Pavarësisht krizës së shkaktuar nga pandemia Covid-19, por edhe nga termeti i 26 në nëntorit të 2019-s, ekonomia shqiptare vazhdon të ketë pozicion të qëndrueshëm në tregjet ndërkombëtare. Angjencia ndërkombëtare e vlerësimit ekonomik Moody’s, në një raport të publikuar ditët e fundit (21 Maj 2021), tregon se ekonomia shqiptare ka filluar të ndjekë nivel të qëndrueshëm dhe jep perspektiva pozitive për të ardhmen.

Sipas raportit, agjencia konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B1”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”. Ndërkohë që indikatorët kryesorë të ekonomisë kanë filluar të përmirësohen ndjeshëm duke iu kthyer niveleve të para pandemisë.

Agjencia vlerëson se ekonomia shqiptare u ndikua në mënyrë domethënëse nga pandemia, pasi goditja erdhi në një kohë kur situata ekonomike kishte filluar tashmë të dobësohej që pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe gjithashtu ku impakti u intesifikua edhe prej varësisë domethënëse të ekonomisë në sektorin e turizmit.

Megjithatë, agjencia vlerëson se, ekonomia shqiptare ishte në përgjithësi rezistente kundrejt goditjes së pandemisë. Reformat e ndërmarra si dhe masat mbështetëse ndaj qytetarëve dhe biznesit nga qeveria, bënë që ekonomia shqiptare të ketë një qëndrueshmëri.

Stabiliteti makroekonomik u ruajt dhe recensioni ishte më i zbutur se sa pritshmëritë fillestare dhe gjithashtu krahasuar me vendet e rajonit.

Shqipëria hyri në goditjen e pandemisë me një pozicion fiskal më të fortë falë përmirësimeve në vitet e fundit. Përgjatë katër viteve përpara pandemisë (2016-2019) deficiti mesatar ishte 1.8% e PBB dhe borxhi ishte vendosur në një trajektore rënëse, gjë e cila mundësoi një hapësirë fiskale për kundërpërgjigje ndaj goditjes.

Reagimi ndaj goditjes së pandemisë ishte relativisht më i vogël krahasuar me disa vende të rajonit, vlerësohet se ai ishte në kohën e duhur dhe i mirëtargetuar.

Autoritetet aktivizuan klauzolat devijuese prej rregullave fiskalë në 2020 për të mundësuar kundërpërgjigjen ndaj dy goditjeve (tërmetit dhe pandemisë), por në 2021 qeveria shqiptare do të synojë sërish objektivat në bazë të rregullave fiskalë në Ligjin Organik të Buxhetit (LOB), sipas të cilave borxhi duhet të reduktohet çdo vit deri sa ai të arrijë 45% të PBB.

Autoritetet në Korrik 2020, sinjalizuan vendosmorinë e tyre drejt konsolidimit fiskal duke bërë amendime të mëtejshme në ligj, ku përfshinë një obligim ligjor sipas të cilit balanca primare duhet të jetë jo më e vogël se sa zero (e balancuar) duke filluar nga viti fiskal 2023 e në vijim.

Agjencia vlerëson se, ndërsa implementimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave u shty si pasojë e pandemisë dhe vitit elektoral, përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave mbetet një element kyç për të mundësuar investimet kapitale të mëdha të parashikuara përgjatë periudhës afat-mesme.

Agjencia vlerëson gjithashtu se, dobësitë në pozicionin e jashtëm të ekonomisë mbeten të përmbajtura pavarësisht impaktit të pandemisë, ku parashikohet se dificiti i llogarisë korrente, pas një zgjerimi të përkohshëm në 2020 si rrjedhojë e rënies së fortë të të hyrave nga turizmi dhe remitancave, nga viti 2021 do të rikthehet sërisht në nivelet përpara pandemisë dhe do të mbulohet kryesisht nga flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte. Gjithashtu, niveli i rezervave valutore të vendit mbetet adekuat.

Sa i përket nivelit të borxhi publik, Moody’s parashikon se ai do të nisë të ulet brenda këtij viti. Angjensia sqaron se, vërtet përgjatë vitit 2020, borxhi publik në Shqipëri u rrit ndjeshëm për shkak të pandemisë , duke shkuar në 77.8% por vlerson se këtë vit do të fillojë reduktimi i tij. Madje parashikohet se borxhi publik do të vijojë të reduktohet për tre vjet rresht, derisa në vitin 2023 të ketë shkuar në nivelin jashtë rrezikut.

Me gjithë dobësitë e shfaqura dhe përkeqësimit të situatës së përgjithshme ekonomike të vendit, si rrjedhojë edhe e varfërisë ndaj sektorit të turizmit, prurjet e të cilit u përgjysmuan një vit më parë, Moody’s në rishikimin e fundit, theksoi se ekonomia shqiptare ishte rezistente ndaj tyre.

Sipas angjencisë, sfidat strukturore që përfshijnë çeshtjen e pronave, informalitetin e lartë në ekonomi, si dhe nivelin e ulët të diversifikimit të eksporteve shqiptare, përbëjnë edhe shqetësimet kryesore për ekonominë e vendit, duke e bërë Shqipërinë të ekspozuar ndaj goditjeve që vijnë nga faktorë të brendshë me të jashtëm.

Ndër të tjera, Moody’s thekson në raportin e fundit rëndësinë në përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave që sipas agjensisë mbetet një element kyc për të bërë të mundur zhvillimin e investimeve të planifikuara për periudhën afatmesme.

Megjithatë agjencia vlerëson se detyrimet që lindin nga kontratat e partneritetit publik privat do të vazhdojnë të paraqesin rrezik në rrugën e konsolidimit fiskal të financave të shtetit.

Së fundmi, agjencia parasheh një vijimësi të politikë-bërjes në mbështetje të implementimit të reformave nën shtysën e procesit të integrimit në BE

Agjencia parashikon se rritja ekonomike do të rikthehet në 2021 dhe gjithashtu vlerëson se perspektiva e rritjes afatmesme mbetet e favorshme.

Elida Lazi