Në Hainan të Kinës Jugore u zhvillua Ekspozita e parë Ndërkombëtare e Mallrave të Konsumit e Kinës (e quajtur thjesht edhe ekspozita e konsumit). Në këtë ekspozitë janë shfaqur mallrat e konsumit nga vende të ndryshme dhe marka të njohura ndërkombëtare, si edhe janë nënshkruar kontrata të shumta.

Pjesëmarrësit në ekspozitë u shprehën që, me shtimin e kërkesës së brendshme dhe hapjen e mëtejshme të tregut, tregu kinez i konsumit me vlerë 40 trilionë juanë do të tërheqë gjithnjë e më shumë marka dhe mallra të huaja, që do të nxisin e çlirojnë më tej potencialin e konsumit të tregut kinez.

Në këtë ekspozitë kompanitë e famshme, si LVMH e "L‘Oreal" nga Franca, "Richemont" e "Nestlé" nga Zvicra, "Burberry" e "Jaguar Land Rover" nga Britania, "Shiseido" e "Omron" nga Japonia, "Johnson & Johnson" e "Dell" nga ShBA-ja dhe "Osborne" nga Spanja kanë ekspozuar mallrat e tyre të fundit dhe shërbimet përkatëse.

Në këtë edicion të parë të ekspozitës u regjistruan për të marrë pjesë 648 kompani dhe 1365 marka nga 69 vende e rajone. Gjatë zhvillimit të ekspozitës, nënshkrimi i kontratave nuk ka pushuar. Programi 4-ditor i qendrës së medies të ekspozitës ishte i mbushur me aktivitete nënshkrimi të kontratave.

Zv.ministri i Tregtisë i Kinës Wang Bingnan u shpreh se ndërmarrjet dhe markat e huaja kanë pasur një qëndrim shumë aktiv lidhur me ekspozitën. Kjo tregon që ndërmarrjet e huaja janë optimiste për tregun kinez dhe kanë besim të plotë te zhvillimi i ekonomisë kineze.

Analistët janë të mendimit që efekti i "tërheqjes magnetike" të ekspozitës së konsumit ka lidhje të ngushtë me potencialin e madh të tregut kinez. Kryeekonomistja e Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës Chen Wenling u shpreh se Kina ka një popullsi 1.4 miliard banorë dhe 400 milionë njerëz me të ardhura të mesme. Tregu kinez ka potencialin më të madh në botë. “Tani Kina është futur në fazën e rëndësishme të një niveli më të lartë konsumi. Konsumatorët kinezë kanë më shumë kërkesa për mallra të shumëllojshme, të personalizuara e me cilësi të lartë," tha ajo.

Drejtori i Institutit të Studimeve për Reformën dhe Zhvillimin të Kinës në Hainan, Chi Fulin, u shpreh që, prej ndikimit të epidemisë, vjet niveli i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit në Kinë pësoi ulje me 3.93 % në krahasim me vitin 2019, por shpejtësia e rritjes është në mëkëmbje të dukshme dhe epidemia nuk e ka ndryshuar prirjen e shtimit të konsumit. “Parashikojmë që deri në fund të vitit 2021, rritja e shitjes me pakicë të mallrave të konsumit mund të kthehet në nivelin para vitit 2020,” thotë Chi.

Në fakt, Kina ka publikuar një sërë politikash për nxitjen e konsumit. Kohët e fundit, Ministria e Tregtisë, Komisioni Kombëtar për Zhvillimin e Reformën, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave etj. kanë publikuar masa të shumta për përmirësimin e modelit të mbikëqyrjes së konsumit pa taksa doganore jashtë vendit, për nxitjen e ndërtimit të qyteteve kryesore të konsumit ndërkombëtar dhe për krijmin e pikave eksperimentale të shitjes me pakicë në platformat e tregtisë në internet.

Krahas këtyre, në agjendën e punës qeveritare janë përfshirë një sërë politikash të hapjes, si përmirësimi i sistemit për hyrjen në treg, liberalizimi e lehtësimi i tregtisë dhe hartimi i listës negative për tregtinë e shërbimeve.

Chi Fulin u shpreh që, me publikimin e politikave përkatëse, gjatë periudhës së Planit të 14-të 5-vjeçar, potenciali i madh i tregut të konsumit do të çlirohet në mënyrë efektive dhe Kina do të bëhet tregu më i madh në botë në konsumin e mallrave dhe treg i ri i konsumit të orientuar nga shërbimet.

Pjesëmarrësit u shprehën që zhvillimi i një ekspozite të tillë është zbatim konkret i premtimeve të Kinës për hapjen e tregut dhe masë efikase për qarkullimin e brendshëm dhe për të nxitur "dy qarkullimet", të brendshëm dhe të jashtëm.

“Përballë goditjes prej epidemisë, zhvillimi i ekspozitës së konsumit sipas planit ka treguar vendosmërinë e Kinës për zgjerimin e hapjes, ndarjen e tregut të saj të madh dhe nxitjen e përbashkët të mëkëmbjes ekonomike botërore,” tha Wang Bingnan.

Me këtë ekspozitë dhe me këto politika, ndërmarrjet e huaja kanë më shumë besim dhe vendosmëri për zgjerimin e biznesit të tyre në tregun kinez.

"Johnson & Johnson" ka marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës për tre vjet me radhë, dhe këtë herë, në ekspozitën e konsumit, kjo kompani ishte e pranishme me tetë markat kryesore të saj. “Biznesi i 'Johnson & Johnson' në Kinë është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm. Në të ardhmen, 'Johnson & Johnson' do të shtojë investimet në inovacion dhe do ta konsiderojë tregun kinez si një pikë të re rritjeje në krijimin e risive,” theksoi presidenti i degës së "Johnson & Johnson" në Kinë Wang Yi.

Presidenti i degës së "Tapestry" në Azi-Paqësor dhe presidenti i "Coach" në Kinë, Yang Baoyan, vuri në dukje se potenciali dhe entuziazmi i tregut kinez të konsumit po nxit markat globale të krijojnë risi e të bëjnë investime në Kinë dhe i ka sjellë gjallëri të madhe mëkëmbjes e zhvillimit ekonomik.(Jiang Lei)