca e Industrisë së Shëndetit Publik Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe Aleanca Arsimore mes provincës Zhejiang dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Baza e Shkëmbimeve të Qytetërimeve Njerëzore Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore, Baza e Krijimit të Karrierës për të Rinjtë të Evropës Qendrore dhe Lindore në Zonën Eksperimentale të Tregtisë së Lirë të Zhejiang të Kinës etj., gjithashtu u themeluan zyrtarisht. Rrjeti i Shkëmbimeve Arsimore të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, Platforma e Shërbimeve Digjitale "Yixinou" mes Kinës dhe Evropës etj. filluan funksionimin.Përveç kësaj, gjatë ekspozitës, u organizuan Forumi i Kryetarëve të Bashkive Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore, Forumi i Zhvillimit të "Tregtisë Elektronike të Rrugës Mëndafshit" dhe aktivitete të tjera.