Në maj 2021, besimi i konsumatorit vazhdoi të rimëkëmbej dhe në BE u kthye në nivelin e tij para-pandemik, ndërsa në Eurozonë është madje pak më lart. Treguesi i Komisionit Evropian u rrit me 3 pikë, krahasuar me prillin.

Brukseli pret që BE-ja të kthehet në nivelet e rritjes para-pandemike sa më shpejt, madje që në tremujorin e dytë të vitit 2022, më herët sesa pritej vjeshtën e kaluar. Njoftimi u bë nga eurokomisioneri për Ekonominë, Paolo Gentiloni, duke shpjeguar se arsyet janë recesioni i vitit 2020 jo aq i thellë sa pritej dhe fillimi i fushatës së vaksinimit. Sidoqoftë, një në katër shtete do t’u duhej më shumë kohë për t'u kthyer në rritje të besimit të konsumatorit. Duke paraqitur parashikimet ekonomike të dimrit, eurokomisioneri shton se asnjë shtet anëtar i BE-së në vitin 2022 nuk do të kthehet në parashikimet e rritjes që kishte para krizës.

Ndihma e Fondit të Rimëkëmbjes do ta ndihmojë Evropën të rifillojë me një rritje që do të arrijë deri në 3.5% të prodhimit të brendshëm bruto. Gentiloni shpjegon se në vjeshtë u parashikua që Rimëkëmbja mund të ketë një ndikim prej 2% në PBB në vitet në të cilat ai do të jetë operacional. Shtetet me një PBB për frymë nën mesataren e BE-së do të marrin nxitjen më të fortë. Duke marrë parasysh një stimul prej gjashtë vjetësh, niveli i PBB-së 2021-2026 mund të jetë deri në 3.5% më i lartë se në një skenar pa rimëkëmbje.

Gentiloni paralajmëron për rreziqet e larta që vazhdojnë të rëndojnë në rimëkëmbjen ekonomike, të lidhura kryesisht me zhvillimet ekonomike, duke kërkuar kështu të shmanget një tërheqje e parakohshme e masave të mbështetjes për ekonomitë. Ai sqaron se ndihma duhet të jetë gjithashtu aktive për politikat për të mbështetur punën dhe punësimin.

Në fund të fundit, e gjithë Eurozona do të shohë dritën në fund të tunelit, pavarësisht se të gjitha vendet mbeten ende në kontrollin e pandemisë midis valës së re dhe varianteve. Brukseli zyrtar vlerëson rritjen me 3.8% në vitin 2021 dhe 2022, duke nënvizuar se pritet të kthehet në nivelet para-pandemike më shpejt nga sa pritej nga vlerësimet e vjeshtës.

Falë fushatës së vaksinimit dhe rihapjeve, Bashkimi Evropian dhe zona euro kanë lënë pas tyre krizën ekonomike të shkaktuar nga Covid-19 dhe të gjitha vendet anëtare pritet të kthehen në nivelet e PBB-së para krizës deri në fund të vitit 2022. Ky është skenari i përshkruar nga Komisioni Evropian në parashikimet e pranverës ekonomike.

Prodhimi i brendshëm bruto i BE-së pritet të rritet me 4.2% në vitin 2021 dhe 4.4% në vitin 2022, ndërsa ajo e Eurozonës përkatësisht me 4.3% dhe 4.4%. Investimet e financuara me Fondin e Rimëkëmbjes së BE-së duhet ta shtyjnë ekonominë drejt një rruge të zgjerimit të qëndrueshëm, i cili duhet të lejojë prodhimin të kthehet në nivelet e tij para-pandemike deri në fund të 2022.

“Të përveshim mëngët”, -tha eurokomisioneri për Ekonominë, Paolo Gentiloni, duke përshëndetur faktin se hija e Covid-19 ka filluar të shpërndahet nga ekonomia evropiane. “Pas një fillimi të dobët të vitit, ne presim një rritje të fortë si në vitin 2021 ashtu edhe në vitin 2022. Mbështetja fiskale e paparë ka qenë dhe mbetet thelbësore për të ndihmuar punëtorët dhe kompanitë evropiane të përballojnë stuhinë”, -shpjegoi Gentiloni.

Sipas nënkryetarit të Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, edhe nëse nuk është ende jashtë rrezikut, perspektiva ekonomike e Evropës duket shumë më e ndritshme. Për më tepër, sipas tij, Fondi i Rimëkëmbjes do të ndihmojë rimëkëmbjen dhe do të përfaqësojë një pikë kthese të vërtetë në vitin 2022, duke lejuar që investimet publike të rriten në nivelin më të lartë në mbi një dekadë.

Vendet e mëdha që u prekën më shumë në vitin 2020 do të kenë një kërcim më të fortë. Gjermania, pas një rënie prej 4.9% vitin e kaluar, pritet të rritet me 3.4% në vitin 2021 dhe 4.1% në 2022. Spanja, e cila humbi 10.8% të PBB-së në vitin 2020, pritet të rikuperohet me 5.9% këtë vit dhe 6.8% vitin tjetër. Franca, e cila postoi një rënie me 8.1% vitin e kaluar, pritet të regjistrojë një rritje me 5.7% në vitin 2021 dhe 4.2% në 2022.

Ndryshe nga parashikimet ekonomike të pranverës së viteve të kaluara, ato të vitit 2021 nuk do të përdoren për të bërë gjykime mbi llogaritë publike të shteteve anëtare individuale. Por të dhënat që përmbahen në dokumentin e botuar nga Komisioni Evropian janë megjithatë vendimtare në lidhje me debatin që do të hapet për riaktivizimin e Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes.

Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes është pezulluar deri në vitin 2022, por qeveritë duhet të vendosin nëse do të kthehen në normalitet edhe në kufijtë e borxhit prej 60% dhe deficitit prej 3%, me detyrimet konsoliduese fiskale. Fakti që të gjitha vendet anëtare duhet të kthehen në nivelet e PBB-së para krizës deri në fund të vitit 2022 luan në favor të një riaktivizimi të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes nga viti 2023.

Sipas KE-së, vitin e ardhshëm numri i vendeve anëtare me një deficit më shumë se 3% të PBB-së pritet të bjerë ndjeshëm. Mbi 3% do të jenë Belgjika (4.9), Estonia (3.3), Greqia (3.2), Spanja (5.2), Franca (4.7), Italia (5.8), Lituania (6.0), Malta (5.5), Portugalia (3.4) , Sllovenia (4.7) dhe Sllovakia (4.1).

Për KE-në, një tërheqje e parakohshme e stimujve mund të dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike, por në të njëjtën kohë mbajtja e tyre për një periudhë të zgjatur mund të çojë në krijimin e shtrembërimeve të tregut dhe barrierave të daljes për kompanitë jo të shëndetshme.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka propozuar një plan prej 50 miliardë eurosh për t'i dhënë fund pandemisë. “Nuk mund të ketë fund të krizës ekonomike pa i dhënë fund krizës shëndetësore. Dhënia fund e pandemisë është një problem i zgjidhshëm, por kërkon një veprim global të koordinuar më tej”, -deklaroi shefja e e FMN-së, Kristalina Georgieva. “Bota nuk ka pse të përjetojë dhembjen e një kërcimi tjetër të Covid. Me orë të forta veprimi global dhe pak fonde në krahasim me përfitimet, ne mund të dalim nga kjo krizë financiare”, -tha shefja e FMN-së.

Përgatiti: Irma Paloli