Kreditimi për ekonominë shqiptare u rrit ndjeshëm në muajin mars të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re arriti vlerën e 22.3 miliardë lekëve, vlerë kjo dy herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në këtë krahasim duhet pasur sidoqoftë parasysh se në marsin e vitit të kaluar kreditimi u godit ndjeshëm nga shpërthimi i pandemisë, që pothuajse e paralizoi huadhënien e re në gjysmën e dytë të muajit. Megjithatë, kreditimi gjatë muajit mars është në vlera ndjeshëm më të larta krahasuar me janarin dhe shkurtin.

Rritja e kredisë është e shpërndarë në gjitha segmentet kryesore të tregut, përfshi kompanitë private, ato publike dhe individët. Kjo dëshmon për një tendencë më pozitive drejt rikthimit në ritmet e mira të kreditimit që u regjistruan pas mesit të vitit 2020. Për tre muajt e parë të këtij viti, sektori bankar ka dhënë 48 miliardë lekë kredi, 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e kredisë së re ka dhënë një ndikim pozitiv edhe në ecurinë e portofolit total të kredisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, ai kishte vlerën e 610 miliardë lekëve, në rritje mujore me 2.6 miliardë lekë. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë ngelet në rritje vjetore pozitive, me rreth 2.2% më shumë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë muajit mars 2021, portofoli i kredisë si për ndërmarrjet private, ashtu edhe për individët, u rrit me rreth dy miliardë lekë secila.

Po ta krahasojmë vlerën e portofolit krahasuar me një vit më parë, në segmentin e individëve rritja është në nivelin 4.7%, ndërsa për bizneset private afërsisht 5%. Ndikim negativ japin sidomos kreditë për kompanitë publike, që kanë rënë me 53% krahasuar me një vit më parë.

Sipas sektorëve, kreditimi në sektorin e turizmit ka shënuar rritjen më lartë gjatë muajve të parë të këtij viti. Pavarësisht se degët e lidhura me turizmin kanë qenë ndër më të prekurat nga kriza, duket se sektori bankar ka vijuar t’i mbështesë me kredi këto aktivitete, për të mbështetur një rimëkëmbje të pritshme të tyre në periudhën pas pandemisë. Portofoli i huadhënies për “Akomodim dhe shërbimin ushqimor”, u rrit me 43%.

Ndërtimi është sektori i dytë që ka shënuar rritje të ndjeshme të kreditimit që arriti në vlerën 26.5 miliardë lekë, në fund të muajit mars 2021 Më pas renditen sektori i tregtisë, transpoprtit dhe bujqësisë. Banka e Shqipërisë shprehet optimiste për perspektivën në rritje të kreditimit për këtë vit, të nxitura nga përmirësimi i pritshëm i ekonomisë reale, shëndeti i mirë financiar i bankave dhe vazhdimi i politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë gjatë këtij 3-mujorit të parë të këtij vitit bizneset në Shqipëri, rritën edhe përdorimin e skemës së dytë të garancisë sovrane të qeverisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se, garancia e dhënë në favor të kreditimit të bizneseve, për këtë skemë në fund të muajit mars 2021, arriti në 5.58 miliardë lekë, në rritje me rreth një miliardë lekë ose 21.8% që nga fillimi i vitit. Megjithëse shuma e përdorur pothuajse është rritur në tremujorët e fundit, mbetet ende larg shfrytëzimit të limitit të plotë prej 15 miliardë lekësh të akorduar nga qeveria shqiptare.

Kjo skemë fillimisht kishte afat fundin e vitit 2020, por në muajin janar qeveria shqiptare vendosi ta shtyjë deri në 30 qershor 2021.Mbështetur në këtë skemë, qeveria merr përsipër të garantojë 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta marrë përsipër vetë banka kredituese. Për një fond garancie prej 5.58 miliardë lekësh, portofoli maksimal i kredisë së gjeneruar mund të llogaritet në afërsisht 9.3 miliardë lekë.

Përdorimi i këtij instrumenti ka qenë shumë i ndryshëm për banka të ndryshme, në varësi të rrezikut që secila prej tyre ka zgjedhur të marrë përsipër.

Për kreditë përmes Garancisë së parë Sovrane, që kishte si objekt mbulimin e shpenzimeve për pagat e punonjësve në sektorin privat, qeveria shqiptare subvencionon plotësisht interest si dhe garanton 100% kreditë e aprovuara nga sistemi bankar.

Përmes kësaj skeme, bizneset në fund të muajit mars kishin përdorur 3.77 miliardë lekë, nga fondi total prej 11 miliardë lekësh. Banka e Shqipërisë vlerëson se, disbursimet e dy garancive sovrane që qeveria vuri në dispozicion të biznesit për likujditet, kanë ecur me ritme të mira.

Janë mbi 100 milionë euro të shpërndara në të dyja garancitë dhe numri i biznese që kanë përfituar është mbi 700. Nga këto, 560 biznese kanë përfituar në garancinë e pare dhe 200 në garancinë e dytë, pasi garancia dytë kishte vlera më të mëdha dhe adresonte mbështetje për bizneset më të mëdha Ato përbëjnë rreth 69% të totalit të garancive të dhëna nga qeveria shqiptare për kreditimin e bizneseve në Shqipëri, si një nga instrumentet kryeorë në nxitjen dhe rritjen e ekonomisë së vendit.

Etleva Xhajanka