Edhe pse ekonomia shqiptare ka hyrë në një cikël të ngadaltë përmirësimi, pas krizës së pandemisë, pritjet inflacioniste ngelen të dobëta.

Në anketën e fundit të Bankës së Shqipërisë në lidhje me besimin e bizneseve dhe konsumatorëve, tregohet se pritshmëritë për nivelin e çmimeve në të ardhmen ngelen negative për shumicën e sektorëve, me përjashtim të sektorit të ndërtimit.

Në sektorin e industrisë, pritshmëria për cmimet është vecanarisht negative. Për majin, treguesi që tregon balancën e pritjes së çmimeve për të ardhmen ishte negativ me 23.2 pikë përqindje, në rënie të mëtejshme nga niveli 17.4% i muajit prill. Krahasuar me tremujorin e fundit 2020 dhe atë të parë të këtij viti, kur rënia kishte qenë më shumë se 30 pikë përqindje, ky tregues është në nivele disi më të përmirësuara

Edhe në sektorin e shërbimeve pritshmëria për rritje të çmimeve është e dobët. Për muajin maj, ky tregues ishte lehtësisht pozitiv, me 0.2 pikë përqindje, por në rënie të ndjeshme krahasuar me tre muajt e mëparshëm. Megjithëse ndodhemi në prag të sezonit turistik, ky element nuk është reflektuar në pritshmëritë e bizneseve të shërbimeve për ecurinë e ardhshme të çmimeve.

Ndërtimi vazhdon të ketë diferenca të mëdha me sektorët e tjerë për sa i takon pritshmërisë për çmimet, fakt që ndikohet kryesisht nga ecuria e tyre faktike në vitet e fundit.

As pandemia nuk solli frenim të rritjes së çmimeve në këtë treg, ndërsa pritshmëritë e bizneseve ngelen sërish në territor të rritjes pozitive.

Megjithatë, për majin pritshmëria e rritjes zbriti në 6.9%, në nivelin më të ulët që prej muajit janar. Në fund të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë vlerësonte se çmimet e banesave ishin në rritje dyshifrore, me 11.3% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Pritjet e bizneseve janë një faktor që monitorohet nga bankat qendrore për qëllimet e politikave monetare, sepse ato kanë një ndikim në ecurinë e inflacionit në të ardhmen e afërt.

Inflacioni ka shfaqur një tendencë të lehtë rritëse në muajt e parë të këtij viti, por ai ngelet ende nën intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë, prej 2%.

Ndërkohë treguesi i inflacionit bazë, që e zhvesh rritjen e çmimeve nga komponentët afatshkurtër dhe me luhatshmëri të lartë, për tremujorin e parë të vitit, ishte në nivelin 1.5%.

Banka e Shqipërisë nuk pret që inflacioni të rikthehet në objektiv para fundit të vitit 2022 dhe e ka shprehur qartë që kursi i politikës monetare duhet të vazhdojë të jetë stimulues, pavarësisht optimizmit për kthimin e rritjes ekonomike, duke filluar që nga ky vit.

Pavarësisht pritshmërive optimiste të bizneseve për një kthim në normalitet, ecuria e konsumit zhgënjeu gjatë muajit maj. Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT, tregojnë se inflacioni, apo rritja e çmimeve, u ndal në 1.8% muajin e kaluar, edhe më poshtë nivelit të vitit të kaluar. Produktet e vetme që vijojnë të mbajnë inflacionin janë shtrenjtimi i ushqimeve, në veçanti frutat dhe perimet.

Qasje të ndryshme, nëse vazhdojnë të hezitojnë për të bërë shpenzime, apo kanë rinisur blerjet, kanë edhe banorët dhe bizneset e kryeqytetit.

Të dhënat e muajit maj përmbajnë edhe elementë pozitivë, që tregojnë për një rigjallërim të ngadaltë të konsumit për mallra të veçantë, si: veshjet për gra, elektroshtëpiaket, mobilimi i shtëpisë; si edhe shërbimet e kafe-restoranteve.

Ndërkohë BB, në raportin e fundit “Perspektiva Ekonomike Botërore”, ka ulur pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Banka parashikon një rritje më të moderuar në 4.4% për vitin 2021 dhe 3.7% për vitin 2022, të dyja me nga 0.7 pikë përqindje më pak, krahësuar me projeksionet e mëparshme të janarit. Ndërsa rritja në afatmesëm, pritet të nxitet nga reformat strukturore që do të meren në prag të anëtarsimit europian.

Por një shtyrje e mëtejshme e procesit të negociatave do ta cënonte atë. Risqe të metejshme janë vonesat e vaksinimit dhe paqëndrueshmëria politike.

BB vlerson se ekonomitë me varësi të lartë ng turizmi si Shqipëria dhe Mali i Zi, do të vijojnë të ndikohen nga kufizimet ndërkombëtare të udhëtimeve. Ndër vendet e rajonit, Banka Botërore parashikon rritje më të fortë ekonomike këtë vit për Malin e Zi në 7.1%, ndjekur nga Serbia me 5%, që rezulton kështu ndër ekonomitë që përballuan më mirë krizën e shkaktuar nga pandemia.

Elida Lazi