Nëse në fund të vitit 2019, 1.68 milionë përfaqësues të Diasporës dërguan në atdhe 1.32 miliardë euro, duke ndihmuar 23 përqind të familjeve në Shqipëri, me fillimin e krizës së COVID-19 në muajin mars 2020, me mbylljen ekonomike si dhe recesionin e thellë ekonomik, vlerat e remitancave në Shqipëri, si kudo në botë, filluan të bien.

Rënia më e ndjeshme ishte në tremujorin e dytë të vitit 2020, me gati 35% humbje vjetore (rreth 65 milionë euro). Në periudhën janar-shtator 2020, vlera e dërgesave të parave arriti në 471 milionë euro ose rreth 50 milionë euro (rreth 10%) më pak se në vitin 2019.

Remitancat, në kontekstin e zhvillimeve aktuale ekonomike, për BSH-së mbeten një potencial i madh për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik shqiptar, prandaj ato duhet të karakterizohen dhe trajtohen si resurse dhe si një kategori thelbësore në ekonomi.

Për rrjedhojë, në mënyrë që të lehtësohet transferimi i remitancave dhe të zbutet ndikimi i zvogëlimit dhe humbjes së tyre përpjekjet duhet të përqëndrohen në mekanizmat dhe masat e duhura për ti mbështetur ato, si dhe në uljen e kostove të dërgesave përmes promovimit të përdorimit të kanaleve digjitale.

Në këtë përpjekje me qëllim ruajtjen e flukseve të dërgesave të parave, organizatat ndërmjetëse, përkatësisht institucionet publike, grupet dhe organizatat e diasporës, IOM dhe Banka Botërore, duhet të rrisin bashkëpunimin e tyre dhe të përfshihen në hartimin e e rekomandimeve për masa konkrete për adresimin e dërgesave të parave.

Ndërkohë industria e dërgesave të parave ka qenë pjesë e përshpejtimit të digjitalizimit, që është e vëzhguar në shumë dimensione të jetës gjatë krizës COVID 19.

Duke filluar nga qershori 2020, flukset e remitancave përmes kanaleve digjitale janë rritur, sipas një raporti të ri të Bankës Botërore, veçanërisht për emigrantët me qasje në llogaritë bankare dhe kartat e kreditit.

Sipas raportit, Shqipëria renditet në dhjetëshen e përfituesve më të mëdhenj të remitancave në Europë dhe Azinë Qendrore, ndonëse në shifra më të ulëta se sa rajoni.

Duke iu referuar raportit, mësohet se përfituesi kryesor në Europë i remitancave ka qenë Ukraina, ndjekur nga Rusia dhe Uzbekistani. Shqipëria, e fundit me 1.5 miliardë dollarë në 2020, ndërsa në raport me PBB, 9.7%.

Raporti shpjegon se, duke u përballur me një mungesë të madhe të fuqisë punëtore në sektorë kyç (të tillë si bujqësia, ndërtimi, mikpritja dhe shërbimet e kujdesit) mes krizës COVID-19, qeveria gjermane vendosi të zgjasë programin e rregullimit të Ballkanit Perëndimor nën të cilin shtetasit e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Mali të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë gëzojnë qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës.

“Përveç kësaj, shtetasit e Ballkanit Perëndimor përfituan më së shumti nga Akti i ri i Imigracionit të Punëtorëve të Kualifikuar. Nga 30,200 viza me aftësi të larta të lëshuara në vitin 2020, gjithsej 2,024 u janë dhënë shtetasve serbë, 1,159 boshnjakëve dhe 778 shtetasve shqiptarë.”, thuhet në raport.

Sa i përket digjitalizimit të sektorit, raporti tregon se, shumë operatorë kryesorë të transferimit të parave raportuan rritje me dy shifra në shërbimet e tyre digjitale, në kontrast të fortë me rënien e shërbimeve të tyre të dërgesave të parave. Kalimi nga para kesh në kanale digjitale duket se ka vazhduar gjatë gjithë vitit 2020.

Të dhënat e fundit treguan se remitancat ndërkufitare u rritën me 65% në 2020 (nga 7.7 miliardë dollarë në 2019 në 12 miliardë dollarë në 2020), duke arritur mbi 1 miliard dollarë në transaksionet e dërguara dhe të marra çdo muaj. Besohet se ka pasur edhe një zhvendosje të gjerë në flukset nga kanalet informale në ato zyrtare në vitin 2020.”, bën të ditur raporti i BB.

Meqenëse dërgesat digjitale regjistrohen më mirë sesa dërgesat e parave kesh, veçanërisht ato të kryera me dorë ose të dërguara përmes kanaleve të tjera informale, të dhënat zyrtare ka të ngjarë të regjistrojnë më shumë remitanca edhe nëse madhësia e vërtetë e dërgesave të parave mund të bjerë. Ky vëzhgim është në përputhje me faktin se një numër i madh i familjeve të anketuara në TM2 raportuan se morën remitanca më të ulëta që nga fillimi i COVID-19 në Meksikë (35%) dhe Republikën Domenikane (54%) edhe kur bankat qendrore regjistruan flukse hyrëse më të larta.

Madhësia e vërtetë e dërgesave të parave, që përfshin flukse zyrtare dhe informale, besohet të jetë më e madhe se të dhënat e raportuara zyrtarisht, megjithëse shkalla e ndikimit të COVID-19 në flukset informale është e paqartë, nënvizon Banka.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë ka prezantuar botimin e saj të fundit me studime për remitancat, të titulluar “Pandemia dhe Remitancat”.

Sipas këtij raporti rritja e remitancave përfaqëson një zhvillim shumë pozitiv për ekonominë shqiptare, pasi ato luajnë një rol kritik për anëtarët e familjeve të emigrantëve që kanë mbetur në vendet e origjinës.

Remitancat ndihmojnë politikën fiskale, duke ndikuar në shtimin e konsumit në nivelet e PBB-së dhe TVSH-së. Ato mbështesin po ashtu sektorin financiar, duke liruar aksesin në kushtet e kredisë , politikën monetare, por edhe tregun e punës, duke dhënë mbështetje për të vetëpunsuarit dhe duke përbërë burim të rëndësishëm financimi për biznesin e vogël.

Elida Lazi