Hudhra është pjesë e pandashme e traditës shqiptare. 40% e tregut shqiptar furnizohet nga prodhim vendas i hudhrës dhe 60% e këtij produkti vjen nga importi kryesisht nga Kina dhe Greqia.

Por “Dupi Frut” është një ndër të paktat, për të mos thënë të vetmet kompani shqiptare që prodhimet e hudhrës i eksporton në Amerikë dhe vendet Europiane. Tashmë kjo kompani është shndërruar në një prodhues me standarde të larta në fushën e agropërpunimit.

Cilësia e lartë dhe prodhimet bio të kësaj kulture kanë bërë që të tërheqin vëmendjen e tregtarëve ndërkombëtarë të cilët tashmë hudhrat shqiptare i kanë pjesë të njësive të tyre tregtare dhe gjenden në tryezat e qytetarëve nëpër botë.

Produkti është i certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare duke garantuar eksporte të sigurta të hudhrës në tregjet e huaja.

Kompania e cila zotëron rreth 100 hektarë ferma në Kavajë dhe në Fier, përdor gjithashtu pajisjet dhe infrastrukturën më të mirë për prodhimin dhe përpunimin e hudhrave, duke u renditur krah kompanive bashkëkohore me kushtet e duhura të prodhimit cilësor.

“Dupi Frut” ka nisur eksportet e hudhrës që prej vitit 2015, përtej kufijve të Shqipërisë, fillimisht në tregjet rajonale, Maqedoni e Mal të Zi. Ndërsa me kohë kërkesat e tregjeve të huaja, për hudhrën ”Made in Albania”, u rritën dhe gjeografia e eksporteve u zgjerua në vendet europiane si në Holandë e Gjermani.

Kompania prodhon disa lloje të hudhrave, si hudhrën kokë, të qëruarën, hudhrat e grira dhe pudër të përpunuar.

Veç investimeve të vazhdueshme, “Dupi Frut” synon të zgjerojë prodhimin dhe bashkëpunimet me vende të tjera.

Ruajtja e farërave autoktone ka bërë që hudhrat e prodhuara nga “Dupi Frut” të jenë të përzgjedhurat nga partnerët jashtë vendit, të cilët vlerësojnë cilësinë e lartë, shijen dhe sigurinë. Ndërkohë rritja e cilësisë së produkteve shqiptare nëpërmjet standardizimit me kërkesat e tregjeve më të zhvilluara europiane, duke i bërë ato gjithnjë e më konkurruese, vijon të jetë në fokus të politikave mbështetëse të qeverisë për bujqësinë.

“Dupi Frut” arrin sot të eksportojë deri në tregjet holandeze, angleze, gjermane e amerikane, vetëm duke sofistikuar teknologjinë e përpunimit të produktit, me të cilin ajo prezanton suksesshëm, hudhrën.

Altin Dupi njëri nga dy vëllezërit përfaqësues të kompanisë “Dupi Frut”, na shpjegon në detaje aktivitetin e sipërmarrjes që kanë ngritur familjarisht, në prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e hudhrës, të farës autoktone shqiptare.

“Kompania jonë është një ndër eksportuesit e paktë të hudhrës shqiptare”, thotë Altini. Ai na tregon se falë mbështetjes financiare që ka përfituar nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, në rreth 25% të vlerës së investimit, për fabrikën e re të përpunimit dhe ambalazhimit të hudhrës, “Dupi Frut” arrin sot të eksportojë në tregjet e huaja perendimore.

“Duke sofistikuar teknologjinë e përpunimit të produktit, ne kemi arritur të prezantojmë dhe tregtojnë me sukses, hudhrën “Made in Albania”, në tregjet e huaja. Që nga 2015, kompania ka qenë pjesëmarrëse aktive në panairet e ndryshme Agro, që organizoheshin në vende të ndryshme të botës, duke përfituar eksperincë dhe mundësi më të mëdha bashkëpunimi me partnerët e huaj. Ndërsa teknologjia bashkëkohore e instaluar së fundmi, falë mbështetjes së programit IPARD dhe Skemës Kombëtare, na ka ndihmuar të rrisim produktivitetin e kompanisë dhe të krijojë një gamë të gjerë produktesh nga hudhra.

Synimet tona, po shtohen duke parë kërkesat e larta që ka tregu, dhe kjo natyrisht që sjell më shumë përfitime për ne dhe më shumë mundësi punësimi për komunitetin”- shprehet Altini.

Ai thotë se produktet e hudhrës janë të certifikuara me Global Gap, që është një nga standardet më të njohura ndërkombëtare.

“Që në fillim kishte shumë kërkesa. Filluam të mbjellim hudhrën vetë, patëm vitet e para goxha vështirësi në prodhim edhe në eksportet jashtë vendit, sepse duheshin shumë kapacitete për të përballuar tregjet ndërkombëtare. Kemi rreth 100 ha hudhër që prodhohet për eksport. Tani kemi ecur goxha përpara, por shpresojmë që vitin që vjen të rrisim me mbi 200 ha sipërfaqet me hudhër, që të kemi kapacitetet e duhura për eksporte të konsoliduara në tregjet e huaja” – thotë Altini.

Sipas tij, pas mbledhjes nga fusha hudhra i nënshtrohet një sërë procesesh përpunuese në fabrikë.

“Pas tharjes, e sjellim në dhomat frigoriferike për ta mbajtur, mund të jetojë dhe 2 vite në kushtet e duhura në dhomën frigoriferike.E qërojmë, e shkërmoqim, e paketojmë. Bëjmë gjithë procesin që është i nevojshëm. Kur është tregu për në Amerikë, e duan të qëruar dhe të paketuar në metodën e tyre. Ndërsa produktet që janë të cilësisë së dytë, kemi dy kompani që i furnizojmë. Një kompani në Gjermani që e furnizoj me hudhër pluhur, dhe një kompani në Maqedoni që e merr të grirë edhe të ngirë”- tregon ai.

Mbështetja që ka përfituar ai nga Skema Kombëtare dhe programi IPARD, ia ka lehtësuar shumë punën në kompani.

Altini thotë se, ka qenë një ndihmë ekonomike me impakt në investime të reja që lehtësojnë punën e biznesit.

Sipas tij, pajisjet e vakumit që ka marrë nga IPARD-i, i kanë shkurtuar kohën e kryerjes së porosisë. “Nëse një porosi do ta bëja për 15 ditë, me pajisjet e reja e bëj për 5 ditë se është kapaciteti më i lartë i prodhimit”- tha Altini. Sot fabrika punon me linja e pajisje të teknologjisë së lartë që Altini i ka blerë në Kinë dhe në vendet e BE-së.

Krahas zgjerimit të investimeve, kompania ka rritur dhe numrin e të punësuarve që shkon deri në 100 punëtorë.

“Dupi Frut” synon të arrijë 2000 ton prodhim vjetor të hudhrës, mbi 90% të së cilës e tregton për eksport. Kompania është duke zhvilluar kushtet më moderne të prodhim përpunimit, në bashkëpunim me simotrat e huaja, për të sjellë vlera e standard në çdo proces, nga fara e mbjelljes së hudhrës e deri tek blerësi, e konsumatori.

Produkti i përpunuar i “Dupi Frut” eksportohet në Holandë, ku vetëm kërkesa e fundit ishte 600 ton, prodhim i kategorisë së parë, në Angli, Gjermani e deri në Zelandë të Re, ndërsa në formë pudër kërkohet më së shumti në tregun amerikan. Kompania mbulon edhe tregun vendas, kryesisht Divjakën, Tiranën dhe Kavajën.

Për ekspertët e bujqësisë, fakti që kjo kompani ka arritur të çajë tregun holandez, që është me siklete të jashtëzakonshme nga pikëpamja e standardeve, tregon se prodhimet e saj janë të një niveli të lartë.

Mbështetjen që qeveria po adreson në drejtim të shtimit të kapaciteteve prodhuese dhe agropërpunuese, po nxit fermerët të bashkëpunojnë.

Altini thotë se “fuqizimi i fermerëve është shtimi i kapaciteteve prodhuese të atyre që kanë nga 2 dynym tokë dhe nuk është nevoja të bashkojnë tokat në mënyrë mekanike, por të bashkojnë interest. Që do të thotë, të shkojnë të bëjnë kontrata, secili bën punën te pjesa vet, me të njëjtën farë, me të njëjtën teknologji, me të njëjtat kushte, etj., etj duke nxitur kështu prodhimin dhe eksportet bujqësore”.

Për shumë vite, hudhra, përdoret si mjet terapeutik për shumë sëmundje, dhe së fundmi janë zbuluar dhe vetitë e saj mbrojtëse ndaj sëmundjeve të zemrës, tumoreve si dhe efekte antibakteriale të fuqishme. Të dhënat tregojnë se, hudhra ka mbi 5000 vjet që përdoret, ndërsa në Kinë, përdoret prej 3000 vjetësh në fushën e mjekësisë.

Etleva Xhajanka