- Kina tejkaloi Shtetet e Bashkuara duke u bërë partneri kryesor tregtar i BE-së vitin e kaluar, pasi importet e BE-së nga Kina gjatë vitit 2020 u rritën me 5.6 për qind në bazë vjetore në 383.5 miliardë euro (rreth 465 miliardë dollarë) dhe eksportet u rritën me 2.2 për qind në 202.5 miliardë euro.

- Vrulli i jashtëzakonshëm i tregtisë dypalëshe vijon të mbetet i fortë edhe në vitin 2021. Gjatë dy muajve të parë të vitit, eksportet dhe importet e BE-së në Kinë regjistruan rritje vjetore përkatësisht 13.6 për qind dhe 9.3 për qind, sipas të dhënave nga Eurostati.

- Kina dhe BE-ja jo vetëm që mund të forcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe të nxisin rimëkëmbjen e ekonomisë botërore, por gjithashtu kanë potencial të madh në zhvillimin e ekonomisë me karbon të ulët dhe teknologjisë digjitale, veçanërisht pas miratimit të marrëveshjes së investimeve.

- Megjithëse rritja ekonomike e botës është në ngërç për shkak të pandemisë COVID-19, Kina dhe Evropa kanë punuar së bashku duke u përpjekur për ta futur ekonominë në pistën e duhur.

Në këtë pikëpamje, kompanitë kineze në Evropë kanë luajtur një rol jetësor në rritjen e bashkëpunimit dypalësh përmes përmbushjes së angazhimeve të tyre për promovimin e zhvillimit lokal.

Për të ardhmen, këto kompani kanë besim në praninë e potencialit të madh bazuar në marrëdhënie më të forta Kinë-Evropë.

Partneri kryesor tregtar

Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar është një pjesë e rëndësishme e partneritetit Kinë-BE, tha kreu i Misionit të Kinës në BE, Zhang Ming, në konferencën vjetore të Dhomës së Tregtisë të Kinës në BE në fillim të prillit. Ka shumë rëndësi që Kina dhe BE-ja të mbajnë lidhje të forta ekonomike dhe tregtare, shtoi ai.

Në dhjetorin e kaluar, Kina dhe BE-ja përfunduan shtatë vjet negociata mbi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investimet. Të dyja palët nënshkruan gjithashtu një marrëveshje mbi treguesit gjeografikë në shtator 2020, e cila hyri në fuqi në 1 mars.

"Shpresojmë që marrëveshja e investimeve Kinë-BE do të miratohet dhe zbatohet sa më parë," tha për Xinhuan-n kreu i Dhomës së Tregtisë, Xin Haifeng.

"Marrëveshja ka një rëndësi historike dhe do t’i hapë rrugën një kornize ligjore më të qartë dhe më të qëndrueshme për kompanitë kineze dhe evropiane për të investuar në tregjet respektive," tha Xu.

Kina ishte investitorja numër një për IHD-të në Hungari në vitin 2020. Zëvendësguvernatori i bankës qendrore të Hungarisë, Banka Magyar Nemzeti, Mihaly Patai, shprehu besimin e tij se "bashkëpunimi ekonomik midis Hungarisë dhe Kinës është i fortë dhe po forcohet çdo vit".

"Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme për të vazhduar përpara," tha Patai për agjencinë “Xinhua”.

Përmbushja e angazhimeve

Song Mingjun, kryemenaxheri i linjës së “COSCO SHIPPING” për Finlandën u shprej i kënaqur me aktivitetin tregtar në këto kohë. Tani kjo kompani është transportuesi më i madh ndër tre firmat udhëheqëse botërore të Finlandës në industrinë pyjore që operon në Lindjen e Largët.

Eksportet e Finlandës nga COSCO SHIPPING janë rritur vitet e fundit. Në vitin 2020, eksportet e transportuara nga COSCO SHIPPING arritën 85,206 kontejnierë, një rritje prej më shumë se 7 për qind në bazë vjetore, tha Song për Xinhua-n.

Për të nxitur bashkëpunimin në fushën e energjisë së gjelbër dhe me karbon të ulët midis Kinës dhe Evropës, kompania “Shanghai Electric Power” është përqendruar në ndërtimin e projekteve të energjisë së gjelbër, të tilla si Parku i Erës Mozura në Malin e Zi dhe termocentrali trefazor Delimara në Maltë.

Kompania tani po planifikon të ndërtojë projekte të reja energjetike në Maltë për të ndihmuar vendin të realizojë objektivin e asgjësimit të karbonit deri në vitin 2050 të vendosur nga BE-ja.

Pas një zhvillimi mbi 20 vjeçar, “BYD Evropa” është shndërruar në një lider në fushën e automjeteve me energji të re. Mbi 1,800 autobusë elektrikë janë shpërndarë në mbi 20 vende evropiane, që përkthehet si një pakësim prej mbi 70 mijë tonësh të shkarkimeve të dioksidit të karbonit, tha për Xinhua-n kryemenaxheri i “BYD Evropa”.

Në Beograd, ura Zemun-Borca njihet si "ura kineze". E ndërtuar nga Korporata Kineze e Rrugës dhe Urës (CRBC), ura 1.48 km e gjatë, së bashku me 21.2 km rrugë hyrëse, përfaqëson investimin e parë të madh kinez në infrastrukturën evropiane.

Kompanitë kineze gjithashtu kanë kontribuuar në luftën e Evropës kundër pandemisë COVID-19.

Në fillim të vitit ndërsa disa kompani botërore të transportit pezulluan shërbimin e tyre përmes Finlandës për shkak të mosmbushjes së kontejnerëve dhe “COSCO SHIPPING” siguroi operacione normale për të garantuar zinxhirin e furnizimit të Finlandës.

"Ne fituam besimin e klientëve me shërbime të qëndrueshme gjatë një periudhe të veçantë," tha Song.

Mes pandemisë, Fabryka Lozysk Tocznych-Krasnik S.A., një prodhues kushinetash në Poloninë Juglindore të blerë nga grupi kinez “Tri-Ring”, arriti të mbajë të gjithë 1,650 punonjësit e saj në punë.

Në fund të janarit, “MGI Latvia” filloi prodhimin e automatizuar dhe të integruar të kontejnerëve laboratorë, për të përmirësuar kapacitetin lokal të testimit COVID-19 dhe për të ndihmuar Letoninë dhe vendet e tjera evropiane.

"Rimëkëmbja ekonomike shumë e nevojshme në Evropë dhe gjetiu e mund të rindizet nga shtimi i investimeve dhe marrëdhëniet tregtare", tha Xu. "Ndërmarrjet kineze janë të gatshme të kontribuojnë në investime dhe marrëdhënieve më të forta ekonomike midis Kinës dhe Evropës."

Bashkëpunim i begatë

Kompanitë kineze në Evropë besojnë se Kina dhe BE-ja, si dy ekonomi të mëdha botërore, kanë potencial të jashtëzakonshëm bashkëpunimi në epokën post-pandemike.

"Aktualisht, bashkëpunimi dhe partneriteti janë më të rëndësishëm se kurrë. BYD-ja shpreson se do të vijnë më shumë mundësi bashkëpunimi dhe partneriteti me përfitime të ndërsjella," tha Ho, duke shtuar se këtë vit “BYD”-ja do të sjellë kamionë të rinj në tregun evropian.

Bashkëpunimi triumfoi ndaj kundërvënies dhe marrëveshja historike mbi treguesit gjeografikë midis Kinës dhe BE-së tregon se bashkëpunimi sjell përfitime për tregtinë, prodhuesit dhe konsumatorët e të dyja palëve, tha Xu.

Në Hungari, gjiganti kinez i teknologjisë “Lenovo Group” po ndërton një strukturë prodhuese, e cila hap 1000 vende pune dhe prezanton teknologji të përparuar.

Ndërsa shitjet e automjeteve të reja elektrike po rriten në Evropë, prodhuesi kinez i automjeteve elektrike NIO ka njoftuar hyrjen në tregun evropian për gjysmën e dytë të vitit 2021.

"Sapo NIO të nisë shitjet në Evropë, kompania do të zgjerojë investimet e saj në Evropë dhe do të ketë nevojë për më shumë partnerë për shërbimin pas shitjes," tha Zhang Hui, nënkryetar i NIO Evropa.

Në Serbi, CRBC do të nisë ndërtimin e infrastrukturës për asgjësimin e ujërave të ndotura komunale dhe mbetjeve të ngurta, e cila pritet të ndihmojë në zgjidhjen e përhershme të problemeve disa dekadëshe në vend dhe mbrojtjen e mjedisit lokal.