Vreshtaria është kthyer tashmë në një biznes në rritje që dominon në të gjitha zonat e Shqipërisë. Një nga aktivitetet më tradicionale nga jugu e deri në veri të Shqipërisë, ajo po kthehet në biznes mjaft fitimprurës për shumë fermerë, që po investojnë në këtë kulturë.

Por interesant është shembulli i rrugës së re të kultivimit të vreshtave në sera. Fatbardh Belba nga Fieri, ka mësuar artin e verës në Toskanë. Pasi u kthye në Shqipëri, filloi të aplikonte eksperiencën, duke mbjellë vreshta në sera, në tokën pjellore dhe duke prodhuar verëra shumë të mira.

Kultivimi i rrushit në sera është një nismë jo shumë e përhapur në Shqipëri, por duket se po eksperimentohet edhe nga disa fermerë. Xhelal Xhyla nga fshati Tregan i Elbasanit, është një tjetër fermer që tashmë serën e tij e ka shndërruar në një vreshtë të vogël me rrush.

Ai shpreson që kultivimi i rrushit në sera, do të jetë më fitimprurës, sesa perimet dhe do t’i krijojë të ardhura të mjaftueshme.

“Kam zëvendësuar patatet, patëllxhanin, perimet që kisha të mbjella këtu, me hardhitë e rrushit. Dhe të shikojmë. Sepse nuk është si perimet, që piqen sot e duhet ta heqësh sot. Rushi piqet sot e mund ta vjelësh edhe pas një jave apo dy”- thotë fermeri.

Ndonëse një nismë e re, kultivimi i rrushit në sera është përfshirë edhe në mbështetjen me subvencione. Qeveria financon 300,000 lekë/ha dhe 100,000 lekë/ha, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt për zëvendësimin e plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e rrushit.

Xhelali shpreson që sipërmarrja e tij të ketë sukses në zonën e Treganit, kjo edhe për shkak të fluksit të vizitorëve prej ujërave termale që ndodhen në këtë zonë.

Ndërsa Besnik Kasapi, fermer nga Lushnja, kultivon varietetin e rrushit Viktoria në serra, për eksport.

“Asgjë nuk është e vështirë nëse respektohen rregullat bazë si në çdo kulturë tjetër bujqësore ” – shprehet Kasapi, teksa tregon se ndjek protokollin e kultivimit të rrushit në serra, nën kujdesin e specialistëve të fushës që e njohin këtë proces dhe rezultatet kanë qënë pozitive, me rendiment të kënaqshëm.

“Kultivimi sipas protokolleve më ka nxjerrë faqebardhë mua si fermer, por edhe kompaninë Doni Fruits, që ka vlerësuar prodhimin nga vreshtat në serra dhe ka bërë të mundur, që sot rrushi Viktoria të tregtohet për eksport në Gjermani, Rumani, Serbi e Bosnje” – tha Besnik Kasapi.

Varieteti i rrushit Viktoria jep afersisht 25 kg rrush për bimë dhe Besniku është në vitin e dytë të prodhimit. Në serra ai i mbjell hardhitë në distancë 2,1 – 2,2 m fidani nga njeri- tjetri.

Në 6 dynym serra Besniku ka mbjelle rreth 227 bimë/dynym. Rendimenti për këto dy vite ka qënë afro 60 kv/dy dhe çmimi mesatar gjatë sezonit të shitjes për eksport varion nga 200 lekë/kg deri në 250 lekë/kg.

Besniku po përgatitet për vjeljen e prodhimit këtë sezon, në muajin qershor. Ai ka lidhur kontratat për shitjen e 80% të prodhmit të rrushit në serra, në tregun e huaj dhe pjesën tjetër do ta përdori për konsum familjar.

Mbjellja e dy kulturave në serra, njëra prej të cilave është vresht rrushi, po shihet gjithashtu si një formë e suksesshme për rritjen e të ardhurave.ok

Aplikimi i mbjelljes së dy kulturave në të njëjten kohë në serra, po ngjall interes në rritje tek fermerët.

Në Berat, vëllezërit Kokthaj, tregojnë se kanë zbatuar në serrat e tyre, praktikat e vendeve të huaja, ku është aplikuar teknologjia e avancuar e mbjelljes së dy kulturave në serra. Si modeli që ka rritur shfrytëzimin e sipërfaqes së mbjellë në serra, duke alternuar ciklin bimor të kultivarëve për tu kombinuar.

Kultivimi i sallatës varieteti Kevin është një nga metodat më të mira për shfrytëzimin e sipërfaqes së tokës, pa ndikuar aspak në rritjen e vreshtit të rrushit për tavolinë.

Vëllezerit Kokthaj, të cilët janë të njohur si kultivues të vreshtave e prodhues të verës, kanë aplikuar mbjelljen e sallatës Kevin, duke sjellë një model të avancuar, jo vetëm për zhvillimin e vreshtave në serra, por edhe të sallatës Kevin, që është një produkt mjaft i kërkuar për eksport.

Kultivimi i vreshtave në serra është një vlerë e shtuar në prodhimin e këtij sektori.

Sipas statistikave, në Shqipëri janë mbi 325 mijë fermerë që meren me prodhimin e rrushit në vreshta dhe pjergulla. Ndërsa sipërfaqja e mbjellë me vreshta është rritur ndjeshëm vitet e fundit, në mbi 15.000 ha. Krahasuar me vitin 2013, sipërfaqet e mbjella me vreshta janë rritur me 11.2% në vitin 2020.

Sot në Shqipëri rreth dy të tretat e fermerëve kultivojnë sipërfaqe deri në 0,2 ha tokë me vreshta, kryesisht të llojit tradicional, Sheshi i Bardhë e Sheshi i Zi. Ekspertët e bujqësisë tregojnë se, fermat e vogla kanë një qasje të kombinuar, një pjesë të prodhimit të rrushit e shesin të freskët, ose të përpunuar në formën e verës apo rakisë dhe një pjesë për konsum vetjak.

Mbi 17 mijë ferma kanë vreshta me sipërfaqe mbi 0,2 ha, çka tregon për një lloj niveli më të specializuar të prodhimit.

Zonat kryesore të prodhimit të rrushit janë Fieri, Berati, Elbasani dhe Vlora. Sot prodhimi vendas i rrushit dominon furnizimin e tregut vendas, por ai edhe eksportohet në tregjet e huaja, vendet e Rajonal dhe të BE-së. Prodhimi i rrushit ka fituar qëndrueshmëri duke shkuar afro 190-195 mije tonë/vit, gjatë viteve të fundit.

Përveç mbështetjes financiare të qeverisë, permes programit IPARD dhe Skemës Kombëtare, që kap vlerën e rreth 35 milionë dollarëve gjatë vitit 2020 dhe hartimi i ligjit të ri “Për Vreshtarinë dhe Verën” që pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Shqipërië, do të mbështesë formalizimin e këtij sektori dhe krijimin e Kadastrës së Verërave Shqiptare.

Etleva Xhajanka