Vitin e fundit, ndikuar prej pandemisë, njerëzit kudo në botë i kthyen sytë gjithnjë e më shumë nga blerjet online. Përqindja e atyre që shpenzojnë vetëm ose kryesisht në dyqane ka rënë thuajse gjysmë për gjysmë. Të dhënat vijnë nga raporti i tregtisë elektronike “Ups Smart 2021”, i cili, janarin e kaluar, hetoi sjelljet dhe prirjet e mbi 10 mijë konsumatorëve në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Holandë, Belgjikë dhe Poloni.

Ndër arsyet që i shtynë blerësit të bëjnë porosi nga interneti, 41% e të anketuarve treguan si faktorin kryesor lehtësinë e dorëzimit, 50% lehtësinë e perceptuar, 61% mundësinë e gjetjes së ofertave dhe shitjeve më lehtë. Arsyet që shtynë konsumatorët fizikisht drejt dyqaneve ishin: 51% e të anketuarve me synimin për të mbështetur bizneseve të vogla në një situatë të vështirë, 32%cilësia më e mirë e shërbimit, 37% ndërgjegjësimi për të pasur një përvojë të personalizuar.

Me interes të veçantë për përdoruesit e internetit është shpërndarja falas e artikujve të blerë, një opsion i vlerësuar nga 60% e të anketuarve të moshës midis 18 dhe 24 vjeç dhe nga 64% e atyre mbi 55 vjeç. Për 83% të të anketuarve thelbësore është reputacioni i personit përgjegjës për dorëzimin e porosisë.

Studimi i “Ups” gjithashtu mori në shqyrtim edhe çështjen e qëndrueshmërisë. Lidhur me shitësit me shumicë dhe/ose ndërkombëtarë, 57% e konsumatorëve të pyetur do të preferonin të kishin paketime të qëndrueshme dhe ekologjike; 56% një tarifë minimale të dorëzimit; 56% mundësi shtesë të dorëzimit ose mbledhjes. Midis prirjeve “green” ndaj tregtarëve të vegjël dhe të pavarur, 34% e të anketuarve dëshironin më shumë automjete elektrike.

Studimi u përqendrua edhe në parashikimet se si do të jenë blerjet pas pandemisë. Në Evropë, rënia më e vogël e njerëzve që deklarojnë se duan të blejnë vetëm në dyqane ose kryesisht në dyqane u regjistrua në Gjermani, ku nga 39% para pandemisë shkoi në 32% në situatën e tanishme. Në përputhje me trendin evropian, të anketuarit që dëshirojnë të kalojnë në internet dhe në dyqane fizike u rritën nga 35% e mëparshme në 47% aktuale. Ndër arsyet kryesore për blerjen në dyqanet fizike janë kënaqësia e shëtitjes nëpër dyqane (41%) dhe perceptimi i një përvoje më të personalizuar (38%).

Tregtia elektronike e së ardhmes do të jetë gjithnjë e më shumë sektoriale. Ekzistojnë disa tendenca që, sipas të gjitha gjasave, do të drejtojnë zhvillimin e ardhshëm të tregtisë elektronike. Një nga më të rëndësishmet është rritja e blerjeve në celular. Nëse është e vërtetë që nga njëra anë blerjet në internet tani janë një realitet i konsoliduar, nga ana tjetër ato përfaqësojnë një sektor në zhvillim të vazhdueshëm, të destinuar të përshtaten më tej me nevojat e blerjes së një klientele gjithnjë e më “të zgjuar”. Si pasojë, segmenti i larmishëm i tregtisë elektronike, mund, në periudhën afatmesme dhe veçanërisht në planin afatgjatë, t'i nënshtrohet një transformimi rrënjësor, duke ndjekur rrugë të ndryshme.

Ky lloj trendi duket të jetë i zbatueshëm menjëherë për infrastrukturat e mëdha digjitale që shesin sasi të mëdha të produkteve të të gjitha llojeve, por nuk përjashtohet që, në të ardhmen, edhe shitësit me pakicë të specializuar në një sektor të caktuar të produktit mund të përdorin një zgjidhje të këtij lloji.

Një drejtim tjetër i zhvillimit të tregtisë në internet janë klientët. Do të ketë gjithnjë përdorues të rinj dhe rrjedhimisht, e gjithë përvoja e blerjes do të duhet të kalibrohet në bazë të profilit të ofruar nga një përdorues mesatar, duke marrë parasysh shkallën në rritje të përdorimit dhe njohurive të teknologjisë digjitale.

Ky lloj trendi përcjell një tjetër: nevoja për të zbatuar një shkallë më të lartë të personalizimit të blerjes, jo vetëm në termat e tranzicionit të thjeshtë ekonomik, por edhe në lidhje me shërbimet ndihmëse të blerjeve, siç janë ofertat e uljeve të çmimeve, kujdesi ndaj klientit dhe metodat e dërgesës dhe dorëzimi i produktit.

Sektorizimi i tregut në internet është tashmë një tendencë mjaft e dukshme, edhe pse përparësia e gjigantëve të blerjeve nuk është dëmtuar ende në mënyrë të konsiderueshme.

Tregtia elektronike e së ardhmes, e cila do të hyjë në një treg që tashmë është i ngopur në mënyrë të parashikueshme, nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë me platformat e mëdha për blerjet në internet.

Për rrjedhojë, ata do të duhet të drejtojnë përpjekjet e tyre drejt një sektori specifik të produktit, duke u përpjekur të përfitojnë nga mangësitë e tregtisë elektronike të madhe “grumbulluese", në një mënyrë të tillë që të përgjojnë kërkesat specifike të klientëve.

Ndër faktorët kryesorë që favorizojnë sektorizimin e dyqaneve në internet është shkalla më e madhe e specializimit: klienti mund të llogarisë në një zgjedhje më të gjerë, si në lidhje me markat e referencës, duke marrë jo vetëm nga katalogët e atyre më të suksesshëm, si në përgjithësi ofertat e produktit, për të përmbushur nevojat më të ndryshme, por edhe nga pikëpamja cilësore.

Përgatiti: Irma Paloli