Birrat nga Polonia, detergjentët për larjen e rrobave nga Hungaria dhe locionet për fytyrën nga Bullgaria ... Më 27 maj paradite, një kontingjent mallrash nga vendet e Europës Qendrore e Lindore mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Ningbo-së me linjën e posaçme për transportin e mallrave Ningbo-Budapest.

Këto produkte kanë një identitet tjetër të veçantë: atë të mallrave të Ekspozitës dhe Panairit të 2-të Ndërkombëtar të Mallrave të Konsumit Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore (EQL).

Pas kontrollit dhe zhdoganimit në aeroport, këto mallra u transportuan për në Qendrën Ndërkombëtare të Konferencave të Ningbo-së, ku do të presin hapjen e ekspozitës.

Një ditë më parë, aeroplani i fluturimit FM7037, që kryente misionin e mbartjes së mallrave, kishte çuar nga Ningbo për në Budapest 28 tonë mallra, si veshje, pajisje elektronike dhe materiale antiepidemike.

Nga bregdeti i Kinës Lindore deri në "Parisin e Europës Lindore", hapja e kësaj linje ajrore mes Kinës dhe EQL-së ka treguar lidhjen gjithnjë e më të ngushtë mes Kinës dhe vendeve të EQL-së. Kjo do të dëshmohet edhe në ekspozitën kombëtare Kinë-EQL që zhvillohet këtë javë në Ningbo.

Në qershor 2014, në Ningbo u zhvillua Ekspozita e 1-rë e Mallrave të EQL-së dhe takimi i parë i ministrave për nxitjen e tregtisë mes Kinës dhe vendeve të EQL-së. Qysh nga viti 2015, në Ningbo janë zhvilluar për 4 vjet me radhë ekspozitat e investimeve dhe tregtisë Kinë-EQL. Në vitin 2019, ekspozita Kinë-EQL u ngrit në nivelin e ekspozitës kombëtare dhe sivjet, Ekspozita e 2-të Kinë-Vendet e EQL-së, me temë “Formimi i modelit të ri, ndarja e mundësive të reja”, do të jetë plot me pritshmëri nga palët. Kjo ekspozitë është një arritje e rëndësishme për zbatimin e frymës së samitit Kinë-EQL dhe është veprim konkret për nxitjen e bashkëpunimit Kinë-EQL në ekonomi dhe tregti.

Të dhënat tregojnë që në janar-prill, import-eksporti nga aeroporti i Ningbo-së me vendet e EQL-së ishte 79.67 milionë juanë, 495.8% më shumë se një vit më parë. Ndër to, eksporti ishte 73.59 milionë, dhe importi 6.07 milionë juanë, përkatësisht 715.8 % dhe 39.7% më shumë se në të njëjtën periudhë të 2020-s. Partnerët kryesorë ishin Republika Çeke, Polonia, Sllovenia e Rumania, dhe mallrat kanë mbuluar sektorë të ndryshëm, si celularët, pajisjet elektro-shtëpiake, pjesët e këmbimit të makinave dhe produktet elektronike.

Linja ajrore Ningbo-Budapest u hap më 26 maj dhe do të mbyllet më 30 korrik. Çdo të mërkurë dhe të premte, aeroplanët nisen nga Ningbo dhe çdo të enjte dhe të shtunë kthehen aty. Vëllimi maksimal i transportit është 40 tonë dhe mallrat që transportohen janë kryesisht produkte bujqësore dhe ushqime. Kjo në fakt është si një urë ajrore ku mallrat e EQL-së mund të vijnë direkt në Ningbo.

Përgjegjësi i doganës së aeroportit të Ningbo-së bën të ditur: “Hapja e linjës së veçantë Ningbo-Budapest gjatë ekspozitës nga njëra anë mund të sigurojë zhvillimin e mbarë të ekspozitës, sepse mund të transportohen normalisht mallrat e saj dhe të zgjidhet vështirësia logjistike për hyrjen e disa mallrave nga jashtë. Nga ana tjetër, hapja e kësaj linje mund të thellojë ndërlidhjen mes Ningbo -së dhe vendeve të EQL-së dhe mund të nxisë shkëmbimet tregtare mes Kinës e EQL-së, duke hedhur një bazë për integrimin e mëtejshëm dhe krijimin e korridorit ajror mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore.”

Sipas tij, dogana e Ningbo-së ka hartuar një projekt të posaçëm për zhdoganimin e mallrave të vendeve të EQL-së, me synim që të garantohet mbërritja e mallrave në ndërtesën e ekspozitës.

Në qendrën e zhdoganimit në aeroportin e Ningbo-së, sektori doganor ka caktuar posaçërisht një pikë shërbimi për deklarimin e mallrave për ekspozitën Kinë-Vendet e EQL-së. Duke marrë parasysh që mallrat janë kryesisht ushqime e produkte kozmetike dhe procesi i zhdoganimit duhet të jetë efikas, dogana e aeroportit ka hapur aksesin e paradeklarimit dhe ofron shërbime të shpejta për mallrat e ekspozitës. Krahas kësaj, është vënë në përdorim linja e posaçme telefonike për pyetjet e mundshme të pjesëmarrësve.

Këto ditë, mallrat e vendeve të EQL-së si mjalti, birra dhe vera, po transportohen vazhdimisht në Ningbo, ku do të takohen me pjesëmarrësit në ekspozitë dhe konsumatorët kinezë. (Jiang Lei)