Zhvillimet demografike në Shqipëri tregojnë rritje të numrit të pensionistëve. Mjafton të dalësh në qendrat e zonave urbane, të njësive administrative dhe dallon lehtësisht flokëbardhët të ulur në stolat e parqeve për të pushuar, apo të grubulluar për të luajtur shah apo tavëll. Pas vaksinimit masiv të moshës së tretë në Shqipëri pensionistët ndjehen më të çliruar nga masat që u kufizonin daljet në natyrë, për shkak të pandemisë. Kur u afrohesh me mikrofon, ndryshe nga mosha të tjera, pensionistët pranojnë të flasin, madje nuk refuzojnë të tregojnë shqetësimet e tyre, që lidhen më së shumti me pensionet e ulta.

Për Radio Ejani disa pensionistë në Tiranë ankohen se pensionet e tyre janë tepër të ulta dhe nuk arrijnë t’ua mbulojnë shpenzimet e domsdoshme jetike.

“Çfarë kënaqësie për pensionin! Kam bërë 47 vite punë me librezë pensioni dhe marr pension 244 mijë lekë, të vjetra. Unë kam qenë teknik ndërtimi dhe kam punuar gjatë gjithë kohës. Çfarë jete? Me vështirësi, me shumë vështirësi”, shprehet një pensionist.

Pjesa më e madhe e familjeve shqiptare ka një anëtar në emigracion, që është dhe burim të ardhurash për prindërit në atdhe. Ndaj kur flet me pensionistët se si arrijnë të mbulojnë shpenzimet për mjekime, por dhe detyrimet e tjera jetike thonë njëzëri “Të na rrojnë fëmijët!”

“Pas 95-ës janë liberalizuar pagat dhe është shtrenjtuar çdo gjë. Kuptohet tani që është tepër qesharak pensioni që marrim”

Pyetjes sonë se si i përballon shpenzimet ai përgjigjet : “Kuptohet nëpërmjet fëmijëve”

Ndërsa një tjetër pensionist thotë se “ Unë kam punuar 40 e ca vjet dhe mora një pension minimal prej 142 mijë lekë. Minimal, super minimal. Të na rrojnë fëmijët se me këto pensione...”

Një tjetër flokëbardhë duket i kënaqur me pensionin e tij.

“Me pensionin që mar jam shumë i kënaqur” , thotë ai

Numri i personave që përfituan pension vitin e kaluar në Shqipëri arriti në 665 mijë, ose 23% e popullsisë totale të vendit. Pensioni mesatar është shumë më pak se gjysma e pagës mesatare, një raport që për fat të keq e vendos moshën e tretë në shtresën e varfër të popullsisë shqiptare.

Një e re e legjislacionit “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” është se mosha e daljes së pension do të pësojë rritje nga viti në vit. Prej janarit të 2019-s, ashtu siç parashikohet në ligj, ka pasur ndryshime përsa i përket moshës së daljes në pension për të gjithë individët që kanë minimumi 15 vite pune me kontribute dhe kjo rritje e moshës do të vazhdojë deri në 2056.

Duke filluar nga viti 2021, burrat e kategorisë së parë me vjetërsi pune 37 vjet e 4 muaj në moshën 64 vjeç përfitojnë pension. Ndërsa gratë me 35 vite pune, dalin në pension në moshën 59 vjeç.

Në bazë të reformës së vitit 2014, masa e përllogaritjes së pensionit varet nga vitet e punës dhe paga, pra pensioni është produkt i viteve të sigurimit dhe pagës mbi të cilin janë paguar kontributet. Sa më shumë vite të ketë aplikanti dhe sa më e lartë të ketë qenë paga e tij, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se vjetërsia e plotë e kontributeve për të dyja gjinitë është 35 vite e 8 muaj, e cila rritet me 4 muaj në vit, për të arritur me 40 vite në vitin 2029.

Ndërkohë, personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar deri tri vite para mbushjes së moshës së daljes në pension të përcaktuar në nenin 92 kur kanë plotësuar vitet e sigurimit sipas nenit 92; apo nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.

Nënat që kanë lindur 6 apo më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.

Mosha e daljes në pension po ecën në raport të zhdrejtë me periudhën kontributive. Edhe pensionistët që intervistuam ne u ankuan se ndonëse kishin punuar për një kohë të gjatë, pensionet i kanë të ulta. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, kjo ndodh sepse ata nuk i kanë paguar rregullisht sigurimet.

Reforma për pensionet nisi të zbatohet në Shqipëri në fillim të vitit 2015 dhe pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet, deri në vitin 2025 dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Deri më 2051, grupmosha mbi 60 vjeç do të përbëjë rreth 35 përqind të popullsisë. Pritet që në vitin 2056 mosha e daljes në pension për burrat të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç për të ty gjinitë.

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, të ardhurat mesatare të pensionistëve janë shumë më të ulëta se të ardhurat tashmë të ulëta mesatare të qytetarëve të tjerë, dhe për këtë arsye shumica e pensionistëve nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për nevojat themelore. Për fat të keq shqetësimi i përbashkët i pensionistëve të Rajonit është mbijetesa.

Një dukuri e re e dhjetëvjeçarit të fundit në Shqipëri është ardhja e pensionistëve italianë për të jetuar këtu. Duke patur pensione shumë here më të larta se bashkëmoshatarët shqiptarë, pensionistët italianë kanë gjetur këtë zgjidhje sepse në Shqipëri pensionet e tyre nuk taksohen, çmimet janë më të ulta se në vendin e tyre dhe për ta ka më pak burokraci. Madje shpesh për mediet shqiptare ata janë shprehur se në Shqipëri kanë gjetur “parajsën”

Eda Merepeza