Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare do të rimëkëmbet gjatë këtij viti, megjithëse risqet janë të pranishme në afatin e shkurtër dhe të lidhura kryesisht me pandeminë.

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori, Gent Sejko deklaroi se aktiviteti ekonomik në vend po njeh rritje dhe vendi ka filluar rimëkëmbjen pas pandemisë.

Ndërkohë BSH ka rishikuar dhe pritshmëritë për rritjen ekonomike për vitin 2021 në nivelin e 5.3% nga 4.9% që ishte në vlersimin e bërë më herët. Sipas Guvernatorit Sejko, ky optimizëm për një ecuri pozitive të ekonomisë së vendit , do të ndikohet nga disa faktorë, që përfshijnë një sezon më të mirë turistik të pritshëm, si dhe rritje të investimeve private të konsumit.

Përvec turizmit, kontribut pozitiv në rimëkëmbjen e ekonomisë pritet të japë edhe sektori i ndërtimit që ka rritje pavarsisht goditjes nga pandemia si dhe procesi i rindërtimit. Efektet negative në ekonomi sipas guvernatorit Sejko janë zbutur, por rimëkëmbja nuk është ende e plotë dhe do të kërkojë kohë.

Guvernatori Gent Sejko, tha se Këshilli Mbikëqyrës e lexon me një optimizëm më të madh perspektivën e rimëkëmbjes ekonomike, sidomos në afatin e mesëm. Megjithatë, ai theksoi se pandemia shtron ende rreziqe të konsiderueshme në afatin e shkurtër.

Këshilli Mbikëqyrës konstaton se balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm në afatin e shkurtër, por ajo shfaqet më e balancuar në afatin e mesëm. Në veçanti, rreziqet në afatin e shkurtër burojnë nga një përmirësim më i ngadaltë se pritjet i situatës epidemiologjike, në vend dhe në botë, nga vështirësi të mundshme në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së ngadaltë të kredisë bankare, si dhe nga një reagim më i ngadaltë i biznesit dhe i familjeve ndaj kushteve të përmirësuara financiare.

Për këto arsye, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm,” tha ai.

Ndërkohë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi edhe Raportin e Tremujorit të Politikës Monetare.

Raporti analizon situatën ekonomike gjatë pandemisë, ku u vërejt tkurrje e aktivitetit ekonomik 3.3% dhe humbje e rreth 43,000 vendeve të punës, përveç një ngadalësim në rritjen e pagave dhe investimeve. Si pasojë, rimëkëmbja ekonomike mbetet e paplotë, me tregues në nivelet ende të ulëta të kërkesës agregate, në rënien e punësimit dhe në rritjen e papunësisë.

Sipas Guvernatorit Sejko, sektori financiar paraqitet veçanërisht i qëndrueshëm, edhe pas lehtësimit të rregullave nga Banka e Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë, duke i mundësuar atyre të ndihmojnë me fleksibilitet bizneset dhe familjet. Duke iu referuar muajit mars 2021, treguesi i kredive me probleme zbriti nën nivelin 8%, duke regjistruar dhe vlerën më të ulët që prej vitit 2009.

Projeksionet e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë mbeten pozitive. Ndërkohë që vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, sipas Guvernatorit do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se ecuria e ekonomisë gjatë vitit 2020 pasqyroi fleksibilitetin e ekonomisë shqiptare dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar, mbështetjen te stimuli monetar, financiar dhe fiskal, si dhe përgjigjen ndaj procesit të vaksinimit.

Ndërkohë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit vendosi të shtyjë me të paktën edhe tre muaj të tjerë stimulin monetar nëpërmjet formës aktuale të injektimit të likuiditetit me çmim fiks dhe sasi të pakufizuara në sektorin bankar. Në orientimin e mëparshëm, të muajit shkurt, Këshilli Mbikëqyrës pati sinjalizuar se kjo formë e stimulit monetar do të vazhdonte deri në mesin e këtij viti, por në mbledhjen e sotme vendosi ta shtyjë atë me të paktën tre muaj të tjerë.

Sejko theksoi se çdo normalizim në kohë i politikës monetare do të jetë i kujdesshëm, duke mos cënuar qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike dhe duke mos dëmtuar premisat e kthimit të inflacionit në objektiv. Guvernatori tha se projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Banka e Shqipërisë gjykon se vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim.

Skenari bazë i parashikimeve projekton një rimëkëmbje me ritme të qëndrueshme të ekonomisë gjatë viteve 2021 dhe 2022, pas kontraktimit të përjetuar në vitin 2020. Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje. Në përgjigje të tyre, punësimi dhe pagat pritet të vijnë po ashtu në rritje, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022,” tha Sejko.

Në fund të mbledhjes Këshilli Mbikëqyrës i bëri apel vendimarrësve që me normalizimin gradual të situatës ekonomike dhe forcimin e qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes, të përshpejtojnë axhendën e reformave strukturore . Reforma të cilat duhet duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike. Pasi janë të vetmet instrumente që do të mundësojë një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5% dhe të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.

Elida Lazi