20.7 mld lekë dëme i janë shkaktuar buxhetit të shtetit nga largimet e padrejta nga puna dhe çështjet gjyqësore të hapura ndaj enteve publike. Totali i këtyre të fundit kalon edhe faturat e papaguara të projekteve dhe investimeve në infrastrukturë. Deri në fund të muajit mars 2021, detyrimet e prapambetura të institucioneve arritën në 14.8 mld lekë, duke shënuar një rritje me 800 mln lekë .

Ndërkohë që përveç vonesave në detyrimet fiskale institucionet publike, sidomos bashkitë, kanë shkaktuar dhe borxhe të tjera pasi kanë shkelur rregullat ndaj qytetarëve.Në një raport të publikuar ditët e fundit nga Ministria e Financave tregohet se, brenda tre muajsh detyrimet e prapambetura janë rritur me 7.9 miliardë lekë.

“Detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore dhe institucioneve vendore deri në fund të marsit të këtij viti rezultojnë në rreth 20.7 mld lekë, nga rreth 23.8 mld lekë që ishin në fund të vitit të kaluar. Pjesën më të madhe të borxheve të akumuluara e zënë detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore, me rritje rreth 7.9 mld lekë në periudhën janar-mars dhe disa herë më lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar”, thuhet në raport.

Dëme të shumta janë shkaktuar nga humbjet e çështjeve gjyqësore që kanë pësuar institucionet publike në vend, për të cilët vlera e humbur kapi më tepër se gjysmën e borxhit në total. Nga ana tjetër, ministria sqaron se gati 30%-shin e këtyre borxheve është shkaktuar si pasojë e largimeve të padrejta nga puna, që në 2021 janë shtuar shumë. Në këtë drejtim më shumë dëme kanë shkaktuar Ministria e Infrastrukturës, e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave.

“Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë mban vendin e parë, me 29.1% të totalit, ose 2.3 mld lekë, e ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes me rreth 26.7% të totalit si dhe Ministra e Financave dhe Ekonomisë me 26.2% të totalit të detyrimeve të prapambetura duket të jetë ministria më e rregullt në drejtim të pagesave. Në vend të parë janë detyrimet e prapambetura rrjedhojë e vendimeve gjyqësore, me rreth 3.7 mld lekë. Ky zë, mban thuajse gjysmën e totalit, ose më saktë, 47.4% të totalit të detyrimeve të prapambetura të institucioneve qendrore, të paktën deri më 31 mars të këtij viti”,theksohet në raport.

Nga ana tjetër institucionet vendore vazhdojnë të jenë problematike dhe t’i sjellin më shumë dëme buxhetit të shtetit. Referuar të dhënave të publikuara bashkitë, përveç se vijojnë të japin performancë të dobët në mbledhjen e të ardhurave shkaktojnë dhe dëme të tjera.

Konkretisht, në tre muajt e parë të 2021, vetëm bashkitë kanë regjistruar 6.8 miliardë lekë detyrime të prapambetura, kryesisht për largime të padrejta nga puna. Ministria raporton se në shumë raste punonjësit e shkarkuar padrejtësisht i kanë hedhur institucionet në gjyq dhe kanë fituar, duke i shtuar kostot buxhetit të shtetit. Raporti tregon se, më shumë borxhe ka akumuluar Bashkia Kavajë, ndërsa më pak dëme janë shkaktuar nga Bashkia Shkodër. Gjithsesi, të gjitha bashkitë në vend kanë krijuar dëme të tilla për buxhetin.

“Në total, borxhet e institucioneve lokale llogariten në rreth 6.8 mld lekë. Në vend të parë në këtë listë borxhesh kemi Bashkinë Kavajë, me 840 milionë lekë detyrime të prapambetura, ose rreth 12% të totalit, e ndjekur nga Bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës me rreth 752 milionë lekë, ose rreth 11% të totalit. Në vend të tretë ndërkohë kemi Bashkinë e Vorës me rreth 674 milionë lekë, ose rreth 10%. Pikërisht tre vendet e para mbahen nga tre institucione vendore të qarkut të Tiranës. Vendin e institucionit vendor më të rregullt me detyrimet e mban ajo e Shkodrës, me vetëm 600 mijë lekë, e ndjekur nga Bashkia e Vlorës”, thuhet në raport.

Ndër bashkitë e mëdha, me më pak detyrime të prapambetura figurojnë edhe ajo e Fierit si dhe ajo e Gjirokastrës.. Ajo që bie në sy është edhe pesha mjaft e madhe që kanë në listën e borxheve bashki të vogla, si ajo e Belshit apo Roskovecit. Të dyja këto bashki së bashku zënë rreth 8.5% të totalit.

Duke iu referuar situatës, ish ministri i Financave Arben Malaj, në një intervistë televizive u shpreh se detyrimet e shtetit lidhur me largimet e padrejta nga puna janë një nga pikat më të dobëta që kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme ligjore. Sipas tij, kostoja që krijohet në rritjen e borxhit është shumë e lartë për një vend që ka sfida të mëdha për arsimin, e shëndetësinë dhe të ulë deficitin për një rritje të qëndryueshme ekonomike. Për ish ministrin është e nevojshme që largimi nga puna për individin që e bën atë të quhet shpërdorim detyre dhe të dënohet në bazë të ligjit.

“ Këta persona nuk duhen lejuar më të punojnë në administratën publike. Ka institucione në Shqipëri ku paguhen tre drejtorë, ai aktual dhe të tjerë të mëparshëm. Nëse nuk ndodh ky ndyshim nuk do të ketë zhvillim. Brenda maxhorancave qerisëse në Shqipëri ka një luftë të brendshme dhe sa largohet një ministër bëhet ndryshime edhe në administratë dhe ky është një shpërdorim flagrant pushteti. Legjislacioni për administratën publike, presionet nga BE për mos lëvizje të administratës janë bashkëkohore, por mentaliteti ynë vazhdon të jetë feudal”, u shpreh z. Malaj.

Ndërsa për ekspertin e ekonomisë Mateo Spaho, kjo situatë është një “gangrenë” e vjetër në Shqipëri, e cila ka filluar vit pas viti, dhe që zanafillën e ka tek përzgjedhja politike e administratës.

Spaho sqaron se për largimet nga puna, përgjegjësinë e mban shteti shqiptar. “ Me ligjet ekzistuese përgjegjësinë e mban shteti shqiptar për largimet nga puna dhe proceset gjyqsore të humbura. Që do të thotë që e mbajnë taksapaguesit shqiptarë”, tha ai.

Ndryshimet në administratë ndodhin edhe kur ndërrohen vetëm ministrat apo titullarët e institucioneve. Pak rëndësi ka nëse je nga e njëjta parti. Spaho paralajmëron se në fund të shtatorit mund të ketë reduktim të shpenzimeve dhe rritje të taksave.

Elida Lazi