Turizmi në Shqipëri duket se po i rikthehet normalitetit. Ndërsa po rikuperon me shpejtësi edhe humbjet që shënoi nga pandemia. Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri janë rritur me shpejtësi në muajin prill. Vetëm gjatë këtij muaji kanë hyrë në vend 241 mijë shtetas të huaj, rreth 230 mijë më shumë se kundrejt një viti më parë, kohë kur shtetet vendosën masat bllokuese dhe vendi ishte tërësisht në karantinë.

Vizitorët e ardhur nga Kosova kanë patur dhe ndikimin kryesor në këtë rritje të numrit të turistëve. Rëndësia e turizmit nga Kosova është rritur ndjeshëm që pas pandemisë. Sipas të dhënave të INSTAT, për 4 mujorin e parë të 2021-it, pesha e turistëve nga Kosova është rritur në 51% të totalit, nga 29% që ishte në janar-prill 2019, përpara fillimit të pandemisë.

Numri i turistëve nga Kosova është i lartë çdo fundjavë, duke shpëtuar hotelet që dikur në këtë periudhë prisnin turistët nga Polonia, vendet nordike etj.

Gjatë katërmujorit të parë të 2021, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri është 754.796, duke u rritur me 1,3 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Duke analizuar vendin e origjinës së shtetasve të hyrë në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 2,1 herë dhe Zvicra me 2 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 4,4 herë dhe Anglia me 60,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Duke iu referuar të dhënave për katër mujorin e parë të këtij viti, hyrjet e shtetasve të huaj mbeten ende 31% më të ulëta se në nivelet e parakrizës (janar-prill 2019), të ndikuara kryesisht nga hezitimi i turistëve të Europës për të lëvizur, ndërsa hyrjet e shtetasve të Kosovës janë 21% më të larta se 4 mujori i parë 2019 .

Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Prill 2021, janë 466.283, duke pësuar një rritje të ndjeshme me 18,5 herë, krahasuar me Prill 2020.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në territorin shqiptar është 241.015 ose 19,8 herë më i lartë se i njëjti muaj i vitit paraardhës. Ndryshimet e treguesve të lëvizjes së shtetasve, janë ndikuar nga masat e pandemisë të vendosura në muajin Prill 2020.

Veç numrit të turistëve të huaj, rritje kanë shënuar edhe daljet e shqiptarëve jashtë vendit. Gjatë muajit Prill 2021, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë janë 449.930 duke shënuar një rritje me 18,8 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë është 230.468 ose 12,7 herë më i lartë se i njëjti muaj i vitit paraardhës. Numri i shtetasve të huaj të dalë nga territori i Shqipërisë është 219.462 ose 16,5 herë më i lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Europa është burimi kryesor i turistëve që vizitojnë Shqipërinë, Megjithatë së fundmi turistët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo Azia dhe veçanërisht Kina, kanë shënuar një interes domethënës rritës, duke inkuruajuar indirekt zhvillimin e nënsektorëve të tjerë të turizmit, sidomos turizmin historik dhe atë kulturor.

Ndërkohë masat e lehtësuara dhe heqja e karantinës kanë bërë që Shqipëria të shihet si një destinacion turistik i preferuar edhe për turistët e huaj. Pak kohë më parë, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se nuk do të ketë asnjë kufizim për turistët që duan të vijnë të kalojnë pushimet në Shqipëri.

Sipas kryeministrit, Shqipëria ndodhet në një situatë të mirë sa i takon vaksinimit, pasi është arritur brenda afatit objektivi për vaksinimin e 500 mijë qytetarëve. Ndërkohë që tani objektivi është për vaksinimin e 1milion qytetarëve.

Shqipëria është një destinacion turistik, me potenciale të madha, jo vetëm në turizmin e detit dhe rërës, por edhe në atë kulturor e historik.Qeveria po harton strategji që turistët të kenë mundësi ta vizitojnë vendin në 12 muajt e vitit. Kështu përveç ofertës turistike të qyteteve po punohet për të prezantuar edhe oferta turistike të zonave rurale, kulinaria shqiptare, agroturizmi dhe turizmi malor.

Ndërkohë edhe gjatë vitit 2020, që ishte një vit i vështirë për shkak të kufizimit të lëvizjes për të parandaluar përhapjen e Covid-19, sektori i turizmit performoi më mirë sesa pritej, duke shkuar në 55% të kapacitetit të tij, nga 10% që llogaritej në fillim të sezonit. Ajo që është cilësuar si “turizmi patriotik” dha rezultat dhe sektori i bëri ballë goditjes nga Covid-19.

Turizmi shihet si një burim i rëndësishëm i gjenerimit të të ardhurave dhe krijimit të vendeve të punës. Gjatë vitit 2020 shpenzimet e të huajve për udhëtime në Shqipëri llogariten 989 milion euro. Ndërsa të ardhurat nga udhëtimet në vitin 2019, viti më i mirë i turizmit në vend, ishin 2.1 miliard euro.

Elida Lazi