Ekonomia shqiptare po jep sinjale pozitive për rimëkëmbje, pasi treguesit e buxhetit të shtetit, në pjesën e parë të këtij viti janë përmirësuar.

Sipas treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, për periudhën janar-prill 2021, në buxhet u arkëtuan 152.2 miliardë lekë, me një rritje prej 14% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Statistikat tregojnë se arkëtimet kanë kaluar edhe nivelet e parakrizës, duke sinjalizuar edhe një përmirësim të ecurisë së bizneseve dhe ekonomisë në tërësi.

Në raport me periudhën janar-prill të 2019-s, të ardhurat janë rritur me 2%. Ndërsa të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë pothuajse në të njëjtin nivel me katërmujorin e 2019-s. Tatimi mbi fitimin ka rënë me 14% në raport me nivelet e parakrizës. Një nga zërat që kanë patur ecurinë më të mirë të arkëtimeve, gjatë periudhës së parë të këtij viti, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave është tatimi mbi vlerën e shtuar , i cili gjeneroi rreth 43 miliardë lekë, duke iu referuar nivelit të 2019, cka tregon se konsumi po shfaq sinjale përmirësimi.

Zgjerim kanë parë edhe të ardhurat nga taksat e punës, tatimi mbi të ardhurat personale si zëri i sigurimeve shoqërore e shëndetësore, pasi u rritën jo vetëm në raport me 2020-ën, por edhe me vitin 2019. Rritja me 2% e të ardhurave në raport me parakrizën është ndikuar nga performanca e mirë e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që u zgjeruan me 10%, të ndikuara nga rritja e pagës minimale dhe maksimale për efekte të kontributeve të sigurimeve shoqërore, që hyri në fuqi nga 1 janari.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 4 mujore (Janar- Prill 2021) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë periudhës së pandemisë dhe lehtësitë fiskale në shtyrjen e mbledhjes apo zerimin e taksave.

Të ardhurat totale për 4-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën e 103% të planit të 4-mujorin. Ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, për këtë periudhë u realizuan me 99% të planit të periudhës.Në përputhje me parashikimet buxhetore. Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e katërt të vitit 2021rezultoi në rreth 14.6 miliardë lekë.

Ndërkohë të ardhurat nga tatim fitimi dhe të ardhurat e bashkive rezultojnë në rënie me nivelet e para krizës edhe pse në katër mujorin e parë të këtij viti në raport me 2020-ën, të ardhurat janë rritur. Kjo ka reflektuar edhe efektet që ka dhënë pandemia.

Përsa i përket shpenzimeve buxhetore nga ana tjetër, ato kanë ndjekur një trend në rritje në muajt janar-prill, duke arritur në 166,9 miliard lekë, me një realizim në masën 99.3% të planit të periudhës, ndërsa krahësuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, ky zë ka rezultuar 12.2% më i lartë ose mbi 18 miliardë lekë më shumë.

Ajo që vihet re nga të dhënat është një rritje e ndjeshme, si e shpenzimeve operative mirëmbajtje, ashtu edhe për ato kapitale kryesisht për investime. Ndërsa deficiti buxhetor pësoi rënie me rreth 927 milionë lekë, pasi rezultoi në 14,6 miliardë lekë në fund të muajit prill.

Edhe konsumi privat duket se i është rikthyer niveleve të para krizës së pandemisë, ku për të dytin muaj rresht, të ardhurat nga taksat në buxhetin e shtetit kanë shënuar rritje me 200 milionë dollarë më shumë, krahasuar me periudhën Janar-Prill, të një viti më parë, dhe me 30 milionë plus mbi vitin 2019-n. Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar arritën në fund të Prillit në 520 milionë dollarë, duke shënuar një nivel 18% më të lartë edhe se në 2019-n.

Sinjalet për një ringritje të ekonomisë i kanë dhënë të gjithë indikatorët që tregojnë nivelin e konsumit: akcizat, taksat nacionale dhe sigurimet shoqërore, por niveli i tatim-fitimit të biznesit dhe i mbledhjes së taksave nga të ardhurat personale është shfaqur i dobët, duke pasqyruar periudhën e vështirë të një viti më parë.

Prilli ka shënuar edhe muajin me nivelin më të lartë deri më tani të shpenzimeve të qeverisë, si për paga e pensione, ashtu edhe për fondet e veprave publike.

Në total zëri i shpenzimeve kapitale u rrit me 65 milionë dollarë vetëm muajin e shkuar, ndërsa fondi i rindërtimit kapi nivelin më të lartë të disbursimit në dy vjet: 68 milionë dollarë në total dhe rritje me 2.3 herë nga marsi në Prill. Ritme të larta kanë patur edhe për pagesat e ndihmës ekonomike të cilat arritën në 76 milionë dollarë, ndërsa pagesat e papunësisë u ulën duke dhënë sinjale për rigjallërim të tregut të punës. Situata e mbajtjes lart të nivelit të shpenzimeve ka bërë që deficiti të jetë në të njëjtat nivele me një vit më parë, afro 145 milionë dollarë.

Elida Lazi