Në lagunën e Karavastasë, 40 km larg qytetit të Lushnjes, gjenden me mijëra hektarë tokë djerrë, sepse kripësia nuk toleron rritjen e bimëve. Por, një sistem i ri i teknologjisë izraelite, i investuar nga sipërmarrës shqiptarë, po e kthen këtë tokë në fermën më të madhe në rajon, që prodhon shegë të ëmbla dhe frutin ekzotik goji berry, mjaft të kërkuara nga tregjet e huaja, ku dhe eksportohen.

Grupi “Agro Iliria” po zhvillon një plan investimi shumëdimensional që përfshin 1100 hektarë tokë për rritjen e shegës, goji berry-t, një hapësirë për agroturizëm dhe një fushë golfi. Investimi fillestar është 6.6 milionë euro, por pritet të rritet në vitet në vijim.

“Të hënën dhe të martën më gjeni këtu, për të mërkurën flasim se ndoshta më duhet të lëviz pak për në Tiranë, por do të kthehem shpejt në plantacion”,–dëgjojmë në anën tjetër të telefonit.

Kjo është jeta e Shpëtim Osekut, administratorit të grupit “Agro Iliria” që në katër vitet e fundit, ndahet mes Tiranës dhe Divjakës, në fermën më të madhe me shegë dhe goji berry në vend. Për herë të parë, për fermën që do të ndërtonte grupi “Agro Iliria”, dëgjuam kur nga Këshilli i Investimeve Strategjike në fillim të vitit 2018 do të miratohej statusi i investitorit strategjik. E nga ai moment deri më sot mund të flitet me fakte konkrete, kompania ka nxjerrë në treg prodhimet e goji berry dhe të shegëve.

Ky investim është një nga shembujt, ku mund të shohësh se si ka marrë jetë dhe zhvillim një nga projektet e rëndësishme strategjike në fushën e bujqësisë .

Një orë e dyzetë minuta, pasi jemi nisur nga Tirana ndodhemi në hyrje të plantacionit. Një gjysmë kodrinë e ngritur artificialisht të pengon të krijosh idenë e asaj çka do të gjeje përballë. Janë parcela të tëra, të ndara nga njëra-tjetra, të lulëzuara dhe estetikisht të bukura për syrin, me një rregullsi të habitshme. Në kapanonin ngritur në hyrje të plantacionit gjejmë Shpëtim Osekun, duke ndarë detyrat për djemtë që punojnë aty. “A doni t’u hedhim një sy parcelave dhe pastaj flasim për detajet”, – na thotë. Pasi akomodohemi në një makinë të lartë, nisim edhe vizitën në fermë.

“Ne duam që të kemi fermën më të madhe në Europë. Deri tani kemi të mbjella dhjetë parcela, nga të cilat tetë janë me shegë dhe një me goji berry. Në total janë mbjellë diku te 200 hektarë, por ne presim që deri në fund të investimit që kemi planifikuar, hapësira e fermës të jetë 1100 hektarë. Sigurisht do të duhen disa vite për ta zbatuar atë” – shprehet Oseku.

Ai na sqaron se duhen minimalisht 46 mijë rrënje goji berry për 10 hektarë dhe 42 mijë rrënjë shegë për të njëjtën hapësirë. Për të dyja këto, kompania arrin t’i sigurojë fidanët vetë tashmë dhe këtë e vumë re në mjediset e jashtme të kapanonit, ku më së shumti kishte goji berry në vazo. Si shega ashtu edhe goji berry janë marrë nga Izraeli, që njihet për një industri të zhvilluar që ka në epiqendër shegën dhe po kështu është një nga eksportuesit më të mëdhenj në tregje të pasura me kthim të lartë fitimi, si Rusia apo Gjermania.

Administratori i “Agro Iliria” na sqaron se varieteti që është zgjedhur për t’u kultivuar është “Aco” i cili njihet për një prodhim më të hershëm sesa varietetet e tjera. Edhe goji berry është një varietet i marrë nga Izraeli. Mania për frutin e vogël në ngjyrë të kuqe, nisi në tregje në vitin 2015 pas një marketimi të gjerë të përfitimeve shëndetësore që kishte kjo e fundit.

Izraeli lëshoi gjithë potencialin e tij për të furnizuar kërkesën e madhe që hasi lidhur me këtë frut, por vit pas viti kërkesa është rritur më shumë sesa vetë prodhimi. Në vitet 2015, një kilogram goji berry i cilësisë së parë shitej për 50 dollarë në tregjet botërore.

Sot çmimi ka rënë disi, falë edhe një orientimi më të madh drejt kultivimit të saj. Në tregun shqiptar, 100 gramë goji berry të paketuara në kuti plastike në markete mund t’i gjesh për 300 lekë.

“Ne kemi kontrata paraprake për eksportin e goji berry-t dhe për shegën dhe nuk kemi probleme me gjetjen e tregut, pasi si shega edhe goji berry janë të kërkuara në tregjet e huaja. Ajo që ne synojmë është zgjerimi i eksporteve në tregjet europiane dhe aziatike”, – shprehet Oseku.

Cikli i jetës, si për shegën, edhe për goji berry-n, llogaritet në 30 vjet. Pas vitit të 25-të, ato kanë arritur potencialin e tyre dhe bëhet zëvendësimi gradual në parcela për të siguruar vijimin e prodhimit. Deri në fund të investimit, “Agro Iliria” synon që në plantacionin me 1100 hektarë të ketë të paktën 700 hektarë me shegë dhe pjesën tjetër ta ketë të kombinuar.

Si u kthye toka e kripur ku nuk rritej asgjë, në një tokë pjellore ?

Në prill të vitit 2019, Këshilli i Investimeve Strategjike i dha “Agro Ilirisë” statusin e investitorit strategjik. Bëhej fjalë për një hapësirë fillestare prej 800 hektarësh, ku kompania kishte aplikuar dhe përfituar tokën me kontratën 1 euro, për ta shfrytëzuar për 99 vjet. Por, pse u zgjodh pikërisht hapësira në zonën e Karavastasë së Re ?

“Për një plan biznesi si ky duhej një hapësirë e madhe toke, pa konflikte pronësie dhe me shtrirje uniforme. Të tillë në gjithë Myzeqenë nuk ke mundësi ta gjesh. Ndarja e bërë me ligjin 7501 e ka copëzuar në atë gradë tokën sa parcelat nuk shkojnë më shumë se disa hektarë. Kjo tokë kishte mbetur e pashfrytëzuar, sepse niveli i kripësisë ishte në atë masë sa që nuk e toleron shumica e bimëve.

Sot në pjesën ku kemi shegët dhe gojin, treguesi i kripësisë ka zbritur në 1500-2000. Kemi një sistem të veçantë që e ka siguruar këtë nivel.

Baula (struktura ku janë vendosur pemët) është 70 centimetra e lartë dhe e pajisur me ujë të kondensuar gjithë jetën, çka bën shpëlarjen apo largimin e kripës. Ne kemi ndërtuar një liqen për ujitje me kapacitet 250 mijë m³ ujë. Përmes atij, bëjmë edhe ujitjen me sistemin që kemi ndërtuar”, shpjegon Oseku.

Ky sistem, sipas tij, është tërësisht një risi në Shqipëri dhe për këtë është konsultuar me një ekspert nga Izraeli. Hap pas hapi, sistemi iu është përshtatur kushteve të Shqipërisë dhe po rezulton i suksesshëm. Këtë mund ta shohësh qartësisht teksa në plantacionin ku lulëzojnë shegët dhe goji berry-t duket gjithçka normale, kurse në plantacionin ngjitur, ku ende nuk ka nisur puna, mund të shquash vetëm një bimësi të rrallë, tipike për tokat e kripura dhe që shumë shpejt do të marrë trajtën kafe, nën veprimin e kripës dhe temperaturave të larta. Kripën mund ta shohësh qartësisht, edhe në hapësirat nga njëri rresht në tjetrin, mes shegëve dhe goji berry-t.

Përpara se të vendosej për bimët që mund të duronin kripësinë, grupi “Agro Iliria” mori në studim disa opsione dhe vendosi që në finale mes fikut, karçofit, shegës dhe goji berry-t të zgjidhte dy të fundit, për të zhvilluar planin e saj.

Vështirësia për krah pune dhe certifikimi i produkteve

Në fermën e grupit “Agro Iliria” janë të punësuar me kontratë me kohë të plotë 50 punonjës, ndërsa në kohën kur nis vjelja, punësohen edhe 100 të tjerë, me kontratë sezonale.

“E kemi shumë të vështirë për të gjetur punonjës, sidomos kur kemi kohën e vjeljes dhe na duhen më shumë njerëz. Kjo është e vështirë, sepse vetë fshati i sotshëm është organizuar në mënyrë të tillë që s’ka krah pune. Ata që janë, punojnë tek toka e tyre.

Pjesa tjetër janë pjesërisht në fshat sepse një kohë tjetër e kalojnë në qytet, pastaj është edhe ideja që jo të gjithë preferojnë këtë lloj pune” – shprehet Oseku.

Në potencialin e saj të zgjerimit me 1100 hektarë, punësimi që do të mundësojë ferma do të jetë për të paktën 1600 punonjës.

Teksa afrohemi te kapanoni, pasi kemi parë disa prej parcelave, ai na drejton për te magazina ngjitur. “Gjithçka që prodhohet në fermë është bio. Pra nuk ka përdorim të plehrave kimikë. Ne kemi të shtruar 250 kilometra tubacione të shpërndara në plantacion dhe uji që vjen nga rezervuari, që kemi ngritur përzihet me fertilizuesin organik dhe më pas shpërndahet në mënyrë organike te parcelat. Sot ne kemi të certifikuar në Spanjë si “bio” goji berry-n dhe me Global Gap shegën.

Planet për një agroturizëm dhe një fushë golfi

Kur flasim për 1100 hektarë tokë, të para nga lartësia më e madhe që mund të të ofrojë Karavastaja, që është një kodrinë e vogël e sajuar disa metra e lartë dhe ku ndodhet rezervuari i plantacionit, të duket një hapësirë gjigante.

Në të gjithë këtë hapësirë, grupi “Agro Iliria” ka vendosur që të ketë një miks të ofertës së saj me investime mikes, duke mos qënë kështu vetëm një prodhues i shegëve dhe goji berry-t.

“Ne duam që të paktën 140 hektarë të fermës të jenë agroturizëm. Nuk duam një model të rëndomtë agroturizmi, ku ti shkon, ha produkte tipike dhe largohesh. Duam që të ofrojmë një përvojë të veçantë sesi është të jetosh në fshat.

Brenda kësaj hapësire do të ngrihen stalla për kuaj, lopë, dele. Do të krijohet një hapësirë e dedikuar, ku të mund të vendosen 200 rulo me turistë, që do të duan të qëndrojnë”, shprehet Oseku.

Një tjetër investim që do të bëhet në këtë zonë është një fushë golfi. Nuk janë të pakta janë rastet kur Shqipëria është lakuar si një destinacion ku mund të zhvillohet ky lloj turizmi, nëpërmjet investimeve të kësaj natyre. Modeli i pare i këtij lloji pritet të jetë në këtë fermë në Karavasta.

Etleva Xhajanka