Falë investimeve të bëra gjatë viteve të fundit në sektorin e bujqësisë, Shqipëria sot ofron produkte bujqësore me cilësi sipas standardeve europiane. Sot produktet “Made in Albania” eksportohen në 82 vende të botës. Shumë prej pikave të grumbullimit të fruta-perimeve që operojnë në vend janë me standarde europiane .

Në një dalje për mediat pak ditë më parë, Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi bëri të ditur se , 11 prej këtyre pikave të grumbullimit mbajnë certifikatën e Glopal GAP, e cila ju mundëson eksportin në Europë. Këto kompani garantojnë produkte me cilësi të lartë, autentike të tokës shqiptare dhe të sigurta për t’u konsumuar në çdo familje.

Në kategorinë e përgjithshme të këtyre produkteve dominon për prodhimin më të lartë, siç janë kultura e domates, kastravecit, specit, patëllxhanit, qepës e karrotës. Ndërsa bashkëpunimi mes fermerëve dhe subjekteve vazhdon të jetë një hallkë kyç. Sot janë 114 fermerë të certifikuar me Global GAP.

Ndërkohë që shumë kompani janë dhe përfituese të skemës kombëtare dhe programit IPARD. Shqipëria njihet gjithashtu edhe për tokën e begatë, për resurset natyror të panumërta dhe prodhimtari me vlera të larta ushqyese.

Megjithëse në ndikimin e situatës së vështirë të krijuar nga pandemia Covid-19, në ekonominë e vendit, sektori i bujqësisë vijoi të performojë pozitivisht, jo vetëm në rritjen e prodhimit, por edhe në rritjen e eksporteve “Made in Albania”. Kjo dhe falë programeve të mbështetjes së integruar në bujqësi që ka ndërmarrë qeveria.

Sektori i bujqësisë është një nga sektorët që ka patur përformancë të mirë vitet e fundit dhe mbetet një nga prioritet e qeverisë shqiptare. Në vitet e ardhshme synohet që eksportet të shkojnë në vlerën e 1 miliardë dollarëve. Ky ishte edhe një nga premtimet e kryeministrit Rama gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë shqiptare, eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë në 400 milionë dollarë. Ndërkohë sot punohet më shumë se dyfishi i tokës bujqësore dukë shkuar në 235 mijë hektarë, nga 125 mijë hektarë që punohej vite më parë.

Njëkohësisht janë shumëfishuar dhe kapacitetet e serrave që bëjnë të mundur prodhimin e produkteve bujqësore, duke bërë që të rriten eksportet dhe të ulen importet e këtyre produkteve. Kjo ka bërë që produkti vendas të jetë më shumë i pranishëm në tregun e brendshëm dhe shumë më i gatshëm për t’u eksportuar.

Ndërkohë në ndihmë të sektorit të bujqësisë, janë dhe fondet e ardhura nga BE. Vetëm pak kohë më parë, BE aprovoi një fond prej 90 milion euro në në mbështetje të bujqësisë shqiptare, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në Ballkan, nga vendi i fundit që renditej më parë, për thithjen e fondeve nga BE.

Realiteti i sotëm në sektorin e bujqësisë është transformuar ndjeshëm, nga bujqësia e mbijetesës në bujqësi të sipërmarrjes fitimprurëse. Shqipëria është sot një nga eksportuesit më të mëdhenj të domates në Europë, parë kjo me përqindjen për frymë.

Ndërsai referohemi të dhënave të fundit të INSTAT për tremujorin e parë të këtij viti, eksportet shqiptare drejt Maqedonis së Veriut kanë shënuar rritje. Të dhënat zyrtare tregojnë se për tregtinë e jashtme gjatë periudhës janar-mars u eksportuan drejt Maqedonisë së Veriut mallra me vlerë gati 2 miliardë lekë.

INSTAT bën të ditur se eksportet krahësuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 shënuar rritje me 300 milion lekë. Referuar të dhënave, importet rezultojnë në shifrat e 1.5 miliardë lekëve kundrejt 1.8 miliardë lekëve që ishin në tremujorin e parë të 2020-s.

Produktet më të eksportuara vazhdojnë të mbeten produktet e freskëta:domate, tranguj, peshk i freskët, agrumet e freskëta etj.

Të dhënat treguan se tregu, vecanarisht ai i frutave dhe perimeve realizoi rreth 10,4 miliardë lekë ose 84 milion euro vlerë shitjesh në tregjet jashtë vendit

Shqipëria dhe Maqedoniae Veriut bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes CEFTA 2006 dhe që nga viti 2011, tregtia mes dy vendeve është e liberalizuar dhe operohet pa tarifa doganore.

Bujqësia në Shqipëri është sektori me kontributin më të madh në ekonomi. Në vitin 2019, sektori kontribuoi me 18.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit dhe është burimi kryesor i të ardhurave për popullsinë rurale në vend, teksa kontribuon me 38% të punësimit në total. Aktualisht janë mbi 350 mijë ferma familjare, ku madhësia e fermës është rreth 1.2 ha.

Elida Lazi