Biznesi në Shqipëri u përball me vështirësi të mëdha gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë Covid-19. Një pjesë e tyre e patën të pamundur të vijonin punën, kjo u vu re më shumë tek aktivitetet e huaja që operonin në Shqipëri.

Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT, 408 ndërmarrje të huaja dhe me pronësi të përzier vendase dhe të huaj e mbyllën aktivitetin e tyre. Kjo bëri që numri i sipërmarrjeve të huaja në vend, të bjerë me 6.3 për qind në raport me vitin 2019. Sipërmarrjet e mbyllura përbëjnë gati 7% të subjekteve të huaja e të përbashkëta që ushtrojnë aktivitetin në vend.

Rreth 16% ishte rënia e bizneseve nga partnerët kryesorë tregtarë (Italia, Greqia, Kosova, Turqia, Gjermania, Maqedonia, Izraeli, SHBA). Kjo ishte një rënie e fortë, por u kompensua disi nga hapja e bizneseve nga vende të tjera, të cilat u rritën me 23.5% më 2020.

Ndërmarrjet italiane në Shqipëri patën dhe falimentimet më të mëdha me rreth 408 të tilla. Italia është vendi me numrin më të madh të bizneseve në Shqipëri me rreth 2553 të tilla, me rënie 15 % në raport me vitin 2019. Ndërsa bizneset nga Izraeli patën dhe rënien më të madhe në përqindje me 59% pak se në 2019 ose me 99 biznese të mbyllura. Ndërmarrjet nga ky vend operojnë kryesisht në sektorin e call center dhe në bujqësi.

Gjatë vitit pandemik u mbyllën një seri biznesesh nga partnerët kryesorë tregtarë të vendit. 58 biznese mbyllën aktivitetin më 2020. Kosova pësoi rënie nga totali i bizneseve me 13 % gjatë vitit pandemik, ndërmarrjet nga Greqia shënuan rënie me 15%, ato nga Maqedonia me 22 %, dhe Turqia me 7%.

Por teksa bizneset nga partnerët tregtarë shënuan rënie, pësuan rritje bizneset me të cilat Shqipëria nuk e ka të zhvilluar shumë bashkëpunimin ekonomik.

Bizneset nga vendet e tjera në Shqipëri arritën në 1903 subjekte me një rritje 23 për qind, në raport me vitin 2019. Zinxhirët e furnizimit u dëmtuan nga kufizimet e pandemisë, ndaj shumë shtete që më Shqipërinë krijuan lidhje të reja gjatë pandemisë, duke hapur edhe biznese. Në të kundërt bizneset nga vendet partnere nuk mbijetuan në kushtet e krizës pandemike dhe ekonomike.

Sipas INSTAT, ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 3,6% të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 4,0% të ndërmarrjeve aktive në vitin 2019, dhe punësojnë 12,4% të të punësuarve gjithsej.

Ndërmarrjet nga vendet e Bashkimit Evropian përfaqësojnë 62,2% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Pronarët apo bashkëpronarët me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 77,8% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në bashkitë Tiranë dhe Durrës, përkatësisht 64,9% dhe 12,1%.

Përveç ndikimit negativ në shëndetin e njerëzve, pandemia e Covid-19 e vendosi ekonominë në një presion të panjohur më parë si rrjedhoje e kufizimeve në lëvizje. Teksa shumë biznese në fushën e tregtisë dhe shërbimeve falimentuan ose u vunë në mbijetesë, bizneset në sektorin e shëndetësisë lulëzuan.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2020 kishte gjithsej 3647 biznese me një rritje 4% në raport me vitin 2019, ose 139 subjekte më shumë. Teksa u shtuan bizneset e reja që ofronin shërbime shëndetësore, të tjerat që ishin tashmë të hapur, i rritën fitimet në rekorde. Gjatë vitit pandemik konsumi i popullatës u përqendrua tek ushqimet, medikamentet, shërbimet shëndetësore dhe pajisjet teknologjike.

Ndërkohë tendenca për biznese të reja në sektorin e shëndetësisë ka vijuar edhe më tej gjatë vitit 2021, sidomos në sektorin e farmaceutikes dhe shërbimeve laboratorike. Rritja e bizneseve në sektorin e shëndetësisë erdhi në një kohë që linja të tjera të shërbimeve të tilla si sektori i bareve dhe restoranteve ishin në krizë.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT gjatë vitit 2020 numri i bizneseve të shërbimit ushqimor dhe pijeve ra me 4.3%, kryesisht prej goditjes që erdhi nga kriza pandemike.

Sektori publik është ofruesi më i madh i shërbimeve të shëndetësisë në Shqipëri, por në dekadën e fundit po rritet gjithnjë e më shumë sektori privat në këtë linjë, duke krijuar hapësira për biznese të reja. Zgjerimi i shërbimeve në sektorin privat u rrit me hapjen e spitaleve private, por pandemia Covid-19 e çoi më tej këtë trend.

Shërbimet shëndetësore private edhe pse jo konkurrues në çmime në sektorin publik po fitojnë terren çdo ditë e më shumë për shkak të efikasitetit në cilësi dhe shpejtësi. Sektori privat do të zgjerohet më tej në të ardhmen, si pasojë e rritjes së kërkesës për shërbime shëndetësore nga plakja e popullsisë.

Ndryshimet demografike në favor të moshave të vjetra do të rrisin kërkesën për shërbime shëndetësore edhe në sektorin privat. Shumë ekzaminime ofrohen vetëm nga sektori privat për shkak të mundësive për të investuar më shpejt në risitë teknologjike, proces që në sektorin publik kërkon kohë.

Elida Lazi